LAJMI I FUNDIT:

Demokracia e ligjëruar (a)politike kosovare

“Suksesi është i sigurt në secilën punë për të cilën këshillohesh me njerëz të urtë më përvojë, dhe kur vepron sipas udhëzimit të tyre…”

1. Politizimi si pasojë e mungesës së intervenimit të shtetit


Një fenomen që padyshim është duke e përcjell këmba këmbës procesin e shtendërtimit të Kosovës është edhe ai i politizmit apo si mund të shquhet ndryshe edhe si tendencë e “ngjyrimit” apo edhe identifikimit të çdo gjëje që e prodhon në ndërkohë jeta sociale dhe ajo politike e shoqërisë. Shoqërisë, e cila si kjo e jona ka probleme evidente me konsolidimin e institucioneve shtetërore dhe ambientimin e vlerave të reja demokratike në trurin e qytetarisë. Kur flasim për këtë dukuri, zakonisht na shkon mendja te perceptimi për humbjen e sensit dhe kohezionit shoqëror që dosido prodhon sjellje devijante, siç janë: shfaqja e krimit, anomisë, konflikteve ndërgrupore, brendainstitucionale, shtimi i interesave klanore dhe zbehja e atyre publike, pastaj fatëpajtimin e çuditshëm dhe të fjetur të publikut, sidomos për ato çështje dhe probleme që i përkasin sferës së interesave të përgjithshme të qytetarisë.

Thënë më ndryshe, i gjithë ky proces i fillimit të vetëkërkimi të shkaqeve për ngarrisje e këtij fenomeni në jetën tonë, mund t’u adresohet shumë faktorëve: p.sh. shpërnguljes së pakontrolluar të njerëzve nga viset rurale në ato urbane që ndodhi menjëherë me një histeri të paparë pas luftës së fundit, pastaj procesit të margjinalizimit të grupeve të caktuara, deprivimit evident social, krizës morale, anonimitetit apo ndërrimit të ambientit që ishte evident pas luftës së ndodhur në vitin 1999 e këndej etj.

Duke gjurmuar natyrën e këtij fenomeni në shoqërinë kosovare, në këtë periudhë të tranzicionit hetojmë që ky proces i politizimit apo i shmangies evidente nga respektimi i normave institucionale është duke prodhuar antipodin e vetë të shquar si apolitizëm. Apolitizmi duket se – sipas shumicës së ekspertëve (analistëve, por jo akoma edhe sociologëve) që merren kryesisht me studimin e sjelljeve politike – është duke ndodhur më shumë për shkak të identifikimit të tepruar të politikës me origjinën ideologjike të politikës së partive tona politike, se sa pretendimit për të instaluar mekanizmin e sundimit të ligjit dhe vlerave tjera demokratike.

2. Politizimi në sytë e publikut

Në anën tjetër, perceptimi i publikut për këtë çështje ka të ngjarë që lë hapësirë edhe për t’u keqkuptuar me faktin se shumica e prononcimeve – dhe të themi promovimeve që i ushtron djallëzisht politika e vendit – i manipulon dhe siç jemi mësuar i kthen në favore të veta! Politika, gjithashtu me këtë tendencë të sofistikuar dhe padyshim permanente në gjithë këto vitet e pasluftës, ka arritur të krijojë masën kritike të bindjes për punën që e ka bë në sferën institucionale. Por, ajo akoma s’është e vetëdijshme që sjellja e tillë autoritare, në një moment të caktuar kur të mbushet kupa e mllefit apo vetëdijesimit të publikut apo qytetarisë kosovare për këtë fakt, do prodhojë situata të pakëndshme dhe reperkusione të pa riparueshme për vetë atë në të ardhmen e afërt.

Themi kështu edhe për shkak se perceptimi ngandonjëherë për dallim nga kërkimet empirike mund të na qojë edhe në gjykime të gabuara për ndonjë fenomen apo dukuri në zhvillim që shoqërisë kosovare në këtë fazë të tranzicionit mund t’i sjellin përveç keqkuptimeve në interpretim edhe dëme në procesin e shtetndërtimit.

Tani, ky prejudikim që në një mënyrë është edhe një perceptim, që siç konstatuam më lart empirik – e pse jo edhe gjykim i njerëzve që merren me problematiken politike në shoqërinë kosovare – po na dëshmon se fajtor kryesor kujdestar për gjitha këto vonesa, nëpërkëmbje të qarta të institucioneve tona sociale e politike, lidhur me rrugëtimin që duhet kërkuar në instalimin e demokracisë dhe të sundimit të ligjit… është pikërisht ky fenomeni i politizimit (të tepërt) të shoqërisë sonë! Por, a është gjithnjë kështu?

3. Si e shohin analistët politizimin?

Politizimi i këndvështruar në këtë mënyrë nga ana e shumicës së publicistëve tanë politikë, pastaj analistëve të gjitha llojeve për gjoja të drejtën tyre që të japin mendimet e tyre kompetente për ps.h. për ecurit, mangëtit, devijimet, e gjithsesi edhe për gabimet në ndërtimin e demokracisë kosovare si pasojë “ngjyrimit” të tepruar me kute partiake, në fakt është një përpëlitje për të arsyetuar gjykimet e tyre sociale për këtë dukuri.

Ndërkaq, po këta analistë dhe ekspertë të rrjedhave dhe proceseve politike, harrojnë se politizimi nuk nënkupton vetëm tendencën e “ngjyrosjes” se akteve, vendimeve, emërimeve, shkarkimeve etj. por edhe diçka më tej, pra padyshim edhe dukurinë e partizimit apo vënien e monopoleve (është tepër të them: ideologjike, konomike,sepse partitë kosovare akoma s’kanë ideologji të tyre identifikuese) partiake, e tani së fundi edhe interesave klanore dhe të atyre të interesit. Pra, procesi i spostimit të interesit publik në grupe mafioze partiake dhe të atyre të klaneve dhe grupeve të interesit, është adresa më e saktë, ndërkaq procesi i politizimit është vetëm preteksti apo prapavija që këtyre grupeve u shërben për të humbur gjurmët e vërteta në ndërtimin e kapaciteteve institucionale në Kosovë!

4. Në Kosovë më shumë bashkëpunojnë klanet dhe grupet e interesit se sa partitë

Ndryshe, kujtoj që në skenën politike kosovare, aktet e ndodhura herë si skandale e herë si procese të imponuara nga elitat politike… pra, gjitha qeveritë e pasluftës në ndërtimin e kapaciteteve institucionale demokratike kosovare, në fakt janë më shumë produkte jo të politizimit, sepse këto procese sidomos në qeverinë e tanishme janë me shumë pasojë e zhdukjes së dallimeve ideologjike (nëse natyrisht kane?!) midis partive politike (ngaqë, këto grupe që mund të cilësohen si të interesit të gjitha partive politike me shume po bashkëpunojnë midis veti se sa me partitë e veta?!), por të partizimit dhe klanizimit.

Shtimi i "bashkëpunimit" të këtyre grupeve të interesit që tani po reflektohet edhe në nivelin dhe cilësinë e qeverisjes aktuale, do të shtoja se po i zhdukë në njërën anë dallimet ideologjike dhe në anën tjetër po e fuqizon apo po e rrit nivelin e "bashkëpunimit" (sidomos kur janë ne pyetje tenderët?!) midis tyre.

Fenomeni i fragmetarizimit, të themi kështu i interesave, apo reduktimi i këtyre interesave në vetëm grupe të vogla interesi, në një mënyrë po e shtensionon dallimin ideologjik midis partive politike kosovare, por në anën tjetër ky fenomen i fragmentarizimit po prodhon edhe një proces tjetër absurd që demokracisë se tanishme kosovare s’i nevojitet fare, ngaqë të gjithë parametrat socialë, politikë, ata ekonomikë, po dëshmojnë se ai në fakt është duke e ngulfatur vazhdimisht përmes zvogëlimit apo reduktimit të interesimit të publikut për ngjarjet, proceset dhe rrjedhat kruciale të shoqërisë kosovare.

Në fakt, ky lloj indeferentizimi është duke prodhuar antipodin e vetë, atë të apolitizmit, që sociologët me përvojë duhet ta deshifrojnë në kuptimin e dhënies së një përgjigje sociale për rrjedhat e shoqërisë në Kosovë

5. A jemi duke u bërë gjithnjë e më shumë apolitik?

Çka është në fakt apolitizmi dhe si mund të kualifikohet në rrethanat dhe proceset tona aktuale te shtendërtimit? Thënë më thjesht me apolitizëm nënkuptojmë një gjendje të atillë sociale, politike, ekonomike e gjithsesi edhe të imponuar kulturore, ku publiku apo qytetarët e një vendi e humbin interesimin e tyre për t’u bërë pjesë aktive e dinamike e proceseve demokratike që ndodhin në shoqëritë e tyre.

Pra, një gjendje e atillë ku besimi se përmes politikës mund të bëhet diçka në favor të interesave të gjëra të qytetarëve, pra interesave publike që dosido e profilizojnë si cilësinë e jetesës, standardin, benificionet në shkollim, arsimim, shëndetësi etj. ashtu edhe cilësitë tjera të rëndësishme ne përditshmërinë tone sociale.

Tani, perceptimi se fajtorë kujdestarë, për të gjitha këto të këqija (standardin e ulet te jetesës, papunësinë enorme, shkallën e lartë të varfërisë, pamundësinë e shkollimit dhe edukimit cilësor etj.) janë vendimmarrjet e gabuara politike të institucioneve qeveritare në kuptimin se këto vendimmarrje s’janë pasojë e një kontrate publike midis tyre dhe politikes (përfaqësuesve qeveritarë në fakt?!), por pasojë ekskluzive e keqpërdorimit të statuseve dhe privilegjeve të dhëna po nga ky publik dhe qytetarë përmes votës së tyre, na e krijon ndjenjën e të përjashtuarit, pastaj perceptimin se politika aktuale institucionale lëre që është e gabuar por në fakt edhe anti-shoqërore, anti-sociale, dhe anti-ekonomike!

Në anën tjetër, dëshmia dhe argumenti se procesi i apolitizmit është i pamundshëm të ndodhë edhe për shkak se qytetari i sotëm kosovar është e pamundshme të mos jetë qenie shoqërore e politike (zoon politikon)! Për të ilustruar paradoksin e pamundësisë së mos qenit zoom politikom, po shërbehemi me një thënie të vjetër greke, se “njeriu që s’merret me politike nuk e shikon punën e vet, ai s’ka vend në mesin tonë!” Njeriu edhe nëse s’merret me politikë, kjo e fundit merret me të.

Ka të ngjarë që politikanët aktualë kosovarë, duke nuhatur shumë mirë dukurinë e rritjes se pasionit të qytetarëve për të mbetur edhe më tej indiferent ndajë proceseve dhe rrjedhave që ata për çdo ditë janë duke i kërcënuar në të gjitha dimensionet e mundshme sociale, politike, ekonomike e kulturore, marrin vendime të gabuara dhe në disfavor të tyre.

Në shoqërinë tonë, mund të gjesh edhe perceptime të tilla cinike, e do shtoja ngandonjëherë edhe sosh fataliste në kuptimin se të gjitha çështjet publike duhet t’i zgjedhin të tjerët dhe se marrja me politikë dhe punë publike në fakt, është punë Sizifi. Gjithashtu në këtë vorbull mund të hasim edhe perceptimin fashist për të qenit apolitikë se”politikanët janë të korruptuar, të shitur e të kalbur”, ai elitist se “politika është punë e qytetarëve të dorës së dytë”, por gjithashtu edhe perceptimin apolitik fetar se “me aktin e futjes së njeriut në politikë thyhet ligji hyjnor, ngaqë s’punohet dhe veprohet sipas ligjit të Zotit”!

Perceptime tjera evidente mund të gjurmohen pothuajse për çdo ditë në shoqërinë kosovare.