Në protestën e organizuar nga shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së, kundër ekspozitës “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, ka folur edhe veteranja e UÇK-së, Aida Dërguti.

Sipas saj, si rezultat i këtyre shpifjeve u ndërtuan edhe procese gjyqësore, vendore dhe ndërkombëtare.


“Ka kaluar një çerekshekulli nga përfundimi i luftës, e rrëfimet e shtrembëruar dhe shpifjet nuk kanë të ndalur. Si rezultat i këtyre shpifjeve u ndërtuan procese gjyqësore vendore e ndërkombëtare”, tha ajo.

Dërguti ka shtuar e nuk do të lejojnë që sot të poshtërohen e nëpërkëmbën viktimat e luftës.

“Poshtërimi u ekspozua në shesh, na u shfaq një falsifikim i qëllimshëm që minimizon vuajtjet e popullit tonë. Çdo përpjekje për ta relativizuar faktin historik nuk i shërbejnë kujtesës, ajo vetëm krijon konfuzion mbi të vërtetën historike. Ne si veteran ndihemi keq që gjatë luftës nuk mundëm të mbrojmë krejt popullatën civile, mirëpo sot nuk lejojmë të poshtërohen këto viktima nga kushdo që në kohën e luftës ishte larg ngjarjeve të luftës e masakrave ndërsa sot përdorë referenca nga Serbia”, u shpreh Dërguti.

Ajo ka thënë se autorët e këtij shtrembërimi mbajnë përgjegjësi direkte bashkë me akterët politikë që e mundësuan atë.

“Autorët e këtij shtrembërimi mbajnë përgjegjësi direkte bashkë me akterët politikë që e mundësuan atë. Barra bie njëjësojë mbi çdo zyrë që përdori fonde publike për të financuar një përmbajtje të tillë”, u shpreh Dërguti. /Telegrafi/