Dyshohet se vodhi 9 kg ari në vlerë 1 milion euro- sekuestrohet një diamant dhe armë në një banesë në Prishtinë

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës, në kuadër të hetimeve intensive, ka ndaluar një person me inicialet XH.V., për një periudhë prej 48 orësh, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale ‘’Vjedhja e rëndë’’.
Sipas një njoftimi për media thuhet se sipas dyshimeve fillestare, në argjendarinë ‘’G…..’’, janë vjedhur rreth 9 kilogramë ari, në vlerë prej një milionë euro.
“Gjatë bastisjes në banesën e të dyshuarit, është gjetur dhe sekuestruar një armë pa leje, si dhe një diamant, me urdhër të prokurorit të shtetit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, siç thuhet në njoftim ndaj pasurisë së të pandehurit, përkatësisht një veturë të tipit BMW X6 dhe një banesë në lagjen Tophane, në vlerë rreth 110.000 euro, do të lëshohet urdhër i përkohshëm ndalimi, si dhe do të parashtrohen kërkesa për urdhër ndalues përfundimtar lidhur me pasurinë e sekuestruar.
Prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor, do të paraqesë në gjykatën kompetente kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit. /Telegrafi/


















































