Edon Zhegrova po punon pa pushim që të jetë gati për 'Derby d'Italia'

Edon Zhegrova ishte një nga emrat e përzgjedhur nga përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, për ndeshjet kundër Zvicrës dhe Suedisë, por pas transferimit te Juventusi, ai është liruar për t’u fokusuar te ekipi i ri.
Sulmuesi i krahut po përgatitet intensivisht për të qenë në dispozicion për derbin e Serie A ndaj Interit, që zhvillohet më 13 shtator në Torino.
Mediumet italiane raportojnë se Zhegova ka punuar shumë pas përfundimit të transferimit nga Lille, duke ndjekur seanca stërvitore intensive për t’u rikthyer në formë maksimale.
“Blerja e re e Juventusit po stërvitet intensivisht dhe kishte vetëm një ditë pushim, me një qëllim të qartë – të marrë pjesë në derbin kundër Interit”, shkruan “fantacalcio.it”.
Lajme të ngjashme vijnë edhe nga mediat e tjera italiane, të cilat theksojnë se 26-vjeçari ka nisur menjëherë përgatitjet intensive pas transferimit te Juventusi.
Zhegrova ka nënshkruar me Juventusin kontratë deri më 30 qershor 2030 dhe pritet të sjellë cilësi në sulmin e skuadrës bardhezi. /Telegrafi/















































