Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka vendosur së fundmi një Rregullore të re për Operacionet me paratë e gatshme, me të cilën përjashtohet nga qarkullimi dinari serb.

Kjo ka zgjuar reagime të ndryshme nga institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Telegrafi ka pyetur edhe disa qytetarë se çfarë mendimi kanë ata për këtë temë.


Afrim Aliu shprehu mendimin e tij duke thënë se është i kënaqur me këtë vendim të BQK-së.

417653774 396062586245418 5906413850134108479 n Afrim Aliu, qytetar

"Ma mirë që e kanë ndalu. I kemi paret tona, s'kena nevojë me punu me paret e Serbisë", ka thënë ai.

Një tjetër qytetar, Idriz Morina e mbështeti rregulloren e re të BQK-së, duke kërkuar pak më shumë kohë deri sa të mësohen qytetarët me përdorimin e vetëm të euros.

418883057 3553164501589392 4195904844051589427 n Idriz Morina, qytetar

"E vlerësoj si vendim pozitiv dhe të drejtë. Se valuta zyrtare është euro, kështu që duhet me kalu një kohë dhe me gjetë njëfarë modusi, që edhe qytetarët me tejkalu këtë dhe të gjithë të kalojnë në euro", ka thënë Morina.

Edhe Sahit Hasani ka një mendim të ngjashëm, duke theksuar se nuk ka nevojë që dinari serb të qarkullojë në Kosovë për të kryer shërbime.

418604341 397160372689735 6249692904418656194 n Sahit Hasani, qytetar

"Valuta jonë është euro, nuk ka nevojë më hy dinari në Kosovë", u shpreh ai.

Ndryshe, rregullorja e re e BQK-së lidhur me operacionet me paratë e gatshme do të hyjë në fuqi sot, 1 shkurt.

Sipas kësaj rregullore, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euro.

Në rregulloren e BQK-së, thuhet se valutat jo euro mund të përdoren vetëm për t’u ruajtur “në formë fizike apo në llogaritë bankare” dhe me to mund të kryen pagesa ndërkombëtare dhe këto valuta po ashtu mund të përdoren për këmbim.

Por, këmbimi sipas BQK-së, mund të kryhet vetëm përmes institucioneve të licencuara nga ajo për këtë shërbim. Në anën tjetër bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar shtyrjen e këtij vendimi deri në një moment të caktuar.  /Telegrafi/