Në 27-vjetorin e rënies së heroit të luftës, Dr. Lec Leci-Gradica, u bënë homazhe dhe u vendosën buqeta me lule pranë varrit të tij në varrezat e dëshmorëve në Marinë të Skenderajt.

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, së bashku me drejtorë të drejtorive komunale, familjarë të heroit dhe qytetarë të shumtë, morën pjesë në ceremoninë përkujtimore, duke nderuar jetën dhe veprën e doktorit të luftës, përcjell Telegrafi.




Përveç homazheve në nderim të Dr. Lecit, u bënë edhe përkujtime te varri i dëshmorit Mehmet Saliuku në Gllanasellë dhe i dëshmorit Behram Hazir Morina në Marinë, i cili ra më 24 shtator të vitit 1998.

Duke folur gjatë homazheve, kryetari Lladrovci vlerësoi lart sakrificën e Dr. Lecit, duke kujtuar rolin e tij qysh nga ditët e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Doktori ishte pranë ushtarëve dhe qytetarëve të Drenicës, duke shëruar plagët e luftës dhe ra duke shëruar plagë të lirisë”, tha ai. /Telegrafi/