Debati Sejdiu-Hoti: Kush mban përgjegjësi për krizën e transportit në Prishtinë?

Ish-nënkryetari i Prishtinës, Dardan Sejdiu, ka reaguar sot lidhur me blerjen e autobusëve për Trafikun Urban të Prishtinës në vitin 2017, duke akuzuar Qeverinë e atëhershme për bllokimin e projektit.
Sejdiu ka kujtuar se në vitin 2017, pas dy vitesh bllokim dhe presion të qytetarëve, Prishtina mori 51 autobusët e rinj, pas 30 vjetësh pa asnjë investim në transport publik.
Ai ka theksuar se për këtë arritje kishte udhëhequr vetë transformimin si nënkryetar i Prishtinës dhe se qytetarët kishin luajtur një rol kyç në tejkalimin e bllokadës politike të qeverisë qendrore.
“Erdhën vetëm sepse qytetarët nuk pranuan të nënshtrohen. Çdo procedurë u zvarrit me qëllim; ishte bllokadë politike e pastër me një synim të vetëm, nënshtrimin e qytetit që kishte votuar ndryshe. Vetëm kur qytetarët protestuan dhe firmosën peticione, qeveria u detyrua të tërhiqej,” ka shkruar Sejdiu, duke paralajmëruar se situata aktuale për transportin publik në Prishtinë është një përsëritje e skenarit të njëjtë, por me “cinizëm edhe më të madh”.
Ai ka akuzuar qeverinë aktuale për përdorimin e krizës së transportit publik si mjet presioni politik dhe ka theksuar se qytetarët duhet të jenë të vetëdijshëm për kërcënimin që kjo paraqet ndaj rendit ligjor dhe kushtetues.
Pas këtij postimi, ka reaguar ish-kryeministri Avdullah Hoti.
Ai ka kundërshtuar deklaratat e Sejdiut, duke thënë se problemi në atë kohë ka qenë te Komuna e Prishtinës dhe jo te Qeveria qendrore.
“Sejdiu po gënjen. Ai dhe shefi i tij nuk kryenin detyrimin ligjor përmes nxjerrjes së vendimit nga Kuvendi i Komunës, që do të garantonte pagesën e kredisë nëse NP Trafiku Urban dështon të paguajë kredinë. Sapo vendimi u miratua në Kuvend, marrëveshja u procedua në Qeveri dhe më tutje,” ka shkruar Hoti.
Ai ka shtuar se qëllimi i Sejdiut dhe i partisë së tij ka qenë të bëjnë një kauzë politike për të mbuluar dështimet e veta në Prishtinë, duke vazhduar me “politika të ulëta dhe të ndyra kundër LDK-së”.
Hoti ka paralajmëruar se nëse Sejdiu nuk kërkon falje publike, ai do të padisë për shpifje.


















































