Site icon Telegrafi

Dugolli në 23-vjetorin e masakrës në Burgun e Dubravës: Prokuroria të zgjohet nga gjumi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, i cili i ka mbijetuar Masakrës në Burgun e Dubravës, në 23-vjetorin e kësaj ngjarje ka thënë se Prokuroria duhet të “zgjohet nga gjumi”.

Në një konferencë për media të mbajtur këtë të enjte, Dugolli ka deklaruar se Prokuroria duhet të dëgjojë rrëfimet e të mbijetuarve, ndërsa sipas tij, nuk do të ketë nevojë që të nxirret ndonjë vendim për dëshmitarë të mbrojtur.

“Nuk po kërkojmë asgjë më shumë se drejtësi. Të gjithë ne do të dëshmojmë vetëm të vërtetën”, ka thënë ai.

Tutje, Dugolli ka thënë edhe pas 23 vitesh, të mbijetuarit e kësaj masakre i kujtojnë përgjegjësit dhe ekzekutorët.

“Këtu janë emrat e të vrarëve e të masakruarve shqiptarë në Burgun e Dubravës. Sot, edhe pas 23 vitesh neve të mbijetuarve na shfaqen para syve skenat e llahtarshme të vrasjeve së bashku me klithmat e vëllezërve tanë që shuheshin para plumbave e granatave të hedhura mbi trupat tanë. Ne ende i mbajmë mend përgjegjësit e ekzekutorët që i kishin vënë maskat në fytyrë për të mos u dalluar”, ka shtuar ai.

23 vjet më parë në Burgun e Dubravës është kryer një nga masakrat më të mëdha në Kosovë kundër shqiptarëve nga regjimi i kriminelit i Sllobodan Millosheviqit, ku brenda burgut janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur më shumë se 300 të tjerë.

Masakra e Burgut të Dubravës është kryer prej 19 deri më 24 maj të vitit 1999. /Telegrafi/

Exit mobile version