Drejtori i Zvicrës reagon për zgjedhjen e Albian Hajdarit për Kosovën

Drejtori i Zvicrës, Pierluigi Tami, ka komentuar vendimin e futbollistit të ri Albian Hajdari për të luajtur me Kombëtaren e Kosovës, duke shprehur respekt për zgjedhjen e tij, edhe pse klubi zviceran e kishte përfshirë në planet e veta.
Tami ka deklaruar se e respektojnë vendimin e Hajdarit për të ndërruar ekip përfaqësues.
“Albiani është përzgjedhur disa herë për ekipin senior të Zvicrës. Ai ka qenë pjesë e skuadrës, ka marrë minuta dhe eksperiencë, por nuk është stabilizuar si startues i rregullt".

"Tani ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në të ardhmen, dhe ne e respektojmë vendimin e tij”, deklaroi Tami për Blue Sport.
Më herët, drejtori i kombëtares zvicerane nuk kishte shprehur asnjë shqetësim për mundësinë që Hajdari të kalonte te Kosova, duke u shfaqur i bindur se mbrojtësi i talentuar do të vazhdonte karrierën e tij ndërkombëtare me Zvicrën.
Sidoqoftë, situata ndryshoi kur Hajdari mori vendimin për t’u përfshirë në projektin e Kosovës, një hap që i ofron atij më shumë mundësi për lojë të rregullt dhe zhvillim në skenën ndërkombëtare.

Albian Hajdari, i rritur në Zvicër, ka një karrierë premtuese në nivele të larta të futbollit, pasi aktualisht luan te Hoffenheim, në elitën e futbollit gjerman. /Telegrafi/











































