Dyshimet për manipulim votash, Sallahu kërkon përjashtimin e Kryeprokurorit të Mitrovicës

Ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar se ka kërkuar që kryeprokurori i Prokurorisë në Mitrovicë, Njazi Rexha të përjashtohet nga rasti ku po hetohet për manipulim të votave.
Sallahu bëri të ditur se i ka dërguar një shkresë zyrtare ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, përmes së cilës kërkon ndërmarrjen e disa masave ndaj Rexhës, për shkak të siç thotë ai ekzistimit të konfliktit të interesit.
Në kërkesën e tij, Sallahu përmend tri masa konkrete që, sipas tij duhet t’i ndërmarrë Kryeprokurori i Shtetit.
“Të përjashtoni zyrtarin në fjalë, Kryeprokurorin Rexha, nga trajtimi i mëtutjeshëm i rastit, për shkak të ekzistimit të konfliktit të interesit, në përputhje me Nenin 19 paragrafin 2 të Ligjit nr. 06/L-011 për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik. Gjithashtu, vlerësoj që përjashtimi i Prokurorit të rastit, ka bazë edhe në Nenin 43 të Kodit të Procedurës Penale NR. 08/L-032, meqë ekzistimi i konfliktit të interesit është një nga bazat e cekura në Kod për këtë përjashtim”, ka shkruar Sallahu.
Tutje, Sallahu ka kërkuar nga Besim Kelmendi që “të nxjerrë vendim me shkrim për të marrë nën juridiksionin tuaj këtë rast, me qëllim të zhvillimit efikas të procedurës si dhe për arsye të shmangies së konfliktit të interesit nga zyrtari i lartpërmendur (në përputhje me Nenin 20, paragrafët 2 dhe 3 të Ligjit për Prokurorin e Shtetit).”
Si pikë të tretë, ai ka kërkuar që të shqyrtohet edhe aspekti disiplinor dhe penal i çështjes.
“Të shqyrtoni ankesën për shkeljen disiplinore të përmendur në këtë shkresë nga Kryeprokurori Rexha dhe të kërkoni nga Këshilli Prokurorial i Kosovës fillimin e hetimeve disiplinore në përputhje me Nenin 12 paragrafin 2 të Ligjit nr. 06/L–057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe të ndërmerren hetimet e nevojshme për konstatimin lidhur me përgjegjësinë penale të zyrtarit në fjalë nga Neni 417 i Kodit Penal të Kosovës nr. 06/L-074”, ka shkruar Sallahu. /Telegrafi/


















































