Dubrovnik: Tri ditë në perlën e Ballkanit, qytetin e 'Game of Thrones' ku gërshetohet antikja me modernen (Foto/Video)

Dubrovniku është vend mahnitës, dhe ofron shumëçka për turistët. Me lokacion mes Adriatikut dhe Alpeve Dinarike, brigjet e veta të Adriatikut janë mbresëlënëse; Qyteti i Vjetër i Dubrovnikut është sharmant dhe ia vlen të eksplorohet; plus, qyteti nuk është vend shumë i kushtueshëm për shumicën e turistëve, që do të thotë se për tri ditë mund të kaloni tejet mirë.
Bëhuni gati të futeni në parajsën evropiane – të rrethuar me ishuj të shumtë dhe atraksione të panumërta për të gjitha grupmoshat – dhe nëse mundeni, qëndroni më gjatë për ta shijuar edhe më shumë këtë vend magjik, transmeton Telegrafi.
DITA E PARË
Në mëngjesin e ditës së parë vizitojeni Portin e Qytetit, i cili është vend i mrekullueshëm për ta shijuar ecjen e mëngjesit dhe për të shkrepur disa fotografi në peizazhin piktoresk.
Pastaj, nisuni për në Qytetin e Vjetër – vend që domosdoshmërish duhet të vizitohet nga të gjithë turistët! Me kishat dhe ndërtesat e vjetra, muret e qytetit, korridoret, muzetë dhe numrin e madh të restoranteve dhe dyqaneve të suvenireve, shumë lehtë mund t’i shpenzoni orët varësisht nga koha dhe interesat tuaja.
Gjatë kohës kur jeni në Qytetin e Vjetër, domosdoshmërish vizitoni Muret e Qytetit Antik, të cilat ofrojnë pamje magjepsëse mbi detin Adriatik. Me kullat e vogla në shumicën e këndeve, dhe gjurmët e historisë në çdo hap që e bëni, normalisht se ia vlen të shëtiteni këtu dhe të bëni shumë fotografi. Asnjë vizitë në Dubrovnik nuk është e kompletuar pa i parë Muret e Qytetit Antik.
E dedikuar për shenjtorin mbrojtës të qytetit, dhe e ndërtuar në vitin 1715, arkitektura e Kishës Shën Blaise është tejet e rrallë dhe të lë pa frymë. E gjendur në zemër të Qytetit të Vjetër, ky vend është atraksion i vërtetë turistik dhe ndoshta ndërtesa më e bukur në sheshin Luza.
Respektojeni kishën duke i mbuluar shpatullat dhe duke mos folur me zë të lartë.

Gjithashtu me lokacion brenda Qytetit të Vjetër, edhe muzeu “War Photo Limited” është një domosdoshmëri për ata të cilët e kuptojnë mirë historinë e konfliktit në Dubrovnik gjatë ndarjes së ish- Jugosllavisë. I ka dy kate të mbushura me fotografi, media dhe printime të cilat i shfaqin më së miri efektet e luftës në këtë qytet.

Shatërvanin Onophrian, të ndërtuar nga Onforio della Cava në sheshin ‘Pile Gate’ dhe një tjetër në sheshin Luza, duhet ta vizitoni sepse i përket mesit të shekullit 15’të, pra është një kryevepër historike dhe e përsosur për ta freskuar veten gjatë një dite të nxehtë të verës.
Afër shatërvanit e keni edhe Manastirin Franciscan, në fillim të Stradunit kah ana e majtë. Kur të keni nevojë të largoheni nga turma dhe rruga kryesore për një kohë, vizitojeni këtë manastir për ta shijuar arkitekturën e bukur dhe skulpturat e detajuara.
DITA E DYTË
Ditën e dytë fillojeni duke e vizituar Parkun Nacional Mljet, i cili është ishull i tetë për nga madhësia në Kroaci, dhe i kompletuar me peizazhe të bukura, det me ujë të pastër, liqene, dhe një trashëgimi interesante kulturore.
Në mesditën e ditës së dytë, vizitojeni ishullin Lokrum, i cili gjendet vetëm 700 metra larg portit të Dubrovnikut, para Qytetit të Vjetër. Ishulli është i mbushur me histori dhe gjëja më e mirë është se anijet taksi ju transportojnë aty për 10 minuta!
Kur jeni në Lokrum, vizitojeni manastirin e bukur Benedictine, i cili është ndërtuar në vitin 1023.
Ndër tjerash, ditën e dytë në Dubrovnik mund ta përfundoni në ishullin Korcula, i cili përmban shumë plazhe dhe kafe në breg të diellit. Rrugët janë të ndërtuara me kalldrëme, ndërsa vendasit janë tejet miqësorë.
DITA E TRETË
Për ata që u pëlqejnë sportet ekstreme, mund ta kënaqin veten në ‘Adventure Dalmatia’. Këtu mund të shijojnë të gjitha sportet e mundshme aventureske.
Por, ditën e fundit mund ta kaloni edhe duke u relaksuar, e relaksimin mund ta gjeni në ‘Skar Winery’ e cila është e ndërtuar në shekullin e 17’të dhe i prodhon verërat më kualitative në Kroaci.
Dhe natën e fundit kalojeni në ‘Cafe Buza’, për ta shijuar në maksimum perëndimin e diellit mbi qytet dhe atmosferën dashamire të kësaj kafe. /Telegrafi/























































