Dhoma e Tregtisë jep alarmin: Bizneset po mbyllen - importi po rritet ndjeshëm nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës (DhTIK) ka shprehur shqetësimin e saj të thellë për krizën e thelluar që po godet sektorin minerar dhe shumë sektorë të tjerë, si rezultat i bllokadave institucionale dhe mungesës së vullnetit për zgjidhje të shpejtë.
Sipas Dhomës, zvarritja në themelimin e Zyrës për Menaxhimin e Pronës Publike pranë Zyrës së Kryeministrit dhe, së fundmi, mosgatishmëria e Ministrisë së Bujqësisë për të ndryshuar Udhëzimin Administrativ për Qiranë e Pyjeve dhe Tokës Pyjore, po pengojnë vazhdimin e licencave për dhjetëra kompani, duke paralizuar sektorin minerar.
DhTIK thekson se vonesat institucionale janë duke prodhuar pasoja të rënda: bizneset po mbyllen, punëtorët po mbesin pa vende pune, buxheti i shtetit po humb miliona euro dhe importi i materialeve bazë po rritet ndjeshëm, duke dëmtuar industrinë vendore.
Në një reagim të drejtpërdrejtë, Dhoma ka kërkuar takim urgjent me Ministrinë e Bujqësisë dhe me Kryeministrin në detyrë, mirëpo deri më tani nuk ka pranuar asnjë përgjigje zyrtare.
Të dhënat e Doganës së Kosovës konfirmojnë përmasat e krizës: në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, importi i zhavorrit nga Serbia dhe Maqedonia ka arritur mbi 676 mijë euro, krahasuar me 430 mijë euro për të gjithë vitin 2024 – një rritje që tregon për mungesën e reagimit institucional dhe nevojën për veprim urgjent.
Dhoma paralajmëron se nëse nuk merren masa të menjëhershme, pasojat do të jenë edhe më të mëdha dhe të parikuperueshme për ekonominë vendore./Telegrafi/

















































