Ekskursioni i kontestuar në Prizren, LVV akuzon drejtorin komunal për përfitim të paligjshëm, reagon kompania fituese

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren përmes një komunikate ka akuzuar zyrtarët e emëruar nga kryetari i Komunës, Shaqir Totaj dhe PDK-ja se po e përdorin pushtetin për përfitime personale dhe se po shpërfillin çdo standard moral dhe ligjor.
Në këtë rast, ky subjekt opozitar në nivel lokal i është referuar më konkretisht drejtorit të Inspektorateve, Islam Ukimeri.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! – Qendra në Prizren shpreh shqetësimin e saj për skandalin e publikuar në media lidhur me përfitimin financiar të drejtorit të Inspektoratit komunal, Islam Ukimeri, përmes kompanisë së tij private “Bashkimi Reisen”, në organizimin e ekskursionit të maturantëve të shkollës së mjekësisë “Luciano Motroni” në Prizren. Sipas raportimeve në media, Ukimeri, nga Komuna e Prizrenit ka përfituar 48,150 euro përmes një tenderi të dyshimtë, të organizuar për dërgimin e 450 maturantëve në Shqipëri”, thuhet në komunikatën e LVV-së në Prizren, raporton Telegrafi.
Aty gjithashtu theksohet se “procesi i tenderimit u karakterizua nga anulimi i procedurës fillestare dhe përjashtimi i kompanisë konkurrente, për t’ia mundësuar fitoren kompanisë së drejtorit komunal, Islam Ukimeri”.
“Rasti i njëjtë dhe raste të tjera të ngjashme përfaqësojnë thelbin e një qeverisjeje të korruptuar, ku zyrtarët e emëruar nga kryetari Shaqir Totaj dhe PDK e përdorin pushtetin për përfitime personale dhe shpërfillin çdo standard moral dhe ligjor”, thuhet në komunikatë.
Ky subjekt opozitar i ka bërë thirrje organeve kompetente që ti fillojnë hetimet “ndaj këtij rasti skandaloz, ku ekzistojnë dyshime të bazuara për manipulim të procedurave të tenderimit, për qëllime të përfitimit nga individ me pozita të larta publike”.
Drejtori i Inspektorateve, Islam Ukimeri nuk i ka komentuar këto pretendime.
Mirëpo Kompania Turistike “Bashkimi Reisen” ka paralajmëruar padi për shpifje ndaj të gjitha palëve, që “me informata të pavërteta kanë tentuar të njollosin imazhin e kompanisë”.
Sipas reagimit të kësaj kompanie, në rastin e sipërpërmendur “Bashkimi Reisen” ka fituar tenderin me çmimin më të lirë, ndërkohë që mjetet janë të prindërve dhe nuk ka asnjë lidhje me buxhetin komunal.
“Gjithashtu shuma e përmendur prej 48,150 eurove nuk është e saktë. Por është një shumë më e ultë”, thuhet në reagimin e kompanisë, raporton Telegrafi.
Në të njëjtën kohë është nënvizuar se në këtë rast nuk ka pasur shkelje të legjislacionit në fuqi.
“Në aspektin ligjor çdo që ka qenë në rregull”, ka bërë të ditur kjo kompani turistike. /Telegrafi/






















































