I dyshuari për spiunazh, Bojan Jevtiq dërgohet në Gjykatën Themelore në Prishtinë

I dyshuari për spiunazh, Bojan Jevtiq, është dërguar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku do të mbahet seancë dëgjimore për t’ia caktuar masën e paraburgimit.
Ai është arrestuar nën dyshimet për spiunazh, pasi dyshohet se ka transferuar informacione dhe sekrete shtetërore tek agjencitë serbe, transmeton Telegrafi.
Jevtiq është ndaluar për 48 orë, ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur armë, para të gatshme dhe disa dokumente të dyshimta.
“Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit në një fshat të Kamenicës janë sekuestruar prova materiale siç janë: dokumente konfidenciale të Policisë së Kosovës, disa telefona të mençur, usb, një armë e shkurtër, municion, para të gatshme në vlerë prej 10.000 euro, 2 milionë dinarë serbë, 600 franga zvicerane dhe prova tjera të cilat do të ekzaminohen gjatë procedurës hetimore”, njoftoi Prokuroria Speciale.
Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e togerit policor i cili ka qenë i angazhuar në pozitën e shefit të operativës në policinë kufitare në pikë kalimin kufitar “ Dheu i Bardhë”. /Telegrafi/





















































