Dy aksidente brenda ore në Prishtinë - për shkak të ndryshimit të motit apelohet për kujdes të shtuar në trafik

Dy aksidente komunikacioni kanë ndodhur brenda orës në kryeqytet, pas reshjeve të borës të cilat po vazhdojnë.
Qytetarët kanë dërguar fotografi nga aksidenti në mes dy veturave në rrugën “Vasil Laçi”, si dhe nga aksidenti tjetër te udhëkryqi në Hajvali, konkretisht udhëkryqi te rruga “Nekibe Kelmendi”.
Ndërkohë, vërehet se qarkullimi në rrugë është vështirësuar, pasi automjetet mund të rrëshqasin, sidomos për shkak se koha për gomat e dimrit ka përfunduar me 15 mars.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të dielën parashihet një ndryshim i shpejtë në shtresat e ulëta dhe të mesme të atmosferës (troposferë), i cili do të sjellë ulje të ndjeshme të temperaturave, si në vlerat minimale ashtu edhe në ato maksimale.
Sipas institutit, fillimisht do të ketë reshje shiu, ndërsa më vonë pritet që reshjet të kalojnë në bore duke përfshirë edhe shumë pjesë të viseve të ulëta.
“Megjithëse këto reshje do të jen të përkohshme. Në viset e larta parashihen vetëm reshje bore. Kjo situatë meteorologjike do të krijojë kushte për paraqitjen e ngricave në fillim të javës së ardhshme, të cilat mund të kenë ndikim negativ në kulturat e hershme bujqësore, veçanërisht në pemëtari. Udhëzohen bujqit dhe fermerët që të marrin masa preventive për të mbrojtur prodhimin dhe kulturat e ndjeshme nga ndikimi i këtyre kushteve të pafavorshme të motit”, thuhet në njoftim.

















































