Dy gola pasi i tha 'po' Kosovës - dardani i ri Elvis Rexhebeçaj flet për nisjen e sezonit dhe synimet
Elvis Rexhbeçaj e ka nisur sezonin në mënyrën më të mirë, duke e gjetur golin në ndeshjen hapëse të Bundesligas, ku Augsburgu barazoi me Werder Bremen me rezultat 2-2. mesfushori Rexhbeçaj realizoi edhe të dielën e kaluar në fitoren 4-1 të Augsburgut në udhëtim te Viktoria Berlini, në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë, ndërsa shkëlqeu edhe në këtë fundjavë. Mesfushori i ri i Kosovës realizoi gol me gjuajtje shumë të fuqishme nga 28 metra distancë.
26-vjeçari i cili me shumë gjasa do të jetë në listën e Franco Fodas për ndeshjen e parë të Kosovës në Ligën e Kombeve kundër Rumanisë, po tregon formë të lartë pasi i ka thënë “po” Dardanëve. Rexhbeçaj pas ndeshjes ka folur për faqen zyrtare të Augsburgut, ku është shfaqur i lumtur me golin e shënuar, por i dëshpëruar që ekipi i tij nuk mori pikët e plota. “Jam padyshim shumë i kënaqur që gjuajtja ime përfundoi me gol të shënuar dhe Samueli më pas realizoi tjetër gol. Nuk jemi të kënaqur pasi nuk morëm pikët e plota. Ishim më sulmues se kundërshtari dhe ishin dy situata të diskutueshme të cilat nuk u dhanë në favorin tonë”.
































