Dosja Epstein përmend emra të lidhur me Kosovën, shfaqet edhe Behgjet Pacolli në email-e të vitit 2012

Publikimi i dokumenteve të reja nga dosja e Jeffrey Epstein, të bëra publike nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë në faqen e tij zyrtare, ka nxjerrë në pah edhe komunikime ku përmenden emra të lidhur me Kosovën.
Email-i, i dërguar nga Konsulli i Republikës së Kosovës në Tajlandë në atë kohë, mban titullin “Kush është Behgjet Pacolli?” dhe i drejtohet Jeffrey Epstein.
Në përmbajtje, dërguesi, i identifikuar si “Daniel”, shkruan se “princesha dëshiron që ti ta shohësh këtë video”, duke bashkëngjitur një link nga YouTube, i cili aktualisht nuk është më funksional.
Në të njëjtin komunikim, përmendet edhe emri i konsulles së atëhershme të Kosovës në Tajlandë, Mom Luang Rajadasari Jayankura, e cila thuhet se ka kërkuar që materiali t’i përcillet Epstein-it.
E njëjta konsulle përmendet edhe në një email tjetër të vitit 2012, ku flitet për një takim të mundshëm në New York. Në atë email përmendet se “princesha nga Tajlanda do të jetë në Kombet e Bashkuara me presidenten e Kosovës”, duke i shprehur dëshirën për një takim gjatë asaj jave.
Edhe pse presidentja nuk përmendet me emër, në vitin 2012 presidente e Kosovës ishte Atifete Jahjaga.
Mom Luang Rajadasari Jayankura ka folur më herët publikisht për rolin e saj në lobimin për njohjen e Kosovës nga Tajlanda dhe shtete të tjera.
Në një tekst autorial, ajo përshkruan bashkëpunimin me Behgjet Pacollin, duke theksuar se ishte njohur me të në Filipine në nëntor të vitit 2011 dhe se kishte vendosur të angazhohej për mbështetjen ndërkombëtare të Kosovës.
Ajo shkruan se kishte investuar përpjekjet e saj për njohjen e Kosovës, duke e cilësuar këtë si një të drejtë legjitime të shtetit të Kosovës për të ekzistuar si entitet sovran në sistemin ndërkombëtar politik, social dhe ekonomik.
Publikimi i këtyre email-eve nuk përmban akuza penale ndaj personave të përmendur, por dëshmon për komunikime dhe kontakte që janë bërë publike në kuadër të dokumenteve zyrtare të dosjes Epstein.












































