LAJMI I FUNDIT:

Edhe zëdhënësi i BE-së, sikurse Borrell, kërkon koordinim për veprimet e policisë në veri të Kosovës

Edhe zëdhënësi i BE-së, sikurse Borrell, kërkon koordinim për veprimet e policisë në veri të Kosovës

Përveç thirrjeve për uljen e tensioneve dhe shmangien e përshkallëzimit të situatës, reagimet e faktorit ndërkombëtar lidhur me zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, kanë pasur dallime. Përderisa Aleanca Veri-Atlantike tha se është në kontakt me autoritetet e Kosovës, Bashkimi Evropian tha se nuk ka pasur koordinim paraprak për aksionin kundër kontrabandës së mallrave, që u zhvillua në disa lokacione, përfshirë edhe veriun e vendit.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano konfirmoi se nuk ka pasur njoftim paraprak për aksionin e 13 tetorit.

“Misioni i EULEX-it është në Kosovë pikërisht për të ndihmuar në forcimin e rendit dhe ligjit dhe për të krijuar ambient të sigurt”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.


Lidhur me aksionin në veri, mjaft kritika ka pasur ndaj reagimit të parë të shefit për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili i quajti “të papranueshme veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara”. Kjo deklaratë u bë më 13 tetor, ditën kur Policia dhe Dogana e Kosovës zhvilloi një aksion kundër kontrabandës së mallrave, aksion që u shtri edhe në komunat në veri të Kosovës.

Deklarata e Borrellit u kuptua nga disa si kritikë ndaj luftës kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, teksa autoritetet në Kosovë thanë se aksioni i 13 tetorit ishte pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.

Ndryshe reagoi Aleanca Veri-Atlantike (NATO), që tha se e sheh këtë aksion si “operacion për zbatimin e ligjit në tërë Kosovës” dhe shtoi se misioni i KFOR-it në Kosovë është në komunikim me të gjitha institucionet e rëndësishme të Kosovës dhe të bashkësisë ndërkombëtare.

Kritika ndaj Borrellit

Përveç reagimeve në Kosovë ndaj deklaratës së Borrellit, për këtë deklaratë kishte reagime edhe jashtë Kosovës. Viola von Cramon, deputete gjermane në Parlamentin Evropian, që njëherësh është edhe raportuese për Kosovën, kërkoi nga Borrelli që ta mbështesë luftën kundër krimit të organizuar dhe i kritikoi ato shtete që nuk e luftojnë këtë fenomen.

“Institucionet e shtetit që bëjnë punën e tyre meritojnë tërë respektin tonë. Dialogu i lehtësuar nga BE-ja nuk ka të bëjë me operacionet e përditshme policore”, ka deklaruar ajo.

Nga disa burime diplomatike të BE-së është dëgjuar se edhe disa shtete anëtare ishin të pakënaqura me prononcimin e Borrellit, por përfaqësuesit e këtyre shteteve nuk mund të dalin publikisht kundër tij. Sidomos kishte pakënaqësi me mungesën e dënimit të dhunës kundër Policisë së Kosovës dhe gazetarëve, që sipas këtyre burimeve, ndihmuan që të krijohej përshtypja se deklarata e shefit të diplomacisë së BE-së, Borrell ishte e njëanshme.

Duke iu përgjigjur pyetjeve rreth kësaj deklarate, zëdhënësi i BE-së për çështje të politikës së jashtme, Peter Stano insistoi se ky prononcim i Borrellit “nuk kishte të bënte me operacionin specifik të policisë, por me kontekstin më të gjerë të situatës në veri dhe raporteve midis Kosovës dhe Serbisë”.

“Le t’i vëmë gjërat në perspektivë. Kjo që përfaqësuesi i lartë ka thënë është se ai ka bërë ftesë që të ndërpriten incidentet. Dhe, siç dihet, ka pasur incidente dhe përleshje në veri të Kosovës midis policisë dhe protestuesve. Ai ka thënë se duhet të ndalen menjëherë dhe ato u ndalën. Ajo që ai tha se veprimet e njëanshme të autoriteteve që rrezikojnë situatën janë të papranueshme, ai nuk i referohej operacionit policor si të tillë për luftën kundër kontrabandës dhe korrupsionit. Ai fliste në parim për atë që ndodhte, jo për herë të parë, në veri të Kosovës”, tha Stano.

Qytetarët në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan – dy komuna në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe – kundërshtuan aksionin e policisë dhe protestuan e vendosën barrikada. Nga përleshjet mes policisë dhe protestuesve, u lënduan dhjetë policë dhe dhjetë protestues.

BE: Të evitohen veprimet e njëanshme në veri të Kosovës

Stano shtoi se dihet që situata në këtë pjesë të Kosovës është shumë e brishtë dhe e ndjeshme dhe sipas tij, secili veprim që ndërmerret në këtë pjesë, është po ashtu i ndjeshëm dhe duhet të merret parasysh.

“Çfarë ne kemi thënë dje, e kemi thënë edhe më herët dhe është që në këtë pjesë të Kosovës duhet të evitohen veprimet e njëanshme, në mënyrë që të mos nxitet konfrontim i mëtejmë dhe rritje e tensioneve. Kjo do të ishte në kundërshtim me gjithë atë që ne po përpiqemi ta bëjmë: të sigurojmë që të gjitha çështjet të bëhen në mënyrë të koordinuar dhe të vihen në tryezë të dialogut. Kjo është esenca e asaj që përfaqësuesi i lartë tha dje dhe e ka thënë edhe në të kaluarën. Pra, të parandalohen tensionet e shkaktuara nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara”, tha Stano.

Në pyetjen se a mund të shihet reagimi i BE-së si thirrje që të luftohet krimi i organizuar në tërë rajonin, por të ketë përmbajtje në veri të Kosovës, Stano është përgjigjur:

“Sa më shumë koordinoheni aq më efikas do të jeni. Nuk bëhet këtu fjalë për komentet tona rreth substancës së luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Por, për atë që ndodhi dje dhe reagimi i BE-së ishte rreth situatës e cila ishte rezultat i veprimeve të caktuara, që duket se nuk ishin koordinuar dhe diskutuar me kohë rreth një kontesti të veçantë për një situatë të ndjeshme në veri të Kosovës. Konteksti i asaj që ndodh në veri të Kosovës nuk është i lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin. Është i lidhur me çështjen më të gjerë mes Serbisë dhe Kosovës”, tha ai.

Stano ka thënë se “BE-ja, përfshirë edhe EULEX-in si përgjegjës i dytë i sigurisë, nuk ishin të informuar në mënyrë paraprake nga autoritetet e Kosovës për këtë operacion. Misioni i EULEX-it është në Kosovë pikërisht për të ndihmuar në forcimin e rendit dhe ligjit dhe për të krijuar ambient të sigurt”.

Vetë Bashkimi Evropian në Raportin e Progresit për Kosovën vitin e kaluar tërhoqi vërejtjen se “krimi i organizuar paraqet sfidë të veçantë në veri të Kosovës”.

A ka marrëveshje për dërgimin në veri të njësive speciale?

Zyrtarët e Serbisë e kanë përsëritur edhe kësaj radhe se dërgimi i njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri është “shkelje e Marrëveshjes së Brukselit”.

Por, përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës dhe qeveritë paraprake që kanë marrë pjesë në dialogun me Serbinë, të lehtësuar nga BE-ja, kanë mohuar se ka ndonjë marrëveshje që Kosovës ia ndalon që të dërgojë njësitë speciale të policisë.

I vetmi obligim që ekziston, në bazë të shkëmbimit të letrave midis ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe atëbotë Sekretarit të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen është që njësitë e Forcës së Sigurisë së Kosovës të mos dërgohen në veri të vendit pa pajtimin e KFOR-it.

Edhe pse jozyrtarisht, disa zyrtarë të BE-së kanë pohuar se Kosova ka obligim që të mos dërgojë, pa konsultime, njësitë speciale të policisë në veri, pasi sipas tyre, një gjë e tillë shkakton tensione, por një qëndrim i tillë nuk është konfirmuar asnjëherë publikisht nga blloku evropian.

Se një obligim i tillë nuk ka ekzistuar është parë edhe në të kaluarën, kur njësitë speciale në disa raste kanë kryer aksione në veri të Kosovës.

Zëdhënësi i BE-së, Stano pohon se “edhe nëse nuk ekziston një marrëveshje specifike, është praktikë e zakonshme që të ketë koordinim”.

“Ndonëse nuk ka marrëveshje specifike që parandalon autoritetet të operojnë nga jugu në veri, është praktikë e zakonshme që për së afërmi të koordinohet me bashkësinë ndërkombëtare dhe KFOR-in si dhe të informohet pala tjetër, në mënyrë që të mos ketë reagime nga njerëzit siç ndodhi ditën e djeshme”, deklaroi Stano.

Autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur që në aksionin e 13 tetorit, që u zhvillua në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Veriut, janë arrestuar tetë persona, ndërkaq edhe dhjetë persona, që dyshohen për kontrabandim të mallrave, janë shpallur në kërkim. /rel/

Në trend Lajme

Më shumë
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Parashikimi i motit për të premten, shi, borë dhe erëra të furishme

Lajme
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë

Lajme
Në rastin

Në rastin "Kobra", babai i viktimës: Më ka ik fëmija në moshën më të mirë, arma nuk përdoret tek vëllezërit

Drejtësi
Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro

Peci me akuza për PDK-në dhe LDK-në: A e dini se në vitin 2017, Ministria e Bujqësisë kishte paditur Fahrie Hotin, duke i kërkuar kthimin e mbi 17 mijë euro

Lajme
14-vjeçari që theri për vdekje bashkëmoshatarin në Tiranë lihet në burg, grupi hetimor sekuestron kamerat e sigurisë

14-vjeçari që theri për vdekje bashkëmoshatarin në Tiranë lihet në burg, grupi hetimor sekuestron kamerat e sigurisë

Lajme
Kalo në kategori