Dështon seanca urgjente e Kuvendit të Gjilanit për dhënien në shfrytëzim të pronës publike për Universitetin “Kadri Zeka”, opozita nuk merr pjesë
Dështon të mbahet seanca urgjente e Kuvendit të Gjilanit për të votuar dhënien në shfrytëzim të pronës publike për universistetin publik “Kadri Zeka”.
Në mungesë të korumit seanca ka dështuar, ndërsa kryetari Hyseni i ka propozuar kryesuesit Kadriu me shefat e grupeve të partive politike në Kuvend, ku pjesëmarrës do të jetë edhe rektori i këtij Universiteti, Artan Dërmaku, për t’u dakorduar për mënyrën se si duan ta ftojnë seancën.
"Po i bëjë ftesë përfaqësuesve të subjekteve politike në Gjilan që sot ta mbajmë një takim, ku i ftuar do të jetë edhe rektori i Universitetit "Kadri Zeka", Artan Dërmaku, dhe të dakordohemi për mënyrën se si duan opozita ta ftojmë seancën", ka thënë Hyseni.
Ndryshe, edhe rektori, Artan Dërmaku, në 12 vjetorin e themelimit e këtij universiteti bëri të ditur se një nga sfidat kryesore për universitetin mbetet infrastruktura.
“Ne kemi bërë kërkesa të vazhdueshme për kampusin e universitetit, i cili është shumë i nevojshëm që ky universitet të mund të zhvillohet me programe të reja. Sepse pa infrastrukturë, ne nuk mund të zhvillohemi”, potencoi ai. /Telegrafi/






























