Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), Arianit Elshani, ka thënë se reagimet e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), për zgjedhjet serbe në Kosovë, janë vazhdimësi e mashtrimit të tyre më qytetarët e Kosovës.

Elshani në një prononcim për Telegrafin theksoi se ish-Qeveria Kurti në 100 ditëshin e saj, hapi kufijtë me Serbinë dhe mbylli kufinjtë me Shqipërinë, e sipas tij kjo cilësohet e turpshme.


“Reagimet e zyrtarëve të Vetëvendosjes për zgjedhjet serbe janë vazhdimësi e mashtrimeve të tyre me qytetarët e Kosovës. Qeveria Kurti për 100 ditë hapi tërësisht kufijt e Kosovēs me Serbinë dhe bashkëpunoi me shtetin serb ndërsa mbylli kufijt e Kosovës me Shqipërinë. Këto reagime tani që janë në opozitë, janë të turpshme", tha Elshani.

Ndryshe, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu sot ka reaguar  ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës, për lejimin e organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, duke e quajtuar qeveri ilegale dhe pa mbështetje popullore, e cila e konsideron Kosovën si vend në të cilin Serbia ka hise. /Telegrafi/