Nga: Kelly Grovier / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Diçka po lëviz! Javët e caktuara sjellin lajme për ndonjë zbulim sensacional në botën e artit – për piktura të fshehura nën piktura të tjera dhe pamje të zhdukura që dalin në pah nën ngjyrat e kryeveprave të cilat mendonim se i njihnim në çdo detaj. Vetëm në muajin e fundit, janë zbuluar figurat misteriozet të mbërthyera nën sipërfaqen e veprave të Titianit dhe Picassos. Por, çfarë duhet të mendojmë për këtë koleksion në rritje të vështrimeve sekrete – këto prani të padukshme që njëkohësisht na magjepsin dhe na shqetësojnë?
Në fillim të shkurtit u mësua se studiuesit në Laboratorët e Karakterizimit të Artit – në Institutin e Qipros – duke përdorur teknologji të avancuar dhe një skaner të ri multimodal që kombinon teknika të ndryshme, kishin konfirmuar ekzistencën e një portreti të përmbysur të një burri me mustaqe që mban një penë – i fshehur nën pikturën Ecce Homo (1570-‘75) të mjeshtrit të Rilindjes italiane, Titian. Në sipërfaqen e saj, kjo pikturë e Titianit paraqet Jezusin e lodhur dhe të lidhur me litarë, duke qëndruar përkrah Ponc Pilatit, guvernatorit romak që do ta dënojë me vdekje. Por, çfarë kërkon këtu ky qatip misterioz, i fshirë dhe anakronik, dhe çfarë po përpiqet të na thotë?

Prania e portretit të fshehur, që shfaqet thuajse i padukshëm mes krakelirit – krisjeve joshëse që krijohen në kryeveprat e vjetra – u përshkrua për herë të parë nga historiani i artit Paul Joannides, ndërsa rëndësia e tij për narrativën e sipërfaqes është më shumë se rastësore. Edhe pse identiteti i figurës që të huton mbetet i panjohur, është e qartë se ai ka ndikuar në kompozicionin dramatik nën të cilin është mbuluar në 450 vjetët e fundit. Analizat në Qipro, të materialeve të shtresave të pikturës, kanë treguar se vijat e fytyrës së figurës së fshehur kanë ndikuar në formën e litarëve që lidhin duart e Jezusit – duke krijuar një harmoni midis kompozicioneve të njëpasnjëshme, megjithëse të kundërta.
– Lexo po ashtu: Ndikimi i Ticianit në artin e shekullit XVI
Kjo ndjesi e bashkëpunimit të heshtur midis shtresave të ngjyrës – midis asaj që është aty dhe asaj që ka qenë – është edhe më e dukshme në fytyrën e fshehur të një gruaje që është zbuluar nga restauruesit në Institutin e Artit “Courtauld” në Londër, nën një pikturë nga periudha Kaltër e Picassos – një portret i mikut të tij, skulptorit Mateu Fernández de Soto. Gjithashtu, zbuluar me anë të teknologjisë infra të kuqe, portreti i gruas ende të paidentifikuar është realizuar në një stil më të hershëm, më impresionist dhe, kur bëhet i dukshëm, duket sikur po pëshpërit diçka në vesh de Sotos – sikur e kaluara dhe e tashmja janë shkrirë në një moment të vetëm të pezulluar.
– Lexo po ashtu: Periudhat e krijimtarisë së Picassos

Në shumicën e rasteve, këto portrete të fshehura janë thjesht hijet e kompozicioneve të refuzuara që nuk kishim menduar kurrë se do t’i shihnim – dhe nuk do të mundeshim, po të mos ishte ndihma e mjeteve të avancuara të imazherisë, të cilat u mundësojnë ekspertëve të shohin poshtë shtresave të ngjyrës pa dëmtuar sipërfaqen e një vepre. Rrezet X zbulojnë skica të fshehura, ndërsa reflektografia infra e kuqe është në gjendje të nxjerrë në pah detaje të imta të maskuara nga llaku i vjetër mbrojtës – detaje të cilat, pasi zbulohen, është e pamundur të injorohen. Sapo këto portrete bëhen të dukshme, ato kërkojnë vëmendje. Më poshtë është një përmbledhje e disa prej portreteve më intriguese dhe misterioze – shumë shpesh autoportrete – që janë zbuluar duke “lëvizur” nën kryevepra të njohura: prani shqetësuese që mbeten përgjithmonë shumë afër dhe shumë larg nesh.
Plaku me Uniformë Ushtarake (1630-’31) nga Rembrandt
– Lexo po ashtu: Leonardo vs Rembrandt: Cili është më i madhi?
Kur mendojmë për Rembrandtin, zakonisht na vjen në mendje ai univers i errët, i përjetshëm, ku personazhet e tij qëndrojnë jashtë kohës – një skenë e përjetshme e krijuar nga qymyri dhe nuancat e errëta ngjyrë dheu. Ajo që nuk na vjen në mendje janë të gjelbrat dhe të kuqet që shpërthejnë hapësirën me energji dhe gjallëri. Por, pikërisht këtë zbuluan studiuesit kur nënshtruan veprën e mjeshtrit holandez, Plaku me uniformë ushtarake, ndaj një analize me makro rreze X fluorescente (MA-XRF) dhe me reflektografi infra të kuqe. E fshehur nën këtë meditim mbi vdekshmërinë, një fantazmë e shkujdesur rinore intensifikon thellësinë e kësaj kryevepre.
Shën Katerina e Aleksandrisë (1615-‘17) nga Artemisia Gentileschi
– Lexo poashtu: E keqtrajtuar, e përbuzur dhe e harruar: Mallkimi që ndjek Artemisia Gentileschin!
Disa piktura, sa më shumë i shohim, aq më pak dimë për to. Merreni si shembull portretin e Shën Katerinës së Aleksandrisë nga Artemisia Gentileschi, pikturuar në vitin 1619. Një analizë me rreze X, e kryer në vitin 2019 mbi këtë vepër të artistes së njohur të barokut italian, zbuloi se ajo e kishte nisur këtë punë si një autoportret i cili ngjason shumë me një tjetër pikturë të saj me titull të ngjashëm, Autoportret si Shën Katerina e Aleksandrisë, nisur rreth vitit 1615. Dallimi midis fytyrave të të dyja pikturave është i madh, por studiuesit tani besojnë se vepra përfundimtare – e cila zëvendëson një turban me një kurorë dhe një vështrim depërtues me një shikim të devotshëm qiellor – përzien elemente të fytyrës së vetë artistes me ato të Caterina de’ Medicit, vajzës së Dukës së Madh Ferdinando de’ Medici, e cila kishte porositur veprën. Rezultati është një dëshmi se, ndonëse një artist mund të lërë pas një pikturë, piktura nuk mund ta lërë kurrë plotësisht pas artistin.
Baku (c. 1596) nga Caravaggio
– Lexo po ashtu: Martirizimi i Shën Ursulës: Pikturat e dhunshme të Caravaggios, si frymëzim për kinematografinë
Caravaggio nënshkroi vetëm një pikturë gjatë jetës së tij, dhe këtë e bëri në mënyrë makabre me një shkrim me gjak në fund të veprës më të madhe që krijoi ndonjëherë, Prerja e kokës së Shën Gjon Pagëzorit (1608). Por, ky nuk ishte i vetmi rast kur mjeshtri italian e përfshiu veten në veprat e tij. Në vitin 2009, studiuesit, duke përdorur reflektografi të avancuar depërtuan në sipërfaqen e portretit të tij të Bakut, perëndisë romake të verës, dhe nxorën në dritë një autoportret të vogël dhe të fshehur, të vendosur brenda reflektimit të një bokalli (një detaj pothuajse i subkoshiencës të cilin restaurimet e mëparshme e kishin fshirë pas zbulimit fillestar në vitin 1922). Ky autoportret i çuditshëm, i shtrembëruar dhe gati i padukshëm i fshehur brenda enës së verës, është çelësi i kuptimit të veprës, duke përforcuar temën e iluzioneve të dehura dhe identiteteve të ndryshueshme të cilat janë qendrore në pikturën e Caravaggios.
Fijet e barit (1887) nga Vincent van Gogh
– Lexo po ashtu: Përmbysja e miteve: Van Goghu nuk vdiq si një gjeni i lënë pas dore
Një shekull para se regjisori i madh David Lynch të trondiste shikuesit duke i çuar nën një lëndinë periferike për të zbuluar çfarë fshihej nën dheun e saj – në filmin Kadifeja e kaltër [Blue Velvet, 1986] – Vincent van Gogh ishte i zënë duke varrosur gjëra nën Fijet e barit. Me ndihmën e rrezeve X me intensitet të lartë të një përshpejtuesi grimcash, studiuesit arritën të nxjerrin në dritë një portret të zymtë të një gruaje fshatare, të cilën artisti e kishte pikturuar vite më parë. Ky zbulim është një tjetër dëshmi se, kur bëhet fjalë për Van Goghun, pavarësisht se sa e thjeshtë mund të duket një vepër, gjithmonë ka diçka që lëviz nën sipërfaqe.
Vajza duke pudrosur fytyrën (1889-‘90) nga Georges Seurat
– Lexo po ashtu: Dhjetë veprat e mia të preferuara të ekspozuara në Luvër
Në shikim të parë, Vajza duke pudrosur fytyrën është një reflektim lozonjar mbi mënyrën se si subjekti dhe stili ndërthuren. Këtu, Georges Seurat përdor teknikën e tij revolucionare pointiliste, me një mori pikash të vogla, për të portretizuar të dashurën e tij, Madeleine Knobloch, ndërsa ajo shpërndan një re pudre mbi fytyrën e vet. Pikat e ngjyrës duket sikur vërtiten në ajër – metaforikisht duke pudrosur cilindo që ndalet për ta parë. Këto pika të vendosura me mjeshtëri, në të njëjtën kohë zbulojnë dhe fshehin, duke krijuar një botë vetëm sa për ta mbuluar atë sërish. Kjo ndjenjë e zhdukjes bëhet edhe më e fuqishme me zbulimin e një autoportreti të fshehur – të vetmit të njohur deri më sot nga Seurati – i cili dikur gjendej në dritaren e hapur, por që ai më vonë e mbuloi me një tjetër grumbull pikash, këtë herë duke paraqitur një vazo me lule.
Portreti i një vajze (1917) nga Modigliani
– Lexo po ashtu: Modigliani i keqkuptuar
Disa njerëz refuzojnë të harrohen, pavarësisht sa shumë përpiqesh t’i fshish nga kujtesa. Portreti i një vajze, nga Amedeo Modigliani, është një shembull mbresëlënës i kësaj. Disa studiues dyshojnë se portreti i plotë i një gruaje, i fshehur nën imazhin e dukshëm, mund të jetë një paraqitje e një ish-të dashure me të cilën Modigliani kishte ndërprerë marrëdhënien një vit më parë. Në vitin 2021, dy doktorantë në Universitetin e Londrës përdorën inteligjencën artificiale për të rikonstruktuar këtë portret të fshehur i cili ngjason dukshëm me muzën dhe ish-të dashurën e Modiglianit, Beatrice Hastings. Megjithëse identiteti i të dy grave – si ai në sipërfaqe ashtu edhe ai i fshehur – mbetet i pasigurt, shtresëzimi i tyre forcon temën e fshehjes dhe maskimit në punën e Modiglianit.
Stina e pestë (1941) nga René Magritte
– Lexo po ashtu: Vepra enigmatike: Magritte dhe fuqia subversive e një llulle
Në veprën e tij La Cinquième Saison (1941), René Magritte paraqet në profil dy burra pothuajse identikë, të veshur me kostume të errëta dhe kapele – elemente që shpesh simbolizojnë alter-egon e artistit në pikturat e tij. Të dy burrat mbajnë nën krahë piktura të vogla të kornizuara, ndërsa ecin drejt njëri-tjetrit. Lëvizja e tyre sugjeron jo aq një përplasje të pashmangshme, sa një shmangie – një eklips, teksa një figurë dhe një pikturë rrëshqasin pas tjetrës. Duket gati e paracaktuar që kjo vepër – një pikturë mbi piktura – të zbulonte, përmes reflektografisë infra të kuqe, një pikturë tjetër të fshehur poshtë saj: një portret të një gruaje misterioze, e cila njëkohësisht ngjan shumë me gruan e artistit, Georgette, por njëkohësisht ka tipare krejtësisht të veçanta. Ky zbulim vetëm sa thellon temat e dualitetit enigmatik në punën e një artisti të njohur për imazhet e tij ngacmuese. /Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
“Diçka po lëviz nën sipërfaqe": Çfarë zbulojnë “fantazmat” e fshehura brenda kryeveprave të pikturës!

Survejimi i pesë shkrimtarëve të Kosovës, gjatë qëndrimit në Shqipëri në vitin 1973

Fundi tragjik i intelektualit Qemal Draçini: Para se të vdiste nga torturat, thërriste nënën ...

Princi i zi i politikës: 50 thënie të Makiavelit

GJUHA SHQYPE
Tetë perandorët më të përgjakshëm të historisë së Romës

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Mashtrimi me pension invaliditeti në Zvicër, gruaja nga Kosova përfitoi pa të drejtë 173 mijë franga

Egli tha se nuk e njeh, kundërpërgjigjet Xheneta: E di shumë mirë se kush jam

Mbyllja e qendrave ilegale për punë sociale në veri, analistët paralajmërojnë për raportet me SHBA-në

Zelensky: Kemi nevojë për 20 sisteme raketore Patriot, do t’i paguajmë

E zgjodhi për ta rikthyer në lojë, G Bani tani ndërron mendim për Gjestin - e quan lojtar të shkëlqyer

Merz përjashton edhe një herë koalicionin me AfD - pasi Weidel thotë se duart e saj janë 'zgjatur' për t'u bashkuar me një qeveri