LAJMI I FUNDIT:

Deputetë apo njerëz që zbaviten me politikën?

Deputetë apo njerëz që zbaviten me politikën?

Besoj se ka qenë e mjaftueshme koha lineare dhe intensive e zhvillimeve të këtij mandati parlamentar, që tashmë është drejt përfundimit, për të nxjerrë ca konkluzione koherente, mësime politike dhe intelektuale. Jo vetëm për të vlerësuar publikisht performancën institucionale dhe individuale, por dhe për një rishikim të kritereve, se cila ka qenë dhe cila duhet të jetë tipologjia “vertikale dhe horizontale” e deputetëve, si përfaqësues të popullit në Parlamentin shqiptar. Tashmë që pothuaj jemi në prag të zgjedhjeve të reja, jo vetëm partitë politike dhe lidershipi vendimmarrës, por dhe qytetarët (jo thjesht si votues, por si zgjedhës), kanë të drejtë të kenë të shfaqin mendimin e tyre për cilësitë institucionale të këtij mandati dhe performancën individuale të çdo deputeti. Është koha për të dalluar nominalisht performancën parlamentare të deputetëve, qoftë si “grup social” apo staturë politike e kulturore individuale. Vërejtjet, pakënaqësitë për nivelin e angazhimit politik dhe përgjegjësinë e tyre publike, qytetarët e kanë shprehur edhe publikisht, në rrugë formale publike e mediatike, por sidomos në mënyra informale, në debatet e shumta në ambiente të jetës urbane e private.

Në këto kushte është e natyrshme, e pritshme të shpresojmë që do të këtë një reflektim thelbësor, jo për zgjedhjen, por për përzgjedhjen cilësore të deputetëve të rinj. Le të urojmë për të pasur një “mizurë” të re të përzgjedhjes së deputetëve, duke vlerësuar cilësitë njerëzore, sociale, humane e intelektuale, qoftë në aspektin e autoritetit individual “vertikal” apo të cilësisë “horizontale”, që lidhet me strukturimin cilësor të grupeve politike respektive. Por, kjo nuk bëhet, nuk mund të ndodhë, nëse nuk kemi nxjerrë mësime, më saktë, nëse lidershipet e partisë nuk kanë ndryshuar “aksiologjinë” e konceptit politik vlerësues të vlerave të domosdoshme të deputetit. Jo thjesht dhe vetëm si militant, por së pari e mbi të gjitha si “homo politicus”, duke bërë në të njëjtën kohë “bllokadë” për tipologjinë e deputetit apatik, të “verbuar politikisht”, “aksidental”. Që gjatë këtij mandati ka qenë i strukturuar nga një grup deputetësh “vegjetues”, që janë paguar si pjesë e strukturës formale apo thjesht si “karton militantesk”.

Është koha që kërkon konceptim modern për politikën në përgjithësi dhe deputetët si “aktorë” interpretues, realizues të saj. Sepse në përzgjedhjen e deputetëve, qoftë në listat e “mbyllura” apo të “hapura”, duhet të mbahet në konsideratë, e vërteta universal, që politika nuk është “lojë për kalamaj”, as “mjet për kënaqësi vanitoze” të njerëzve, të cilëve nuk u “ngjit kostumi” politik. Politika është diçka serioze, jo “teatër absurd”, që e kanë në dorë thjesht “regjisorët” që caktojnë “aktorët” në mënyrë rastësore.


Nëse partitë politike nuk kanë nxjerrë mësime, nga cilësia e pamjaftueshme e një pjese të deputetëve aktualë, atëherë kjo do të thotë se politika nuk e ka ndjerë “tingullin e kohës”, nuk pranon të reflektojë, për të shëruar këtë patologji që nuk është formale, por me kosto sociale, politike e financiare. Qytetarët herë pas here e kanë shprehur hapur pakënaqësinë, me shumë parlamentarë të evidentuar si të paaftë, formalë, grindavecë, pa ide, me kulturë të cunguar. Ata jo vetëm duhet të largohen nga Parlamenti i ardhshëm, por në mënyrë intransigjente u duhet mbyllur rruga stratagjemave dinake e oportuniste të penetrimit, jo vetëm të deputetëve ekzistues, por dhe “mëtonjësve” të ngjashmëve me ta.

Kemi nevojë për një mendim të ri, në përzgjedhjen e deputetëve për mandatin e ardhshëm. Por, që të ndodhë kjo, është ultimative të ndryshohet tradita e vjetër e përzgjedhjes së tyre. Nuk mjafton të vlerësohet vetëm vendosmëria militante, apo bravura e “stoicizmit politik”, nëse deputetit i mungojnë ato kualitete, cilësi e virtyte politike e humane, që janë parakushte të domosdoshme për staturën individuale, formatin e personalitetit të veçantë të deputetit, si condit sine qua non për të pasur edhe angazhimin militant, por edhe pavarësinë e nevojshme, që buron prej personalitetit koherent, dijes personale, kulturës politike, aftësisë së gjykimit intelektual.

Problemi shtrohet qartë: cilët do të jenë deputetët e ardhshëm? Cilat interesa do jenë prioritare për partitë politike në këto zgjedhje: interesat e zgjedhësit apo dëshirat, kërkesat subjektive për privilegje personale të të zgjedhurit politik si individ? Shpesh herë në listat e deputetëve ka pasur individë, që në jetën publike, intelektuale e sociale kanë qenë “askushi”. Për këta tipa, edhe sikur të “penetrojnë” në lista dhe të bëhen deputet, kjo nuk i jep asnjë kuotë sociale në vlerësimin e personalitetit, duke mbetur thjesht një “anonim” që synon bëhet i “shquar” artificialisht, në mënyrë abuzive e parazitare përmes mandatit parlamentar të pamerituar, duke shpresuar për një lloj “karizme kalimtare” politike. Ky është synimi. E diskutojmë këtë problem, jo si qëllim në vetvete, por për shkak se koha, realiteti, dhe sociologjia politike, kanë vërtetuar shumë herë me fakte e argumente historike e aktuale, se problemet e jetës politike janë të lidhura në mënyrë të pashmangshme me cilësinë e politikanëve që e bëjnë atë.

Është e sigurt. Tani pas tri dekadave e gjysmë kemi një qytetar më reflektues, kritik për përzgjedhjen e klasës politike, që synon “bordin e drejtimit” të politikës, shtetit dhe shoqërisë. Në këto kushte partitë, para se të hartojnë listat e “hapura” apo të “mbyllura”, duhet të jenë të bindura që elektorati është “alert” dhe kritik për zgjedhjet e ardhshme, dhe me siguri që do reagojë individualisht, apo si pjesë e shoqërisë civile, për “cilësinë e atyre që do zgjidhen”. Është e papranueshme për kohën e sotme, të zhvilluar kulturalisht të kërkosh apo të zgjedhësh politikanë, që janë prototipa socialë të diskutueshëm në publik, të deformuar nga koha, të papërshtatshëm për dialektikat e politikës së kohës postmoderne. Sociologët politikë kur vlerësojnë situata të tilla, me të drejtë thonë, se nuk ka politikë konsekuente pa bërë “flijime politike”. Pikërisht të atyre që nuk e justifikojnë statusin e politikanit

Zgjedhjet e këtij viti janë politike dhe patjetër që duhen vlerësuar politikisht. Kjo do të thotë se përzgjedhja e deputetëve të ardhshëm, duhet të bëhet me parametra të rinj më cilësorë, duke vlerësuar nevojën për politikanë dhe jo individë ambiciozë, apo qoftë edhe të përzgjedhjes nën “presionin” dhe logjikën sempliste të fitores me çdo kusht. Nuk e di sa do munden partitë politike, të rregullojnë raportet kontradiktore, marrëdhëniet e interesave midis objektivit të fitores në zgjedhjet politike përballë kërkesave, dëshirave, presioneve, manipulimeve, “zgjidhjeve personale”. Presidenti Obama, ka thënë se, për politikanin nuk mjafton vetëm ambicia politike personale.

Pretendimi për cilësi të garantuar të deputetëve të ardhshëm, është imperativë, sepse tani nuk është koha e “politikës klasike” e bërë nga politikanë dogmatikë, por kërkohet “mënyrë menaxheriale” e bërjes së saj. Kjo kërkon tjetër tipologji politikani. Por këtë aftësi nuk e kanë ata që kanë vetëm besnikëri politike e që shfaqin militantizëm arkaik butaforik, por njerëz që kanë kapacitete, njohuri, aftësi, që janë kulturalisht të orientuar. Politikës si llafologji i ka ikur koha. Ata që pretendojnë të jenë deputetët e ardhshëm, duhet t’i matin mirë forcat e tyre, sepse nuk ka më vlerë politika e “zbrazur nga brenda”.

Koha e mandatit që po mbyllet me këtë nivel jo të kënaqshëm politik, elektoral e kulturor, sociologjikisht është një nga treguesit e padyshimtë të krizës së klasës politike. Në kuptimin politik, moral, social e kulturor. Kjo është njëra nga arsyet pse në shoqërinë shqiptare, sot në mënyrë evidente ka rënë respekti për politikën dhe politikanët. Ndoshta është e domosdoshme që ata që ishin deputetë, apo ata që aspirojnë të zënë karriget e Parlamentit, duhet të kenë një vështrim kritik për raportin midis kërkesave politike dhe aftësisë së tyre personale. Duhen parë gjërat në thellësinë e tyre dialektike, të lidhjes midis politikës si ontologji specifike e lidhur me nevojat e konteksteve tona, nga njëra anë dhe nivelin e lartë të interpertimit nga aktorët politikë, qoftë si politikanë profesionistë apo deputetë.

Koha kërkon një ekuacion të ri, më dinamik në lidhje me njerëzit politikë që zgjidhen në Parlament apo institucionet e rëndësishme të jetës publike. Sot duhet kuptuar se shoqëria shqiptare është në fazën më intensive, kur ka nevojë jo për politikë empirike pa kualitetet e duhura, por për “politikë të bazuar në dije”. Politika është mision publik. Deputetët nuk zgjidhen për vete, por për të mirën e përgjithshme. Besoj se një pjesë e deputetëve aktualë e dinë, që përballë kritereve të reja të meritokracisë politike, janë në “pikëpyetje elektorale”. Qoftë ata të evidentuar herë si të paaftë e parazitarë, por edhe ata të “velurit” nga enumeracioni i pandërprerë i mandateve të deputetit, dikur aktivë e tashmë me “karizmë të kufizuar”, legjimitet të lëkundur. Duhet kujdes kur bëjmë zgjedhjen e kandidatëve për deputetë, sepse duhet të zgjedhim politikanë dhe jo “kukulla politike”. Madje, nuk është i mjaftueshëm kriteri për njerëz, që thjesht kanë një arsim universitar, i cili është një “stacion nisës” për t’u bërë politikan, por duhet diçka më shumë. Kancelari Kohl me të drejtë ka thënë, se “Unë e mbaj për një gabim të rëndë, nëse dikush pa pasur një truall të fortë nën këmbët e veta i hyn menjëherë politikës” (Werner Maser, “Helmut Kohl”, f. 68)

Koha ka treguar se ata që nuk kanë aftësitë e duhura intelektuale dhe bashkë me të edhe kulturën e nevojshme politike, nuk janë në gjendje të kuptojnë ndërlikimet, dialektikën, stratagjemat e natyrshme të kësaj bote politike të komplikuar. Në këto zgjedhje duhen politikanë e njerëz që kanë konceptim të drejtë, për faktin se tani Shqipëria është në një fazë të re zhvillimi, kur kanë ndryshuar shumë gjëra. Në radhë të parë “dinamika e politikës”. Jemi në momente shumë të rëndësishme të integrimit evropian. Në këto kushte, madhësia e problemeve që preokupojnë vendin, shoqërinë, ekonominë, etj., është përtej vogëlsirave banale të politikës së ditës.

Kohët e fundit në skenën politike shqiptare, kanë dalë disa parti të reja politike, të drejtuar nga një brez i ri politikanësh, që kanë marrë përsipër sfidën dhe shfaqen si liderë të tyre. Personalisht këtë ngjarje e konsideroj si zhvillim pozitiv për politikën shqiptare, e cila për një kohë të gjatë, edhe pse kanë ekzistuar parti të vogla, ka qenë gjithnjë pothuaj “tri polare”. Praninë e tyre konkurruese e gjykoj si moment pozitiv, si ardhje e etapës së re të “pluralizmit të hapur”. Por, përtej entuziazmit, ambicieve të natyrshme personale, për të zënë vend në skakirën politike të polarizuar (politika e ka këtë lidhje me pasionin) si dhe një mbështetje të dukshme elektorale, nuk besoj se duhet të nisemi nga mosha apo nga shpërdorimi i paradigmës së sintagmës së shpërdoruar të “politikanit të ri”. Në politikë nuk është faktor determinant thjesht mosha, si argument për të idolatrizuar të rinjtë. Më shumë se për politikanë të rinj, kemi nevojë për alternativa të reja, utilitare, me garanci suksesi. Nuk është kaq e lehtë puna për ndërtuar alternativa të reja bindëse për qytetarin skeptik, militant apo i zhgënjyer qoftë.

Kjo do të thotë se është rasti, që në këto zgjedhje t’i japim fund, idesë primitive, dëshirave vanitoze të atyre që e synojnë politikën jo si misionar, por thjesht për “narcisizëm individual”, për dukje, si mjet për reklamë publike të personalitetit të vet. Nuk ka vend tjetër në Evropë, në të cilën ka kaq shumë njerëz si tek ne, që synojnë politikën jo si angazhim, përgjegjësi, por sikurse thotë Ceslav Millosh, “për t’u zbavitur me kënaqësitë e lakmueshme të saj”.