LAJMI I FUNDIT:
Prizreni -2° fair_night

DokuFest hap thirrjen për edicionin e radhës të shkollës së filmit “Future is Here”

DokuFest hap thirrjen për edicionin e radhës të shkollës së filmit “Future is Here”

DokuFest ka shpallur thirrjen për edicionin e 13-të të shkollës së filmit, “Future is Here”. Ky aktivitet, sipas njoftimit, çdo vit sjellë nxënës nga e gjithë Kosova në Prizren për një mundësi unike për të zhvilluar aftësitë dhe pasionin e tyre për krijimin e filmave dokumentarë.

“Kampi mbahet në Prizren nga data 2 deri më 8 janar 2025, gjatë pushimeve dimërore, ku “Future is Here’’ transformohet në një udhëtim një-javor për nxënësit të mësojnë aftësitë thelbësore të filmit: kapjen e skenave, editimin dhe lidhjen e tregimeve që reflektojnë me jetën tyre personale”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.


Pjesëmarrësit në këtë kamp, sipas DokuFestit, do të kenë mundësi të njoftohen dhe trajnohen nga profesionistë të industrisë së filmit, pastaj të eksplorojnë pajisjet e filmit dhe të punojnë ngushtë me moshatarët që ndajnë pasionin për filmbërje.

“Çdo ditë do të kemi diçka të re, nga trajnimi praktik për pajisjet që do të përdoren deri te diskutimet për teknikat e tregimit të historive. E bukura e gjithë eksperiencës është se filmat që do të krijohen gjatë kampit do të jenë pjesë e programit të filmave gjatë edicionit të 24-të të DokuFest , duke prezantuar perspektivat unike të rinisë së Kosovës”, thuhet në njoftim, raporton Telegrafi.

Përmes këtij kampi dimëror, DokuFest ka sqaruar se synon të sjellë në jetë historitë e rinisë kosovare, duke i kthyer përvojat e tyre në filma.

“Njëkohësisht, synojmë të ndërtojmë një bazë më të fortë për industrinë e filmit në vendin tonë, sidomos në fusha si montazhi, dizajni i tingujve dhe post-produksioni, ku mundësitë shpesh janë të kufizuara”, thuhet në njoftim.

Kriteret për aplikim janë që kandidatët të jenë nxënës të shkollave të mesme në Kosovë, të kenë pasion për tregimin e historive dhe aftësi të mira komunikimi në gjuhën angleze. Aplikimi sipas njoftimit mbyllet më datën 29 nëntor. /Telegrafi/