Humori dhe gjendja emocionale e nënës gjatë shtatzënisë ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e bebes. Të qeshurat jo vetëm e qetësojnë nënën, por krijojnë edhe një mjedis më të shëndetshëm për foshnjën

Edhe pse mund të duket e pabesueshme, gjendja emocionale e nënës ka ndikim të drejtpërdrejtë te fëmija ende i palindur. Studimet shkencore tregojnë se bebja në bark ndien dhe reagon ndaj emocioneve të nënës, përfshirë edhe të qeshurat.


Kur një grua shtatzënë qesh, muskujt e barkut relaksohen dhe tensionohen njëkohësisht, diafragma vibron dhe rrahjet e zemrës përshpejtohen. Trupi përjeton një valë energjie pozitive, ndërsa bebja ndien lëvizje ritmike, të ngjashme me një luhatje të lehtë.

Sipas faqes “Family Today”, të qeshurat janë si “kërcimi në një trampolinë”, një lëvizje e sigurt dhe e këndshme që stimulon beben dhe qetëson sistemin nervor të nënës, transmeton Telegrafi.

Dr. Kamila Hofmen, eksperte e psikologjisë prenatale, thekson se gjendja pozitive emocionale e nënës gjatë shtatzënisë kontribuon në zhvillimin e shëndetshëm të sistemit nervor të bebes. Hulumtimet e saj tregojnë se nënat që përjetojnë më shumë gëzim dhe më pak ankth lindin fëmijë me:

▪ nivel më të ulët stresi,
▪ rregullim më të mirë emocional,
▪ rezistencë më të madhe ndaj sfidave të jetës.

shutterstock

Në anën tjetër, stresi kronik gjatë shtatzënisë mund të ndikojë negativisht në shëndetin mendor të fëmijës, të rrisë rrezikun për depresion në adoleshencë dhe të ndikojë në formimin e temperamentit.

Variabiliteti i rrahjeve të zemrës (HRV) mat fleksibilitetin e zemrës në reagimin ndaj stresit. Te gratë shtatzëna nën stres, rrahjet janë më të shpejta dhe më të ngurta, ndërsa një nënë e qetë dhe e lumtur ka ritëm më fleksibil, që ndihmon përballimin më të mirë të stresit. Këto ndryshime ndikojnë drejtpërdrejt edhe te bebja.

Gjatë ekzaminimeve me ultrazë, studiuesit kanë vërejtur se HRV i nënës përmirësohet sapo ajo e sheh beben në ekran. Kur nëna është e qetë dhe e kënaqur, edhe bebja qetësohet.

Vetë leximi për ndikimin e stresit gjatë shtatzënisë mund të rrisë shqetësimin te gratë. Prandaj është e rëndësishme që ato të mos fajësojnë veten për momentet e tensionit. Stresi është pjesë normale e jetës, ndërsa çelësi qëndron te reagimi i vetëdijshëm dhe përfshirja e aktiviteteve që i qetësojnë. /Telegrafi/