Diskrepancë në të dhëna, Muharremi ngre dilemën: A i kemi importuar 186.7 milionë apo 126.2 milionë euro energji në janar-mars 2025?

Njohësi i politikave ekonomike, Shenoll Muharremi ka analizuar të dhënat e energjisë për tremujorin e parë të këtij viti.
Muharremi në një postim në Facebook shkruan se për tremujorin e parë të 2025-së, importi i energjisë del 1,123,197 MWh sipas ASK-së, ndërsa 758,388 MWh sipas Doganave.
Lexoni të plotë postimin e tij në Facebook:
Sektori i energjisë, tregtia e energjisë, është bërë diçka e dyshimtë në sytë e publikut të Kosovës sepse nuk ka qartësi dhe nuk ka qasje në të dhëna zyrtare. Kjo, posa të konstituohet Kuvendi, duhet me u hetu nga deputetët e Kosovës, të cilëve askush nuk duhet me ju pamundësu qasjen në të dhënat dhe dokumentet zyrtare.
Për këtë i kam shiku përsëri të dhënat e importit të energjisë për tremujorin e parë të vitit. Shpresoj që i kam mirë, jam mundu mos me bë lëshime, edhe pse kam përdorë shumë të dhëna komplekse nga institucione të ndryshme.
Një gjë që nuk e ndihmon fare rastin është edhe diskrepanca e thellë mes të dhënave të ASK-së dhe Doganave. Si ka mundësi me pas kaq shumë dallime në të dhëna? Kjo nuk po ndodh vetëm mes Doganës dhe ASK-së, por edhe në punësim po shohim diskrepanca të jashtëzakonshme mes ATK-së, Trustit dhe ASK-së. Këto duhet me u adresu dhe me u rregullu.
Për tremujorin e parë të 2025-ës, importi i energjisë del 1,123,197 MWh sipas ASK-së, ndërsa 758,388 MWh sipas Doganave. Dallimi është i thellë, pra 364,809 MWh. Kjo, nëse përkthehet në koston mesatare të importit të energjisë (sipas Doganës), i bie rreth €60,441,237 dallim për tre muaj vetëm.
Është jashtëzakonisht me rëndësi që me pas të dhëna të sakta dhe kredibile, për shkak se kjo e rrit besimin e publikut në statistikat kombëtare publike, por edhe në sektorin e energjisë.
Nëse ASK thotë që kemi pasur rreth 1,123,197 MWh import, ajo e ka vlerën rreth €186,684,998.44. Ndërsa nëse Doganat thonë që kemi pasur 758,388 MWh, ajo vlerë është rreth €126,243,760.70.
Dallimi? 60 milionë euro.
p.s. Gjatë prillit, sipas open-data të Doganës kemi importuar rreth 117,167 MWH energji me kosto 13,771,390.13 EUR. Kjo e sjellë totalin e importit për janar, shkurt, mars dhe prill në 875,554.53 MWh dhe rreth 140,015,150.83 EUR.
E me të dhëna të ASK, kjo vlerë shkon rreth €200 milion për katër muaj”. /Telegrafi/







































