Në një kohë të trazirave të mëdha në Amerikën e Jugut, kleri - në disa vende të prekura nga puçet - ka mbrojtur qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike. Megjithatë, Argjentina ishte një përjashtim: aty p.sh. Christian Von Wernich - një prift i krishterë i Policisë Provinciale të Buenos Airesit, që udhëhiqej nga gjenerali Ramon Campsa nën pushtetin e Jorge Rafael Videlit, mes viteve 1976 dhe 1983 - personalisht ka marrë pjesë në likuidim dhe tortura.

Ky prift tashti po vuan një dënim me burg të përjetshëm për rolin e tij në "Luftën e ndytë”, në të cilin rreth 30 mijë njerëz u zhdukën në Argjentinë. Shoqata “Plaza de Mayo” ende kërkon drejtësi për ta, dhe madje në një moment e kanë ftuar Bergoglion për të dëshmuar në procesin e dhimbshëm që kishte të bënte me rrëmbimin e foshnjave dhe të shtatzënave socialiste. Ata dyshojnë Papa i ri - Françesko i I-rë - ka informata për këtë dhe se ka marrë pjesë në këto krime.


Bergoglio kishte mbështetur publikisht diktaturën ushtarake, të cilën më vonë e kishte justifikuar me "pragmatizëm politik".

Që nga viti 1973 e deri më 1979, Bergoglio kishte udhëhequr një rend jezuit, një pjesë e së cilës u pajtua me diktaturën. Përfshirjen e tij në rrëmbimin e dy priftërinjve më 1976, që kanë punuar në lagjet e varfra (për të cilën ka shkruar Reuters), e ka përshkruar gazetari Horacio Verbitsky në librin “Heshtja”. Ai kishte folur me Orlando Yorin, një nga jezuitët e rrëmbyer. Të dy të rrëmbyerit kanë mbijetuar.

"Historia e gjykon. E denoncon si një person i cili ishte shumë i afërt me ushtrinë”, ka thënë Fortunato Mallimacci, ish-dekan i Universitetit të Buenos Aires.

Kur në vitin 2005 u profilizua si një kandidat për të pasuar Papa Gjon Palin e II-të, janë aktualizuar rrëfimet për dyshimet për përfshirjen e tij në krimet e kryera nga diktatura ushtarake.

Kundër tij është ngritur edhe akuza për përfshirjen e tij në rrëmbimin e dy priftërinjve më 1976. Atëherë zëdhënësi i Bergogliovit ka thënë për Associated Press se fjala është për "shpifje të vjetra”. Ata që e mbrojnë Papën e ri thonë se ai ka fshehur shumë individë që arratiseshin nga ushtria. /Telegrafi/