Sot në Prishtinë, në sheshin “Skënderbeu” u marshua me moton “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Marshi i cili nisi në ora 14:00, u organizuar nga platforma “Liria ka Emër”.


Në marshin e mbajtur në sheshin “Skënderbeu” kanë marrë pjesë mijëra qytetarë nga të gjitha trevat shqiptare.

Ditë më parë, Eliza Hoxha nga platforma “Liria ka Emër” theksoi se të martën sheshi i kryeqytetit “nuk do të jetë thjesht një hapësirë publike, por zemra e Kosovës që rreh njëzëri”, duke e cilësuar marshin si dëshmi të unitetit qytetar në mbrojtje të drejtësisë, dinjitetit dhe respektit ndaj historisë së vendit.




17/02/2026 15:35- Përfundon marshi - nga sheshi “Skënderbeu” bëhet thirrje për drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

Ka përfunduar marshi “Drejtësi, jo politikë” i cili mblodhi me mijëra qytetarë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, me të cilin u kërkua drejtësi për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Në mesin e mijëra qytetarëve morën pjesë edhe figura të shumta nga skena politike vendore dhe nga rajoni.

Këtij marshi iu bashkua edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Osmani u fut mes protestuesve, duke përshëndetur kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza dhe Endrit Thaçin, dajlin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Presidentja e ka cilësuar të padrejtë gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

17/02/2026 15:16- Vasfije Krasniqi: 18-vjetori i Pavarësisë, ditë krenarie dhe thirrje për drejtësi

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman ka deklaruar se është emocionuese t’i drejtohet një turme kaq të madhe në 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Ajo e ka cilësuar këtë përvjetor si një ditë të shenjtë për popullin e Kosovës, duke theksuar se 18-vjetori i pavarësisë është njëkohësisht ditë krenarie dhe përkujtimi për të gjithë ata që u flijuan për lirinë e vendit.

“Sot është ditë krenarie, por edhe përkujtim për ata që u flijuan për lirinë tonë. Kjo liri nuk erdhi vetvetiu; ajo u fitua me gjak e sakrificë, një qëndresë që ka zgjatur me shekuj”, është shprehur ajo.

Në fjalën e saj, ajo përmendi edhe ish-krerët e Ushtria Çlirimtare e Kosovës, duke kërkuar lirimin e Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët po përballen me drejtësinë në Hagë. Sipas saj, ata e kanë mbrojtur popullin, ashtu si e gjithë UÇK-ja.

17/02/2026 14:42- Marshi “Drejtësi, jo politikë”, Tasholli: Lufta e UÇK-së është çlirimtare, nuk mund të zhbëhet kurrë

Ideatori dhe përfaqësuesi i platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli ka falënderuar mijëra qytetarë që i janë bashkuar Marshit “Drejtësi, jo politikë” dhe të gjitha personalitetet dhe kategoritë e shoqërisë që e kanë mbështetur këtë kauzë për drejtësi të paanshme dhe dinjitet.

Tasholli tha se drejtësia nuk mund të jetë selektive, nuk mund të jetë e dirigjuar, por duhet të jetë e drejtë, transparente dhe e barabartë për të gjithë.

“Qytetarët duan Drejtësi, Jo Politikë. E sot, nga kjo ditë e Pavarësisë, ne dërgojmë një mesazh të qartë për ata që gjenden në Hagë – për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe të gjithë të tjerët: ju nuk jeni vetë. Pas jush qëndron një popull i tanë. Pas jush qëndron historia jonë, sakrifica jonë, liria jonë. Ata nuk janë vetëm”, theksoi ai.

Ai tutje tha se lufta e UÇK-së është çlirimtare, nuk mund të zhbëhet kurrë.

17/02/2026 14:26- Marshi “Drejtësi, jo politikë”, qytetarët brohoritin “UÇK, UÇK”

Mijëra qytetarë janë mbledhur sot në sheshin “Skënderbeu” në mbështetje të ish krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po mbahen në Hagë.

Marshi është organizuar nga Platforma “Liria ka emër”.

Qytetarët në këtë marsh po brohoritin “UÇK”, UÇK”.

Në këtë marsh e pranishme është edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Në protestë po marrin pjesë edhe anëtarë e deputetë të PDK-së dhe figura tjera publike.

Në mbështetje të këtij marshi janë deklaruar edhe institucione e organizata.

17/02/2026 14:19- “Liria ka Emër”: Mesazh i ri kundër Gjykatës Speciale, 5000 emblema të UÇK-së i vendosen NEWBORN-it në Ditën e Pavarësisë

Platforma “Liria ka Emër” theksoi sot se monumenti ikonik i pavarësisë së Kosovës, NEWBORN, është shndërruar sërish në qendër të reagimeve qytetare në 18-vjetorin e shpalljes së pavarësisë.

Në një komunikatë të kësaj platforme thuhet se pas “burgosjes” simbolike me rrethoja hekuri dhe mbishkrimit “Kosova e burgosur!”, këtë mëngjes atij iu vendosën edhe 5000 emblema magnetike të UÇK-së.

“Aktivistët e platformës ‘Liria ka emër’, të cilët mbrëmë e rrethuan monumentin me hekura metalike, duke e kthyer në një imazh burgu, sot e kanë mbushur atë me emblema të UÇK-së”, thuhet në njoftim.

17/02/2026 13:56- Mitrovicasit nisen drejt Prishtinës, marshojnë në mbështetje të katërshes së UÇK-së

Tre autobusë me qytetarë nga Mitrovica janë nisur sot drejt Prishtinës për të mbështetur marshin “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të katërshes së UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, raporton KosovaPress.

Omer Ahmeti, qytetar nga Mitrovica, ka thënë për KP se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen padrejtësisht në Hagë.

“Pa faj janë duke i mbajtur në Hagë. Me bë protestë edhe për Pavarësinë e Kosovës. Ata, inshaAllah, nuk janë qysh po i mendojnë ata keq, veç inshaAllah i lëshojnë sa më parë, se nuk kanë pasur asnjë provë dhe sa më shpejt, inshaAllah, vijnë në trojet e veta, në vendin e vet, te familjet e tyre dhe të na bashkohen”, tha ai.