Mbrëmjen e sotme është caktuar seancë e jashtëzakonshme e Qeverisë së Serbisë.

Dhe aty, do të marrë pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.


Sipas informacioneve, në këtë seancë do të diskutohet nëse do të ketë zgjedhje të reja apo do të zgjidhet kryeministër dhe Qeveria e re e Serbisë.

Seanca e jashtëzakonshme u paralajmërua pasi mediat raportuan se kryeministri Millosh Vuçeviq do të japë dorëheqjen.

Dhe pak më vonë ai e ka konfirmuar një gjë të tillë.

Kryeministri serb Millosh Vuçeviq ka dhënë dorëheqjen të martën pas muajsh protestash në Serbi.

Dorëheqja e Vuçeviqit erdhi vetëm një ditë pasi presidenti Aleksandar Vuçiq paralajmëroi një “rikonstrukturim urgjent dhe të gjerë të qeverisë” në përgjigje të kërkesave të paraqitura nga studentët grevistë të universitetit të Serbisë, përcjell Telegrafi.

Megjithatë, Vuçeviq tha se ai u nxit të jepte dorëheqjen të martën në mëngjes pasi pa raportime për sulme kundër studentëve protestues në qytetin e Novi Sadit.

Kujtojmë se të hënën, demonstruesit filluan një bllokadë 24-orëshe të një kryqëzimi kyç të trafikut në kryeqytetin Beograd, duke rritur presionin mbi autoritetet.

Fermerët serbë me traktorë dhe mijëra qytetarë iu bashkuan bllokadës që pasoi protesta javësh duke kërkuar përgjegjësi për një aksident vdekjeprurës në Novi Sad, të cilin kritikët e kanë fajësuar për korrupsionin e shfrenuar të qeverisë. /Telegrafi/