Koalicionet VLEN dhe AKI në ditën e fundit të fushatës për zgjedhjet lokale, kanë mbajtur aktivitetet e tyre finale.
VLEN në Tetovë ka mbajtur tubimin përmbyllës, prej ku Bilall Kasami, u shpreh i bindur për fitoren, duke renditur arritjet e qeverisjes së deritanishme dhe duke theksuar ndryshimet që janë bërë brenda një viti.
“Ne fituam, i dashur Izet, sepse vetëm për një vit qeverisje i sollëm 80 milionë euro investime për komunat shqiptare", deklaroi Kasami, duke iu drejtuar bashkëpartiakëve me tone optimiste dhe triumfuese.
Ai theksoi se koalicioni VLEN, me përkrahjen e Qeverisë, ka filluar të zgjidhë nevojat bazë të vendbanimeve shqiptare, të cilat sipas tij ishin lënë pas dore për më shumë se dy dekada.
Ndërsa kandidati i koalicionit AKI për Komunën e Çairit, Bujar Osmani, në rrjetet sociale ka njoftuar se ka vizituar banorët e lagjes rome.
"Kujdes të veçantë në këto zgjedhje i kushtova edhe romëve, komunitetit që e ka ndier peshën e padrejtësive. Por aty gjeta ngrohtësinë, mikpritjen dhe shpirtin e vërtetë të Çairit. Tashmë asnjë komunitet nuk e fsheh më mbështetjen për Çairin e ri, për ndryshimin që po vjen me hapa të sigurt. Sot, çdo qytetar i Çairit është bërë pjesë e një lëvizjeje që do ta kthejë komunën në duart e qytetarëve, jo të një grupi të vogël njerëzish. Fryma e re po ndihet kudo, në çdo lagje, në çdo zemër të Çairit!", ka shkruar Osmani.