“Distancohemi nga veprimet e tilla”, Shkupi me komunikatë zyrtare pas ndodhive në derbin shqiptar ndaj Shkëndijës

Klubi shqiptar nga Maqedonia e Veriut, FC Shkupi ka reaguar me një komunikatë zyrtare pas ndeshjes së shumëpërfolur të mesjavës ndaj Shkëndijës së Tetovës.
Dy klubet shqiptare që luajnë në kategorinë elitare të Maqedonisë, Shkupi dhe Shkëndija luajtën baras 1-1 në ndeshjen e vlefshme për javën e 17-të.
Megjithatë, ndeshja u përcoll me eksese të mëdha, ndërsa pas ndeshjes reagoi klubi tetovar duke thënë se vetëm futboll nuk kishte, pasi ndarje e drejtësisë nuk ishte në nivel dhe tifozët vendas gjuajtën me gjësende të ndryshme drejt stafit dhe lojtarëve të Shkëndijës.
Por, i këtij mendimi nuk është edhe klubi nikoqir nga Çairi, Shkupi, i cili gjithashtu ka reaguar me një komunikatë zyrtare ku sqaron të gjitha ngjarjet e ndodhura në ndeshjen me klubin nga Tetova.
Shkupi distancohet nga të gjitha veprimet e tilla dhe nuk përkrah në asnjë rast këto veprime, të cilat i cilësojnë si vështirë të kontrolluara.

















































