LAJMI I FUNDIT:

Eksperimento social i “vëllait të madh” dhe debati pa kuptim

Eksperimento social i “vëllait të madh” dhe debati pa kuptim
Ilustrim

Nga: Gëzim Tushi

Që nga shekulli i kaluar e deri në shekullin tonë, janë zhvilluar dhe vazhdojnë të aplikohen shumë eksperimente sociale në formë spektakli të natyrës dhe formatit të “Big Brother”-it. Me dy destinacione etike dhe estetike, qoftë si eksperiment social apo edhe si “reality show”. Nuk kanë qenë as qëllim në vetvete dhe as për synime vanitoze, për të mbajtur njerëzit të “gozhduar” pas ekraneve. Gjithnjë e në çdo rast ato kanë qenë me synime e qëllime sinkretike e polivalente.

Më së shumti si reflektim ndaj nevojave që ka shoqëria në një moment të dhënë, për të diagnostikuar fenomene e sjellje të caktuara me natyrë sociale, apo si reagim ndaj domosdoshmërisë së imperativit të “lëvizjes së kufirit” tradicional midis të “lejuarës dhe të ndaluarës”. Duhet pranuar se jemi në kufijtë e shoqërisë postmoderne, për pasojë duan apo nuk duan disa kritizerë, nihilist apo moralistë, qoftë për arsyet e tyre personale, morale apo ideologjike, ndryshimet në shoqërinë shqiptare do të ndodhin më shpejt, me intensitet më të lartë se më parë.


Në parim duhet të pohojmë se tashmë jetojmë në kohën e respektimit të detyruar të lirive dhe të drejtave të njeriut. Kjo do të thotë se duhet të lejojmë shprehjen e gjërave, të cilat individualisht mund të mos na pëlqejnë apo që venë në dyshim sistemin e vlerave morale e të sjelljes tradicionale. Zakonisht këto “eksperimente sociale” zhvillohen në moment kyç, pikërisht atëherë kur shoqëria është në prag të intensifikimit të “reformave sociale” të caktuara. Nuk duhen parë të izoluara sjelljet dhe ekzibicionet individuale, në këtë eksperiment social. Përkundrazi sociologjikisht ato duhen konsideruar produkt, reflektim i gjendjeve sociale, nëpër të cilat po kalon shoqëria jonë.

Në këtë kontekst, duke qenë objektiv me parametrat e kësaj loje, mendoj se aty në mënyrë sintetike jepen sinjale sociale të sigurta, se shoqëria jonë në të ardhmen e afërt do të përballet me probleme më të vështira, sesa ato që kemi kaluar në të kaluarën. Kjo është në njëfarë mënyre ndihma që eksperimenti social i “Big Brother”-it i jep shoqërisë sonë. Prandaj, nuk është mohimi apo refuzimi “en block”, por është me rëndësi mënyra sesi e kapim dhe interpretojmë individualisht dhe si shoqëri mesazhet që vijnë prej tij. Kjo do të thotë që kur flasim për ndikimet e kontekstit social në strukturën e objektivave, qëllimeve, synimeve sociale të producentit dhe për pasojë edhe për tipologjinë e lojës së aktorëve të “Big Brother VIP”, ne që jemi jashtë kësaj shtëpie duhet të bëjmë llogaritë, por edhe të kemi parasysh faktin, që “shtëpia eksperimentale” është e mbyllur fizikisht, pa interferenca dhe ndikime të drejtpërdrejta që mund të vijnë nga bota e jashtme.

Por, në anën tjetër, paradoksalisht, ajo nuk është krejtësisht e izoluar nga ndikimet e parametrave të pritshmërive të jashtme dhe paradigmave ekzistuese të kontekstit social aktual. Padyshim, aktorët që luajnë aty, individualisht, si grup social dhe komunitet i përbashkët, pavarësisht diferencave, janë produkt i kësaj shoqërie, normave të sjelljes dhe tipologjisë kulturore, etike, sociale, edukative kontekstuale. Megjithatë, ne që jemi jashtë kësaj loje, kemi të drejtë të gjykojmë për “efektet e kontrastit”, midis mënyrës së sjelljes në shtëpinë eksperimentale dhe fenomeneve shoqëruese të komunitetit të banorëve të BBV-së, duke i vlerësuar ato në raport me mënyrat e sjelljes në shtëpitë tona private, jetën komunitare e sociale reale. Një nga shkaqet e thella të reagimeve individuale dhe debatit social që është krijuar këto “kohë të BBV-së”, është përdorimi I zgjeruar nga njerëzit që janë jashtë kësaj shtëpie i mekanizmit të “krahasimit social”.

Ky mekanizëm social na jep të drejtën të gjykojmë dhe analizojmë, të miratojmë dhe mohojmë atë realitet që zhvillohet në kushtet e eksperimentit social mediatik, duke mbajtur qëndrime për sjelljet, aftësitë komportuese, lojën, elegance, mekanizmat e stratagjemat e personalizuara të secilit lojtar. Kjo tendencë e krahasimit të sjelljes brenda lojës, me realitetin jashtë saj, na japin të “drejtën të gjykojmë”, duke shfaqur gjykime miratuese apo reagime pakënaqësie. Unë mendoj se situata e gjykimeve krahasuese, miratuese apo mohuese, është një fakt që krijohet automatikisht nga përballja e paradigmave që ravijëzohen në lojën brenda shtëpisë së BBV dhe kornizave morale ekzistuese në realitetin social empirik.

Të mos harrojmë se banorët e BBV-së janë lojtarë që duhet të luajnë lojën dhe të synojnë suksesin. Në këtë kontekst, ajo që duhet marrë parasysh kur bëjmë analiza e shfaqim qëndrime të personalizuara morale e deontologjike për formatin social, apo lojën individuale, duhet të mendojmë duke u nisur nga fakti që në këtë shtëpi “standardet e suksesit” nuk janë të njëjta me standardet e suksesit dhe tipologjinë e sjelljes në “shtëpitë tona”. Në fund të fundit, ajo është një “lojë sociale” e cila ka rregulla të përcaktuara nga Vëllai i Madh, që duhen respektuar. Kjo shtëpi duke qenë në funksion të një “eksperimenti social” ka rregulla themelore të përcaktuara, që diktojnë lojën, veprimet mendore, sjelljen e lojtarëve, në trajtimin e rrethanave dhe zgjidhjen e problemeve që krijohen aty. Në këto kushte, është e natyrshme shfaqja dhe përballja e zhurmshme privatisht dhe publikisht e sjelljeve herë racionale e në disa raste edhe tejet irracionale. Nuk kanë munguar edhe shumë sjellje të natyrshme apo të stisura, për të treguar veten si njerëz të mirë, të arsyeshëm, humanë, të sjellshëm, socialë.

Në këtë kontekst, kjo shtëpi ka sjellë një arsenal të gjerë sjelljesh individuale, mënyra komportimi të sofistikuara, për të justifikuar mënyrat e sjelljes së individëve brenda saj. Është e natyrshme, që njerëzit të ndodhur në rrethana disi paradoksale, janë të detyruar në mënyrë të natyrshme të bëjnë të gjitha përpjekjet për të justifikuar bindjet, ndjenjat, sjelljen personale. Vetëm kështu, secili prej tyre përpiqet të gjëjë rrugën e duhur, për të vetëjustifikuar sjelljen para vetes, banorëve të shtëpisë dhe opinionit publik. I cili edhe pse nuk është i pranishëm fizikisht dhe influencues në lojën direkte, është i pranishëm si faktor i nënkuptuar.

Në këtë kontekst duhet pranuar si fakt që banorët kanë mënyra sjellje që determinohen nga një lloj jetese artificiale, e cila nuk është e tepërt nëse do ta quajmë “ekzistencë” në kushte disi absurde. Kjo është arsyeja që shpesh në këtë “teatër” zhvillohen skena të cilat herë janë të buta dhe shumë herë tejet agresive. Megjithatë, edhe pse mbase në mënyrë disi kaotike, lojtarët janë mundur të ndërtojnë një mënyrë të “arsyetimit të brendshëm”, mbi bazën e të cilave secili është munduar të ndërtojë një “strukturë vlerash” individuale. Madje, shpeshherë mënyra si ravijëzojnë lojën e tyre, aty shfaqen edhe teste të sigurta të personalitetit individual. Pa përmendur emra lojtarësh, në mënyrë evidente janë shfaqur forma të dhunshme për të siguruar kuota të vetëvlerësimit, duke dashur të evidentojnë “pikat e forta”. Në disa raste nuk ka qenë e vështirë, evidentimi i shfaqjeve të bujshme të narcizmit, që te disa lojtarë është shfaqur në të gjitha trajtat e mundshme të manisë së madhështie dhe si tendencë frenetike për të siguruar epërsi ndaj të tjerëve.

Madje, deri në nivele që nuk pranojnë as të korrigjohen nga kritika e banorëve të tjerë. Padyshim jemi në garë dhe ka një justifikim ekzistenca e një niveli të caktuar të “vetëvlerësimit narcizist”. Por, personalisht më është krijuar ideja se tek disa nga lojtarët që kanë shfaqur sindromën e narcizmit, kjo nuk ka qenë shprehje e madhështisë dhe e vetësigurisë, por me siguri është formë për të mbuluar në thelb një pasigurisë së fshehur ndaj të tjerëve. Për mendimin tim, shumë shqetësuese ka qenë një tendencë e zgjeruar “dehumanizuese”, në lidhjet dhe marrëdhëniet midis banorëve kundërshtarë, duke i trajtuar ata psikologjikisht keq, duke i bulizuar dhe etiketuar me paranoma dhe epitete të shëmtuara. Unë mendoj se edhe pse në kushte loje, garë e konkurrencë, është e nevojshme ekzistenca e një lloj koshience sociale e lojtarëve, një përgjegjësi sociale për ndikimet në publik që kanë veprimet e tyre të dehumanizuara.

Sigurisht, është i natyrshëm ekuacioni që zhvillohet, midis egos personale dhe gabimeve të mundshme që burojnë prej saj. Rëndësi ka që lojtarët të na sjellin paradigmën e duhur, mënyrën që njerëzit përmes lojës së tyre, të mësojnë se çfarë duhet bërë për të korrigjuar gabimet që burojnë nga egoizmi i fitores me çdo kusht. Ndërkaq, si tipologji njerëzore, aty janë të gjitha format e tipeve dhe morfologjisë njerëzore, ekuivalente me ato që ndeshim në jetën e përditshme.

Lojtarë introvertë e të heshtur dhe ekstrovertë e të zjarrtë, individualistë e jokonformistë të thekur dukshëm dhe konformistë të përshtatur me masën e lojtarëve. Të parët pëlqehen më shumë dhe ka reagime pozitive për ta nga opinion publik. Loja ka moment të vërteta intriguese, në të cilën ravijëzohen ato mekanizma që përdoren gjerësisht në realitetin tonë social. Por, duke qenë 24 orë para kamerave, pa asnjë pauzë apo mundësi fshehje para opinionit publik, janë evidentuar qartë nuancat e “efektit të kameleonizmit” të sjelljes së paqëndrueshme, apo pozitës së hipokrizisë, sjelljes me “dy faqe” ndaj njëri-tjetrit. Në skenë po vërtetohen shumë paradigma sociale të sjelljes njerëzore, sikurse është aftësia e ndryshimeve të sjelljes në përputhje me rrethanat personale apo stratagjemat personale të atyre që përpiqen të ndryshojnë perspektivën e lojës së tyre, duke i parë pozicionet, jo sipas mendjes së tyre por sipas syve dhe pëlqimit të të tjerëve, brenda apo jashtë shtëpisë.

Të gjithë mekanizmat që përdoren në jetën sociale, pozitivë apo negativë qofshin gjenden të sintetizuara saktësisht në tipologjinë e lojës së secilit banor, por edhe të kondensuara në formë paradigmash sociale sinkretike të përbashkëta. Analiza socio-psikologjike e situatave në “Shtëpinë e Famshme”, na ballafaqojnë me sjellje intriguese e solidarizuese, egoiste dhe super individualiste, agresive e konformiste. Të gjithë mekanizma të adoptueshëm dhe që ndeshen edhe në jetën reale. Tipa të larmishëm agresivë, ekscentrike, ekstrovertë që nuk durojnë pa qenë të evidentuar, të suksesshëm sipas tyre dhe fitimtarë, ashtu sikurse ka lojtarë, të cilët janë minimalistë në lojë, duke menduar se qenia në çdo rast “ndryshe nga të tjerët” është e parehatshme.

Ata mendojnë dhe janë të kujdesshëm për të bërë gjënë e duhur apo më saktë atë që sipas tyre “duhet bërë”. Nuk është e lehtë situata sociale dhe personale e lojtarëve brenda shtëpisë, sepse nuk mund në këtë lojë kolektive të gjesh raportin e duhur midis asaj që bën individualisht, duke menduar se kjo është e drejtë dhe nevojës që të përshtatesh me lojën e grupit. Duke menduar në të njëjtën kohë “panoptikumin” e gjykimit influencues të publikut jashtë shtëpisë. Kjo ka bërë që brenda shtëpisë të ravijëzohen dy grupe lojtarësh. Ata që shfaqen si influencër dhe që shfaqin një vetëvlerësim të lartë në lojë, dhe ata që në përgjithësi shfaqen konformistë, me vetëvlerësim të ulët dhe konformizohen me presionin e grupit. Megjithatë, duhet besuar se sjellja e lojtarëve brenda shtëpisë, jo domosdoshmërisht mund të jetë sjellja e tyre autentike e adekuate në rrethanat e jetës së tyre sociale, kur të jenë jashtë kësaj shtëpie eksperimentale.

Ata janë në lojë, dhe kjo ndikon shumë në tipologjinë e sjelljes së tyre. Është e vërtetuar nga psikologjia sociale, që kur njeriu ndryshon “grupin e referencës”, sikurse ka ndodhur në procesin e kalimit nga jeta reale në ambientet e izoluara e shoqërisht të mbyllura hermetikisht të shtëpisë së BBV, ata doemos që kanë ndryshuar qëndrimet dhe mënyrën e sjelljes. Kjo është arsyeja pse njerëzit habiten, kur përballen me një ambient ku njerëzit sillen ndryshe dhe zbatojnë “norma sociale” të ndryshme nga ato që zbatohen në jetën e vërtetë. Kjo sjellje e lojtarëve ndonjëherë duket jo fort e përshtatshme, kur e gjykojmë me “metrin” e normave sociale jashtë shtëpisë, apo në jetën tonë të përditshme. Por mos harroni ky është një eksperiment social që realizohet në një mjedis social sui generis dhe brenda një komuniteti të sajuar dhe të vëzhguar nonstop. Këtu ka disa norma sjelljeje që për shkak të garës kthehen në module sjelljeje determinuese e urdhëruese, në të cilën përzihen të gjitha normat e sjelljes që ekzistojnë jashtë kësaj shtëpie dhe që janë të ngjashme …