LAJMI I FUNDIT:

Edhe gurët lëndojnë

Edhe gurët lëndojnë

Vetëm ata që nuk besojnë tek idetë e tyre rendin pas dhunës… Me shkas nga romani i Julia Navarros “Qëllo, tashmë jam i vdekur”

Udhërrëfyesi më i mirë për të ndërmarrë një udhëtim kronologjik mbi të dhënat e para rreth identitetit hebraik është Bibla. Aty ngjarjet zhvillohen sikur çdonjëri prej 5 librave të saj të përshkruajë në mënyrë profetike çdo fazë të historisë reale të popullit hebre. Shumë prej studiuesve mendon edhe sot se, megjithatë kjo nuk do të thotë që historia e popullit hebre të lexohet si një tregim i fshehtë i kësaj profecie historike që është parashkruar për ta. Fati i ngjarjeve të jetuara nga populli hebre, më shumë se gjithçka tjetër tregon se njerëzit janë të lirë të zgjedhin mes së mirës dhe së keqes. Në romanin “Qëllo, tashmë jam i vdekur” të J. Navarros, Marian Miller, është një punonjëse e një organizate joqeveritare së cilës i është kërkuar të shkruajë një kronikë mbi vendbanimet e paligjshme hebraike në territoret palestineze. Me qëllimin për ta kryer këtë punë, Marian organizon një takim në Izrael me Ezekiel Zuker, një burrë i moshuar i cili, si shumica e gjithë hebrenjve të botës, ka shumë histori për të treguar, ndërsa fsheh edhe një sekret.


Ezekiel e fillon historinë e tij duke përshkruar se gjatë rrjedhave historike hebrenjtë në Perandorinë Ruse përbënin ngaherë një diasporë të madhe fetare. Territoret më të dendura të saj strehuan në një kohë popullatën më të madhe të hebrenjve në botë. Brenda tyre, komunitetet hebraike zhvilluan shumë nga traditat e tyre teologjike dhe kulturore të judaizmit modern, ndërsa në të njëjtën kohë përjetonin edhe politika diskriminuese antisemite. Marian, shpeshherë e shpërqendruar për shkak se kërkonte të përfundonte axhendën e saj, fillimisht nuk e dëgjonte me ëndje plakun e mirë Ezekiel, por më pas historinë ajo filloi ta shkruajë vetë.

Rrëfimi i tij vijon më tej me qetësinë e një të urti ku fjala merr peshën e saj universale si të lexojë rreshta nga Bibla, ndërsa e huaja mban shënime të cilat më vonë do ta bënin atë të ndërtonte një histori të jashtëzakonshme jetësh njerëzore. Gjatë mbretërimit të Ekaterinës I në shek. e 18-të, hebrenjve filluan t’u kufizoheshin të drejtat. Situata e tyre ndryshoi rrënjësisht gjatë mbretërimit të Ekaterinës II, kur Perandoria Ruse e shtriu sundimin mbi shumë territore lituaneze dhe polake të cilat historikisht përfshinin një pjesë të madhe të rezidencave hebraike, veçanërisht gjatë viteve 1793-1795.

Gjatë kësaj kohe hebrenjtë njohën kufizime ekonomike në veprimtarinë e tyre të përditshme, të cilat gjithashtu vazhduan edhe pas pushtimit rus të këtyre territoreve. Jeta e tyre nuk ishte e lehtë në Rusi. Në fakt nuk ishte në asnjë vend tjetër të Evropës, edhe pse Revolucioni Francez shënjoi një pikë kthese për situatën e mëpastajme. Trupat e Napoleonit përhapnin idenë e lirisë ngado që shkonin por ato ide ranë ndesh me Rusinë cariste. Nëse në Evropën Perëndimore kushtet e jetesës ndryshuan dhe shumë hebrenj u bënë njerëz me pozitë e politikanë me ndikim, në Rusi nuk ndodhi kështu. Cari dhe qeveritarët rusë ishin thellësisht reaksionarë dhe mosbesues ndaj gjithçkaje që ata e konsideronin të ndryshme. Ata i izolonin hebrenjtë në ‘zona rezidenciale’, të vendosura në qytetet jugore të Rusisë, në Poloni, Lituani dhe Ukrainë, që atë kohë ishin pjesë e perandorisë ruse. Oborri carist nuk e vlerësoi aspak besnikërinë e hebrenjve kur Napoleoni pushtoi vendin.

Ekaterina e Madhe vazhdoi të mos i donte ata, por e vërteta është se është e vështirë të gjesh një car apo careshë që t’i donte hebrenjtë si nënshtetas. Ajo bëri të pamundurën për t’i dëbuar. Por nuk ia doli; iu desh të mjaftohej me miratimin e masave të cilat kufizonin aktivitetet e hebrenjve. Nuk ishin të shumtë hebrenjtë që jetonin denjësisht në ato kohë; disa tregtarë, disa huadhënës e disa mjekë. Ezekiel përshkruan në roman kalvarin e tyre dhe për ta njohur Marianin me historinë e një populli që në fakt e kish parashkruar historinë e tij. Gjatë kësaj kohe, vazhdon ai, pati dhe nga ata që përfituan leje të veçanta dhe ia dolën të jetonin thuajse si nënshtetas normalë. Pas Ekaterinës, ishte Aleksandri II i cili i uli shumë politikat antisemite dhe u njohu hebrenjve disa të drejta të mohuara. Pogromet, shtoi Ezekiel në rrëfimin e tij, keni dëgjuar të flitet për to? Në vitin 1881 u bë një atentat kundër car Aleksandrit II dhe Rusia u përfshi në trazira të gjata. Flitej se kish hebrenj të përfshirë në komplot dhe se dikush donte të vinte drejtësi pas kësaj.

Mes pjesëmarrësve në komplot ishte një grua hebreje, Gesia Gelfmani. Në të vërtetë roli i saj nuk ishte i rëndësishëm, por shërbeu si pretekst që shkaktoi një dhunë të egër ndaj hebrenjve në të gjithë perandorinë. Pogromet filluan në Elisavetgrad dhe u shtrinë në Minsk, Odesë dhe gjithë rrethinat tej detit Balltik… mijëra hebrenj u vranë. Një vit më vonë, pjesa më e madhe e të mbijetuarve braktisi gjithçka kishte sepse cari i ri, Aleksandri III, firmosi një urdhër dëbimi. Më shumë se dy milionë hebrenj u larguan nga Rusia mes viteve 1880 dhe 1920, drejt Shteteve të Bashkuara. Por çfarë të bën të mendosh pas gjithë kësaj historie duket se gjithçka ka ndodhur e përsëritur në kohë të ndryshme.

Diku në një atentat, diku në një komplot shtetëror, diku në formën e një vdekjeje të planifikuar, diku një vjedhje pa autor, diku një epidemi sëmundjesh rënë nga qielli… e te të gjitha në kujtesën historike fshihet brenda një autor, sekreti i një çifuti. Ky ishte dhe sekreti që plaku Ezekiel e ruante brenda me aq besnikëri. Çfarë shkrimtaren e ka ngacmuar nuk është thjesht historia me ngjarjet, por ana njerëzore e saj; karakteret me të cilët ne përballemi çdo ditë, ndoshta dhe më të këqij se këta që njohëm në librin e Navarros; portretet shpirtërore të tyre; fryma e idealeve të një populli që në zgrip kërkon dritën për të jetuar dhe për t’ia dalë; pafajësinë në jetët e pafajshme të marra me pa të drejtë në valët e shumta të pogromeve që historia e njerëzimit ka njohur dhe aspak historia. Sepse historia, shkruan ajo, është e njëjta kudo dhe kurdo. Ajo ndër epoka përsërit veten për shkak të aftësive të kufizuara që ka njeriu për të qenë i mirë.

Po, cili është kompleksiteti i identitetit hebre?

– Çfarë kemi ndryshe? – e pyeti Samueli të atin një mbrëmje ndërsa pushonin pranë njëri-tjetrit në një krevat të ngushtë të një bujtine të lirë në Gjermani.

– Pse mendon se jemi ndryshe? – u përgjigj i miri Isak.

– Kemi diçka që nuk u pëlqen të tjerëve, por nuk e di çfarë është, ndaj të pyes.

Gjyshi Isak, vazhdon t’i tregojë Ezekiel gruas së re që nuk ikte tashmë pa mësuar të gjithë historinë e kësaj familjeje, ishte një burrë i ditur që ndiqte idetë e Mose Mendelsonit, filozof gjerman, i cili në shekullin e kaluar kishte krijuar një lëvizje të quajtur “Haskalah” (Iluminizëm), që përkrahte hapjen e kulturës hebraike ndaj asaj evropiane. Mendelsoni përktheu Biblën në gjermanisht dhe iu kundërvu rrymave më ortodokse të judaizmit. Mbronte idenë se të qenët hebre nuk ishte në papajtueshmëri me të ndjerit gjerman dhe ftoi anëtarë të komunitetit të tij që të përfshiheshin tërësisht në shoqëritë të cilave u përkisnin. Me fillimin e emancipimit hebraik kryesisht në kohën e Iluminizmit dhe sidomos në shek. XIX, u zhvillua një vetëdije e re mbi identitetin hebraik. Shumë hebrenj kryesisht në vendet e Evropës Perëndimore e shihnin veten si francezë, gjermanë, anglezë etj., ndërsa si besimtarë vazhdonin të kryenin ritet e fesë hebraike. Duket qartë se në këtë periudhë një inteligjencë e re që vinte nga një traditë e hershme e historisë së hebrenjve po ngrihej e gjallëruar, madje nga një mënyrë e re këndvështrimi. Pjesa më e madhe e intelektualëve me origjinë hebraike ose të krishterë sa i përket identitetit të tyre, nuk e vinin më theksin te feja, por te kombi dhe vendi tek i cili ata kishin lindur. I frymëzuar nga ato ide, Isaku mundohej të bindte komunitetin e tij se të qenët hebre nuk ishte në papajtueshmëri me të ndjerit thellësisht rus. E vërteta është se në qytetet ruse, bashkëjetesa mes hebrenjve dhe pjesës tjetër të popullsisë gjithmonë kishte qenë e karakterizuar nga mosbesimi dhe nga një urrejtje e heshtur, e cila me raste shpërthente në kriza zemërimi. Çfarëdolloj vuajtjeje e familjeve johebreje gjente gjithherë një fajtor në komunitetin hebre, thua se e kishin të vështirë të arsyetonin se shkaku i mjerimeve të tyre kishte të bënte me makutërinë dhe me politikën e carëve, të cilët u kishin marrë tokat e gjithçka tjetër. Identiteti hebre në vazhdimësi mbetet një çështje komplekse, që u komplikua nga procesi që njihet me emrin “Aliya”. “Aliya” lidhet me kthimin e hebrenjve të diasporës në tokën e Izraelit, veprim ky që përbën një nga parimet themelore të ideologjisë sioniste. Në vitin 1958, kryeministri izraelit David Ben-Gurion u lëshoi një pyetësor 50 intelektualëve më të shquar të vendit lidhur me identitetin hebre. Ndërsa, nga ana tjetër, vetë qeveria izraelite zgjodhi të përcaktojë si hebre “çdokënd që beson në judaizëm dhe që nuk i përket ndonjë feje tjetër”.

Epilogu: Diku aty nga fundi i shekullit të 19-të, familja hebraike Zukers u dëbua nga atdheu i tyre, Rusia, vetëm sepse ishin hebrenj. Pasi iu nënshtruan tmerreve dhe padrejtësive të papërshkueshme nën sundimin e carit, ata u nisën për në Tokën e Premtuar dhe blenë tokë që e zotëronin Ziadët, një familje arabe. Ndër vite të dy burrat e familjes, Ahmed Ziad dhe Samuel Zuker, ndërtuan një marrëdhënie të fortë, një miqësi që tejkaloi komplekset politike dhe fetare dhe që vazhdoi për breza me radhë. Gazeta e njohur spanjolle “El País” e përshkruan librin si “një roman që e nis historinë si Doktor Zhivago dhe e përfundon atë si Libri i Eksodit”. Kjo është historia e dy familjeve që e kthen lexuesin prapa në kohë, në Rusinë e fundshekullit të 19-të, dhe e sjell deri në kohët moderne të konfliktit izraelito-palestinez. Kjo sagë e famshme familjare që kulmoi në vitin 1948, nuk është thjesht romani më i mirë dhe më ambicioz i gazetares spanjolle Julia Navarros; ajo është ‘një përrallë’ e mbushur me njerëz realë, që morën përgjegjësitë e fateve të tyre duke ndjekur ëndrrat ndër beteja të vështira për të ruajtur traditat dhe identitetin e tyre. Një libër i jashtëzakonshëm, që vjen në formën e një rrëfimi si të Biblës me pasthirrmën e përsëritur të këtij populli ndër shekuj, “Vitin tjetër në Jerusalem”!