Sot, më 4 Tetor, në Ditën Botërore të Kafshëve, Peja përballet me numrin e lartë të qenve endacakë që gjenden në zona të ndryshme të qytetit.

Komuna ka nisur një sërë investimesh për përmirësimin e situatës, duke përfshirë ndërtimin e një ambulance veterinare dhe një tender për pastrimin e tyre.


Në lidhje me këtë çështje, Drejtori i Bujqësisë në Komunën e Pejës, Tahir Shala, për Telegrafin ka njoftuar se komuna po bën përpjekje për t'i adresuar këto probleme përmes investimeve të rëndësishme.

2 3

Shala ka theksuar se aktualisht po ndërtohet një ambulancë veterinare me vlerë prej 100 mijë eurosh, një projekt që është në fazën përfundimtare.

"Këtë vit është duke u ndërtuar ambulanca veterinare, është në përfundim me vlerë rreth 100 mijë eurove", ka thënë Shala për Telegrafin.

Përveç kësaj, Komuna e Pejës ka shpallur tender për një periudhë trevjeçare për pastrimin dhe menaxhimin e qenve endacakë, me një buxhet prej 300 mijë eurosh.

1 6

"Kemi shpallur tender për rreth tre vite në vlerë prej 300 mijë euro për pastrimin e qenve endacakë të cilët gjenden kudo në Pejë", ka përfunduar Shala.

Me ndërtimin e ambulancës veterinare dhe implementimin e tenderit për menaxhimin e qenve, pritet që situata të përmirësohet, duke siguruar një mjedis më të sigurt si për qytetarët ashtu edhe për kafshët.