Në ditën ndërkombëtare të demokracisë, partitë politike në vendin tonë nuk po konsiderohen se e kanë të mirëfilltë demokracinë e brendshme. Analistët politikë po vlerësojnë se partitë aktuale, ende janë të lidhura me liderin partiak.
Subjektet politike në Kosovë ende kanë probleme me demokracinë e brendshme të tyre. Analistët politik vlerësojnë se partitë aktuale, ende janë të lidhura me liderin partiak, raporton RTV Dukagjini, përcjell Telegrafi.
“Për fat të keq partitë politike në Kosovë janë lideriste dhe klientelite, brandaj nuk mund të ketë një demokraci të brendshme të mirëfilltë…Po ashtu kemi luftëra të ashpra të brendshme për primat politikë. Kemi mungesë të ideologjive ku kemi parti të djathta që sillen krejtësisht si të majta dhe e kundërta”, deklaroi Artan Muhaxhiri.
“Partitë në Kosovë janë kryesisht të varura prej liderëve të tyre…Ne shohim që gjatë zgjedhjeve aderimet që futen nëpër lista zgjedhore të partive, mbesin vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve”, deklaroi për RTV Dukagjinin, kryeredaktori i Telegrafit Muhamet Hajrullahu.
Ata po konsiderojnë se meritokracia duhet të jetë e ardhmja e partive politike.
“Në rastin e fundit me kryetaren e Kuvendit, zonjën Vjosa Osmani, e cila garoi për LDK-në dhe i solli vota asaj partie por sot nuk e kemi në atë parti. Pra është përjashtuar nga LDK gruaja më e votuar në Kosovë e që tregon brishtësinë LDK-së në këtë rast, por edhe te partitë tjera nuk po u jepet hapësirë të mjaftueshme figurave të tilla”, deklaroi Muhamet Hajrullahu.
“Partitë politike duhet të veprojnë në bazë të meritokracisë. Pra kur një parti ka sukses ai ekip nuk ndryshohet por kur dështojnë ai ekip duhet të largohet dhe në parti të vijnë njerëz tjerë”, deklaroi Artan Muhaxhiri.
Sipas përditësimit të fundit të Komisionit Qëndror Zgjedhor, 44 parti politike janë të regjistruara në këtë Komision të cilat funksionojnë në vendin tonë. /RTV Dukagjini/Telegrafi/