Dyshimet për manipulime lidhur me pronën milionëshe në Veternik, familja Sadiku denoncon sistemin e drejtësisë
Familja Sadiku ka reaguar publikisht lidhur me rastin e njohur si “Dallaveret me prona milionëshe në Vetërnik”, duke akuzuar individë dhe institucione për manipulim me dokumente të falsifikuara.
Sipas familjes Sadiku, fjala është për parcelën 1743 në Vetërnik, e cila u përfituan me dokumente të falsifikuara nga Z.H, një grua 86-vjeçare që kishte ndërruar jetë gjatë procedurës gjyqësore. Prapa saj, sipas familjes, qëndrojnë Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi, të cilët noterizuan dokumentin e diskutueshëm “Resenje broj 461/61” të datës 07.08.1961, duke e përfaqësuar në Gjykatën Supreme të Kosovës.
Familja Sadiku thekson se procedura gjyqësore për këtë rast u zhvillua dhe u përfundua brenda 9 muajsh e 6 ditësh pa asnjë seancë të vetme, me arsyetimin se Z.H ishte në moshë të shtyrë. Ata pretendojnë se pavarësisht kallëzimeve penale të paraqitura ndaj gjyqtarëve të përfshirë, hetimet ishin mbyllur pa u shqyrtuar siç duhet, shkruan "Betimi për Drejtësi".
Rasti është hulumtuar nga “Betimi për Drejtësi”, ku janë paraqitur prova për falsifikimet e pretenduara.
Sipas familjes Sadiku, Prokuroria Themelore e Prishtinës kishte mbyllur hetimet ndaj të dyshuarve Ylber Hyseni dhe Afrim Gashi vitin e kaluar, duke u bazuar në një dokument të ardhur me DHL jashtë rrugëve zyrtare. Megjithatë, Prokuroria e Apelit e kishte kthyer rastin për hetime të mëtejshme, pas ankesës së të dëmtuarve. Pas këtij vendimi, Kryeprokurori Zejnullah Gashi kishte larguar prokuroren Nebahate Salihu nga rasti, duke ia caktuar prokurorit Kushtrim Zeka.
Familja pretendon se, edhe pse prokurori Kushtrim Zeka e ka konfirmuar falsifikimin e dokumentit mbi bazën e të cilit u fitua prona, ai ka pushuar hetimet, duke e justifikuar vendimin me faktin se Zoje Hyseni tashmë kishte ndërruar jetë dhe nuk mund të akuzohej.
Familja Sadiku shpreh shqetësim se ky rast tregon ndikimin e individëve me lidhje të forta në sistemin e drejtësisë. Ata kërkojnë që Prokuroria Speciale të hetojë rastin dhe që autoritetet të marrin masa ndaj atyre që, sipas tyre, veprojnë si grup i organizuar kriminal.
Pas hulumtimit “Misteri i zarfit nga Serbia “provë e dyshimtë” për pronën milionëshe”, prokurorja Nebahate Salihu është përjashtuar nga rasti i pronës në Veternik-Prishtinë.






























