Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, ka dalë kundër qëndrimit të partisë së tij në lidhje me projektligjin për pagën minimale dhe përfitimet e veteranëve të luftës.
Humolli thotë se vet ministri i Financave ka potencuar se nga ky ligj do të largohen veteranët e luftës.
“Nëse ministri nuk do të kishte potencuar se nga ligji largohen veteranët e luftës, ai do të kishte kaluar pa ndonjë problem të madh”, deklaroi deputeti në RTV Dukagjini, përcjell Telegrafi.
Ai shton se ministri i Financave e ka politizuar këtë ligj.
“Implikimi i veteranëve në çështjen e pagës minimale është një politizim. Po krijohet përshtypja se veteranët e luftës janë pengesë për punëtorët. Ky është një veprim i padrejtë nga grupi ynë parlamentar dhe ministri Murati. Ministri po sillet më një gjakftohtësi ndaj veteranëve të luftës. Unë e kam obligim të jem në krah të veteranëve edhe nëse ata bëjmë gabime apo sjellje jo të mira. Qeveria nuk i ka sqaruar veteranët për këto ndryshime”.
Deputeti i shumicës thotë se veteranët nuk kanë përgjegjësi për rritjen e numrit të tyre nga Komisioni Qeveritar.
Ai thotë se çështja e veteranëve nuk mund të konsiderohet vetëm si çështje teknike.
“Ne jemi njerëz të gjallë që jetojmë dhe nuk mund të konsiderohemi vetëm si çështje teknike”, deklaroi Humolli./Telegrafi/