LAJMI I FUNDIT:

Dënohen me 65 mijë euro tre të akuzuarit e rastit “Brezovica 1”, pranuan fajësinë për ndotje, degradim e shkatërrim të mjedisit

Dënohen me 65 mijë euro tre të akuzuarit e rastit “Brezovica 1”, pranuan fajësinë për ndotje, degradim e shkatërrim të mjedisit

Të akuzuarit Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj janë dënuar 65 mijë euro për veprën penale “ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”

Gjykatësi i kësaj çështje Ilir Bytyqi ka njoftuar se të akuzuarit Blerim Imeri, Naser Kelmendi dhe Arian Idrizaj më 30, 31 janar 2024, kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Sipas marrëveshjes së arritur me Prokurorinë, i akuzuari Blerim Imeri është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit është zëvendësuar në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro si dhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro.


Njëkohësisht i akuzuari Imeri është obliguar të bëjë kompensimin e dëmit për Drejtorinë e Parkut Kombëtar Sharri, në shumë prej 10 mijë euro, të gjitha në afat prej 30 ditëve nga pranimi i marrëveshjes për pranim fajësie nga ana e Gjykatës.

Sipas marrëveshjes së arritur me Prokurorinë, i akuzuari Naser Kelmendi është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit Kelmendi, u zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro, të cilat do t’i paguaj në afat prej 30 ditëve nga pranimi i marrëveshjes për pranim fajësie nga ana e Gjykatës.

Poashtu, sipas marrëveshjes së arritur me Prokurorinë, i akuzuari Arian Idrizaj është dënuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 6 muajve, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro, si dhe dënim me gjobë në shumë prej 10 mijë euro, në afatin ligjor prej 30 ditëve.

Gjithashtu i akuzuari Idrizaj është obliguar të bëjë kompensimin e dëmit për drejtorinë e Parkut Kombëtar Sharri, në shumë prej 10 mijë euro, të gjitha në afat prej 30 ditëve nga pranimi i marrëveshjes për pranim fajësie.

Paraprakisht, avokatët e tyre Fatlum Podvorica, Bajram Morina dhe Skender Musa janë pajtuar me veçimin e kësaj procedure, pasi që të mbrojturit e tyre kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.

Po ashtu, të njëjtit si dhe prokurori i çështjes Rasim Maloku, kanë propozuar që gjykata të aprovojë këtë marrëveshje, ngase sipas tyre është bërë në vullnet të plotë dhe pas konsultimeve të mjaftueshme të të akuzuarve me mbrojtësit e tyre.

Më pas, gjyqtari Bytyqi ka aprovuar këtë marrëveshje dhe njoftoi se të njëjtit dënohen sipas marrëveshjes së nënshkruar mes tyre dhe Prokurorisë Themelore në Ferizaj.

Në këtë fazë të procedurës është dhënë fjala hyrëse, me ç’rast prokurori Rasim Maloku deklaroi se pasiqë të prezantohen provat si në aktakuzë do të vërtetohet gjendja faktike si në aktakuzë.

“Në këtë rast do të prezantohen provat, do të dëgjohen dëshmitarë, ekspertë, ku pas administrimit të këtyre provave prokuroria vlerëson ss do të vërtetohen dispozitivat e kësaj aktakuze”, tha prokurori Maloku

Mbrojtësi i të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, avokati Dalip Bega tha se pas administrimit të provave do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij dhe se do të rezultojë me aktgjykim lirues.

Mbrojtësi i të akuzuarit Hysni Bajrami, Avokati Elmaz Zenuni, fjalën hyrëse e kishte përgatitur në formë të shkruar të cilën ua dorëzoi palëve në procedurë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Rijad Hasani, avokati Mexhid Syla deklaroi se në këtë fazë të procedurës nuk do të lëshohet në fjalë hyrëse siç e përcakton kodi procedurës, pasiqë do të arrihet marrëveshje për pranimin e fajësisë për shqyrtimin e radhës, ku gjykata do të njoftohet me kohë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Grainca, avokati Arsim Bilalli tha se konsideron fuqishëm që gjatë shqyrtimeve gjyqësore do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij, i njëjti tha se do të vërtetohet se ndërtimi i objektit në fjalë është bërë konform dispozitave përkatëse.

Mbrojtësi i të akuzuarit Labinot Vitija, avokati Betim Shala, tha se do të vërtetohet se veprimet e të mbrojturit të tij, nuk përmbushin asnjë nga elementet themelore të veprës penale, i njëjti tha se gjatë shqyrtimeve gjyqësore do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në këtë shqyrtim gjyqësor është dëgjuar dëshmitari Abdurrahman Rexhepi, i cili tha se ka punuar në zonën e Brezovicës si punëkryes tek investitori Fatmir Grainca, ku fillimisht tha se kishte ndërtuar dy objekte për këtë investitor.

I pyetur nga prokurori Rasim Maloku, se përveç dy objekteve a ka ndërtuar villa të tjera, dëshmitari Rexhepi tha se më vonë e kishte ndërtuar edhe një villë.

“Po, më vonë e kam ndërtuar edhe një villë për të njëjtin investitor, kjo ka qenë villa e tretë e cila është afër restaurantit “Apollonia” në Brezovicë, kjo villë është afër lumit dhe rrugës” tha dëshmitari Rexhepi

Prokurori Maloku, e ka pyetur dëshmitarin se a i kishte prezantuar investitori leje ndërtimi për villën e tretë, dëshmitari Rexhepi tha se po i kishte prezantuar lejen e ndërtimit.

Dëshmitari Rexhepi tha se gjatë punimeve të villës së tretë, kishte pas inspektim nga inspektorët e ndërtimit të Komunës së Shtërpcës, të cilit quhen Dragomir Millosavljevič dhe Hysni Bajrami.

“Nga ana e Inspektorëve të Ministrisë nuk ka pas inspektim, tek më vonë pas ndërtimit të villës së tretë, ku unë kam bërë një punë shtesë brenda objektit dhe gjatë kësaj kohe kanë ardh Inspektorët e Ministrisë, të njëjtit më kanë ndaluar punën dhe ne jemi larguar. Pas kësaj ndërprerje më nuk jam ftuar të punoj nga investitori për villën e tretë”, tha dëshmitari Rexhepi.

Mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Grainca, avokati Arsim Bilalli e ka pyetur dëshmitarin se pasiqë deklaroi se iu kishte prezantuar leja ndërtimore nga tani i akuzuari Grainca, si ndërtimtar i atij objekti a e kishte ndërtuar konform lejes ndërtimore apo kishte devijuar si dhe a i kishte kërkuar i akuzuari Grainca që të bëhej ndonjë devijim i ndërtimit në raport me lejën.

Dëshmitari ka thënë se nga i akuzuari Fatmir Grainca nuk i është kërkuar që të devijojë punimet dhe ka punuar sipas lejes ndërtimore.

Shqyrtimi i radhës për këtë rast është caktuar më 06 janar 2024 ora 09:00.

Të akuzuar në këtë aktakuzë të rastit “Brezovica 1” janë Dimitrije Reciceviq, Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula dhe Arian Idrizaj.

Të akuzuarit Dragomir Millosavljeviq, Hysni Bajrami, Arian Idrizaj, Riad Hasani, Blerim Imeri dhe Fatmir Grainca, janë deklaruar të pafajshëm.

Shqyrtimi fillestar për këtë rast ishte mbajtur më 28 qershor 2023 pasi kishin dështuar 12 seanca paraprake.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Dimitrije Reciceviq akuzohej se nga viti 2014 e deri më 9 gusht 2019, në Shtërpcë, si person zyrtar-drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit, ka tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit pasuror për personat tjerë, në atë mënyrë që ka lëshuar të paktën 20 leje ndërtimi në vikend-zonën e Brezovicës, në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri, ku ndërtimi është rreptësisht i ndaluar, në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar Sharri.

Gjithashtu thuhet se ka lëshuar leje ndërtimore në zonën e tretë, për objektet hoteliere “Rezonanca”, “Rimida” dhe “Arena”, si dhe për vikend-shtëpiza për personat fizik Sanije Geci, Naser Kelmendi, Fatmir Grainca, Blerim Imeri, Riad Hasani, Labinot Vitija, Gentjan Sula, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat ndërtime kanë degraduar ambientin në këtë zonë turistike si dhe kanë dëmtuar ujërat e Lumit “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Sipas dizpozitivit të dytë të aktakuzës, Dragomir Millosavljeviq dhe Hysni Bajrami akuzohen se nga viti 2014 e deri më 9 gusht 2019, në Shtërpcë, si persona zyrtarë-inspektorë komunal të ndërtimit, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat e tyre zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për tjetrin, në atë mënyrë që nuk kanë ndërmarrë veprimin për ndalimin e ndërtimit në vikend-zonën e Brezovicës, në zonën e dytë të Parkut Kombëtar Sharri, të 6 objekteve vikend-shtëpiza të pronarit Riad Hasani, për të cilat objekte ishin anuluar lejet e ndërtimit nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Shtërpcës.

Aktakuza thotë se ata nuk kanë ndërmarrë veprime për ndalimin e ndërtimit në zonën e tretë të Parkut të objektit vikend-shtëpizë të Sanije Gecit e cila kishte tejkaluar lejen ndërtimore, si dhe ka ndërtuar një pjesë të objektit mbi lumin “Murzhica” si dhe të aneks objektit të Dalibor Trifunoviqit, i cili kishte ndërtuar pa leje ndërtimore, të cilat ndërtime janë në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar Sharri, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat në Kosovë, të cilat kanë degraduar mjedisin dhe kanë dëmtuar ujërat e lumit “Murzhica”.

Me këtë, ata akuzohen se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, Gentjan Sula akuzohet se nga viti 2012, në zonë turistike të Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, si person përgjegjës – investitor i ndërmarrjes “Stela Consulting” SHPK me seli në Prishtinë, ka degraduar ambientin dhe ujërat e lumit “Murrzhica”, në atë mënyrë që ka kontraktuar kryesit e punëve “Quka CO” me pronar Alban Quka, ndërtimin e 22 vikend-shtëpizave, duke bërë gërmime dhe prerje të pyjeve në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin mbi Pyjet, si dhe të objektit hotelier disa katësh – 2B+p+2+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” kapitulli V, si dhe të Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke ndërtuar në afërsi dhe mbi lumin “Murzhica”, me çka është degraduar ambienti në këtë pjesë të parkut si dhe është dëmtuar lumi “Murzhica”.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Naser Kelmendi akuzohet se nga viti 2014, në zonën turistike te Parku Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si person përgjegjës i ndërmarrjes “Nic Holding” dhe parcelave kadastrale nr.6818/26, 6419/35, 6380/1, 6962/1, 6419/20 dhe 6419/34 ZK Verbeshticë, ka ndërtuar objekte banesore vikend-shtëpiza, si fshat turistik, pa pëlqim mjedisor dhe pëlqim të ujërave në afërsi të lumit “Murzhica”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe të Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, duke dëmtuar drunjtë, tokën dhe ujin, të cilat vikend shtëpiza pastaj ia ka shitur personave fizik.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Arian Idrizaj akuzohet se nga fundi i vitit 2010, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si person i autorizuar i investitorit UMSH “Rezonanca” në Prishtinë, në ngastrën kadastrale numër 6382/2 ZK Shtërpcë, e cila gjendet në zonën e tretë të Parkut, përmes firmës ndërtimore PRO ARK, ka filluar ndërtimin e objektit afarist, duke vazhduar me aneks ndërtimin në vitin 2011 si dhe mbindërtimin në vitin 2014, duke ndërtuar objektin shumëkatësh 2B+P+4+NK, pa pëlqimin e MMPH-së për vlerësimin e ndikimit një mjedis dhe vlerësimin strategjik mjedisor, duke dëmtuar drunjtë dhe tokën, në kundërshtim me planin hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri” dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Tutje, Labinot Vitija akuzohet se nga viti 2012, në zonën turistike të Parkut Kombëtar Sharri në Brezovicë, ka degraduar mjedisin, duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5713/6, ka ndërtuar 5 vikend-shtëpiza në zonën e dytë dhe të tretë të parkut, në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri”, si dhe një objekt hotelier WOODLAND disa katësh, pa leje ndërtimi, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Fatmir Grainca akuzohet nga prokuroria se gjatë vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, përmes ndërmarrjes ndërtimore “Dushi” ka filluar ndërtimin e objektit banesor B+P+NK, në zonën e tretë të parkut, në afërsi të lumit, kurse skaji tjetër në afërsi prej 1 metër, i cili objekt është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Blerim Imeri akuzohet se nga viti 2016, në zonën turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale në sipërfaqe prej 30 ari ZK Verbeshticë, ka kontraktuar ndërtimin e disa vikend-shtëpizave me ndërmarrjen ndërtimore “Quka – CO”, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës, të cilat vikend-shtëpiza ia ka shitur personave fizik.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Sanije Geci akuzohej në fillim të vitit 2016, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronare e parcelës kadastrale nr.5799/16 dhe 5799/17, ka filluar ndërtimin e objektit banesor – vikend shtëpizë B+P+1+NK, me sipërfaqe prej 835.14 m2 , kurse gjatë ndërtimit ka ndërruar destinimin e objektit në objekt hotelier “Kaona Hotel”, duke ndërtuar pa leje aneks objekt, në afërsi të lumit “Murrzhica” në distancë 1.90 m.

Kurse, thuhet se një pjesë e objektit në pronën ujore prej 2,95 m, me një sipërfaqe të përgjithshme të objektit prej 1821.56 m2, i cili ndërtim është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës.

Me këtë, ajo akuzohej se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit”, nga neni 347, paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPRK-së.

Në dispozitivin e fundit të aktakuzës, Riad Hasani akuzohet se nga 24 korriku 2017 e deri në fund të vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale nr.5713 në sipërfaqe prej 1 hektar e 32 m2 , përmes firmës ndërtimore “Quka CO” ka ndërtuar 6 vikend shtëpiza në zonën e dytë të parkut edhe pse lejet ndërtimore ishin anuluar sipas vendimit të Drejtorisë për Planifikim, Rindërtim, Urbanizëm dhe Mbrojtje të Ambientit në Komunën e Shtërpcës, të 24 korrikut 2017, si dhe ka ndërtuar objektin afarist – hotelier “Rimida” – B+P+4+NK, në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, si dhe Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi dhe shkatërrimi i mjedisit” nga neni 347 par.1 lidhur me par.5 të KPRK-së.

Në trend Lajme

Më shumë
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost

“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin

Lajme
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht

Politikë
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog

Lajme
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve

Drejtësi
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve

Sociale
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje

Kronika e Zezë
Kalo në kategori