LAJMI I FUNDIT:

Delawie, fjalë të ashpra: Po kundërshtoni në mënyrë cinike marrëveshjen, po rrezikoni të ardhmen e Kosovës (Live/Video)

Delawie, fjalë të ashpra: Po kundërshtoni në mënyrë cinike marrëveshjen, po rrezikoni të ardhmen e Kosovës (Live/Video)

Po mbahet debati profesional-shkencor mes Komisionit shtetëror për shënjimin e kufirit dhe grupit të ekspertëve, ku do të ketë ballafaqim faktesh për çështjen e shënjimit të kufirit, Kosovë – Mali i Zi.

Fillimisht debati është përshëndetur nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Isa Mustafa.

Pastaj Komisioni shtetëror për demarkacionin dhe grupit të pavarur të ekspertëve shpalosën argumentet dhe kundër-argumentet e tyre, për të vazhduar me debatin e pjesëmarrëseve të tjerë, ku deputetët do të kenë mundësi t’iu drejtohen me pyetje si komisionit shtetëror për Demarkacion, ashtu edhe grupit të pavarur të ekspertëve.

Telegrafi në bashkëpunim me RTV Dukagjini do t’ua sjellin direkt transmetimin e debatit. /Telegrafi/

Postet:
Mbylle
03/08/2016 15:39

Hakif Bajrami: Kufiri është në Çakorr dhe pikë

Historiani Hakif Bajrami i përshirë në debatin për Demarkacionin ka dhënë fakte se komisioni shtetëror për demarkacion e ka bërë raportin gabimisht.

Bajrami në këtë debat ka paraqitur fakte nga hulumtimet dhe puna e tij si historian.

Bajrami i cili ka qenë drejtor i Arkivës së Kosovës tha se kufiri i Kosovës me Malin e Zi është në Çakorr.

03/08/2016 15:35

Delawie, fjalë të ashpra: Po kundërshtoni në mënyrë cinike marrëveshjen, po rrezikoni të ardhmen e Kosovës

Ambasadori amerikan Greg Delawie ka nisur fjalimin e tij para të pranishmëve në debatin për Demarkacion, duke thënë se nuk ka sjellë hartë me veti.

“Skam sjellë asnjë hartë. Më vjen mirë që pi shoh të gjitha palët në një vend për të diskutuar për këtë çështje. Pamja ime dhe e qeverisë time është se miratimi i marrëveshjes është i mirë për Kosovën dhe rajonin”, tha Delawie.

Ai shoti se kufijtë janë të njëjtë me ata që i ka dorëzuar Kosova në 2007 në eurographis, dhe me Planin e Ahtisarit.

“E mirëpres mundësin dhe nismën e Kuvendit për mbajtjen e kësaj tryeze. Shpresoj se do të jetë model i çështjeve të ndërlikuara që Kuvendi do të përballet në muajt në vijim”, theksoi ambasadori, duke shtuar se përdorimi i regjistrave kadastral rezulton me kufi të saktë.

Ai ka thënë fjalë të ashpra për opozitën por edhe për qeverinë, duke thënë se me këtë po rrezikohet e ardhmja e Kosovës.

“Po kundërshtoni marrëveshjen në mënyrë cinike, duke nxitur urrejtje dhe duke e rrezikuar të ardhmen e Kosovës. Atyre në qeveri që e lanë këtë marrëveshje të pres 11 muaj dua të ju them se transparenca është bazament i një shteti ligjor”, tha Delawie.

Ambasadori tha se SHBA do ti qëndrojë pranë popullit të Kosovës pavarësisht se a ratifikohet apo jo kjo marrëveshje.

03/08/2016 15:17

Gruda: Sipas të drejtës ndërkombëtare, kadastri nuk përcakton kufijtë

Debati për Demarkacionin tashmë ka hyrë në orën e pestë. Lidhur me argumentet se komisioni shtetëror ka gabuar me shënjimin e vijës kufitare, ka folur edhe profesori i së Drejtës Ndërkombëtare, Zenjullah Gruda.

Ai ka thënë se nuk mundet të llogaritet që në një tryezë të thjeshtë të flitet për një çështje kaq të rëndësishme.

“Për organizimin e tubimeve të tilla janë Akademitë e Shkencave, Universitetet, ndonjë katedër universiteti. Unë e kundërshtoj këtë marrëveshje sepse qasja e lidhjes së kësaj marrëveshje është absolutisht e gabueshme” ka thënë Gruda.

Profesori ka shtuar se kadastri nuk është kriter i përcaktimit të kufijve sipas të drejtës ndërkombëtare.

03/08/2016 15:01

Isufi prezantoi harta kredibile për vijën kufitare

Profesori në Fakultetin e Gjeografisë, Florim Isufi gjatë prezantimit të tij para të pranishmeve prezantoi disa harta kredibile lidhur me vijën kufitare.

Ai tha se kadastri nuk është kriter për përcaktimin e vijës kufitare.

Duke aluduar në disa pohime se ata shkëmbinj që i kanë mbetur Malit të Zi janë të parëndësishëm, Isufi tha se kjo pjesë është me rëndësi sepse jemi në shekullin e XXI, ku kërkesa për ujë do të jetë tejet e madhe.

03/08/2016 14:29

Hasani: Komisioni ka caktuar një kufi të ri, duke e ndryshuar atë të vitit 1974

Ish- kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, duke folur për debatin për Demarkacionin tha se Komisioni qeveritar ka tejkaluar mandatin e vet, që ka qenë teknik.

“Komisioni ka përcaktuar kuota të reja dhe përshkrim të ri të kufirit me Malin e Zi. Kjo nuk ka qenë në mandatin e tij. Se komisioni ka tejkaluar duke përkufizuar kufij të ri shihet qartë dhe në raportin e tij zyrtar. Kosova ka ushtruar kontroll edhe në kohen e UNMIK ut… ka pasur në Çakorr arrestime të një boshnjaku, i cili është konsideruar si pjesë e territorit këndej”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, Komisioni duke u mbështetur vetëm në gjendjen e kadastrave ka caktuar një kufi të ri, duke e ndryshuar atë të vitit 1974, gjë që e cila nuk ka qenë në mandatin e komisionit.

03/08/2016 13:41

Bulliqi ilustron gabimet e Komisionit shtetëror, i gjuan në tokë materialet qeveritare

Deputeti i LDK-së, Shpejtim Bulliqi gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve në debatin për demarkacionin me Malin e Zi prezantoi gabimet e Komisionit shtetëror.

Ai  gjatë prezantimit të tij tha se materiali është përgatitur pasi është nënshkruar marrëveshja me Malin e Zi.

“… Materiali është azhurnuar komplet me harta që na i kemi dhanë në opinion publik”, tha Bulliqi.

Bulliqi ndër të tjera tha se Komisioni me përcaktimin e vijës kufitare, ka bërë diçka që nuk praktikohet askund në botë.

“Është rasti i parë që është përdorur gjendja kadastrale për përcaktimin e kufijve. Askund në botë nuk është bërë kjo”, tha ai

03/08/2016 13:04

Bulliqi: Komisioni shtetëror falsifikoi faktet për kufirin me Malin e Zi

Deputeti nga radhët e LDK-së, Shpejtim Bulliqi i cili që nga nënshkrimi i marrëveshjes me Malin e Zi për shënjimin e kufirit, ka kundërshtuar vazhdimisht punën e Komisionit shtetëror tha se Komisioni shtetëror ka falsifikuar faktet.

Bulliqi sot në tryezën për Demarkacionin tha se materiali të cilin ka përdorur Komisioni Shtetëror për Përcaktimin e Kufijve me Malin e Zi, është i pa vlefshëm.

“Ky material është përgatitur pasi që është nënshkruar marrëveshja me Malin e Zi. Ky material është azhurnuar komplet me harta që na i kemi dhanë në opinionin publik. Si i tillë ky material është i pa vlefshëm”, tha Bulliqi, i cili më pas hodhi në tokë materialin qeveritar të demarkacionit.

Ai ka shtuar se një shtet duhet të mbështetet në kufijtë natyror, gjeografik, kontrollin e administrimit, gjendja kadastrale për shënimin e kufirit.

Bulliqi ka theksuar se i vetmi kriter që është përdorur në shënjimin e vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi ka qenë kriteri kadastral.

“Pala malazeze ka marrë qëndrim që shijimi i vijës kufitare të bëhet në mbështetje të dokumentacionit valid kadastral”, ka cituar Bulliqi, Komisionin shtetëror të Malit të Zi për demarkim me Kosovën.

03/08/2016 12:38

Përfundon raportimi i Komisionit Shtetëror për Demarkacionin

Komisioni Shtetëror për Demarkacion më Malin e Zi ka përfunduar raportimin në tryezën për Demarkacion, ku ka paraqitur faktet, sipas të cilave, Kosova nuk ka humbuar tokë me shënjimin e vijës kufitare.

Raporti është prezantuar nga kryetari i këtij komisioni, Murat Meha, i cili tha se Kosova nuk ka humbuar asnjë centimetër tokë nga ky shënjim i kufirit.

Përveç Mehës, fakte kanë ofruar edhe profesorë të tjerë, pjesë e këtij komisionit, të cilët kanë prezantuar harta dhe statistika për këtë çështje.

Tryeza për Demarkacionin po vazhdon me raportimin e profesorit të Gjeografisë, Shpejtim Bulliqi, deputet i LDK-së.

03/08/2016 12:33

Haliti, Ali Lajçit: Kemi rend dite këtu, nuk jemi në odë burrash

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti në debatin për demarkacionin nuk ia ka dhënë fjalën anëtarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ali Lajçi, duke i thënë “këtu ka rend dite, nuk jemi në odë burrash”.

Ali Lajçi kërkoi ta marrë fjalën me arsyetimin se është përcjellës i këtij procesi, edhe pse sipas rendit të ditës, radhën për të folur e kishe Komisioni shtetëror.

Por, nënkryetari Haliti ia bëri me dije se nuk është në rend fjalimi i tij, por i anëtarëve të Komisionit shtetëror.

“O s’ta jap fjalën se në bazë të rregullave procedoj, nuk je i shënuar ta marrësh fjalën. Do ta jap fjalën më vonë”, tha Haliti. /Telegrafi/

03/08/2016 11:54

Meha prezanton faktet hartografike dhe ligjore

Kryetari i Komisionit shtetëror për shënjimin e pikës kufitare me Malin e Zi pas fjalimit të anëtarëve tjerë të Komisionit sërish mori fjalën për të prezantuar para të pranishmeve faktet hartografike dhe ligjore.

Ai tha se fatmirësisht komunës së Pejës nuk i mungon asnjë dokument për pronat, për vijën kufitare.

Meha ka prezantuar hartat topografike 1 me 25 mijë, e cila është harta më bazike, ndërsa njoftoi se janë përdorur edhe hartat 1 me 300 mijë.

“Kemi hartat pasqyrë të vitit 1973, të cilat janë në shkallën 1 me 200 mijë që tregojnë të gjitha hartat që mbulojnë në mënyrë ligjore territorin e Kosovës”, tha ai.

Meha tha se ka përputhshmëri të hartave të Kosovës dhe Malit të Zi, në periudha të ndryshme.

03/08/2016 11:38

Kajtazi: Respektuam Kushtetutën dhe ligjet

Anëtari i Komisionit shtetëror për shënjimin dhe mirëmbajtjen e kufirit, Besim Kajtazi ka thënë se në shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi kanë respektuar Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Kajtazi ka theksuar se Kosova nuk ka shënjuar kufi të ri me Malin e Zi, pasi që kufiri ka qenë i përcaktuar që nga Kushtetuta e Kosovës në vitin 1974.

Tutje Kajtazi ka thënë se bazuar në të gjitha faktet e shënimit të kufirit me Malin e Zi, Kosova ka po ata kufij që i ka pasur në vitin 1974.

03/08/2016 11:29

Meha: Nuk ndryshuam territorin për asnjë metër

Kryetari i Komisionit shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi, Murat Meha gjatë prezantimit të tij në debatin për demarkacionin tha se Komisioni shtetëror ka qenë profesional dhe gjithëpërfshirës.

Meha duke dhënë një kronologji të takimeve dhe proceseve nëpër të cilat ka kaluar shënjimi i vijës kufitare, tha se vendimet janë marrë në përputhshmëri të plotë me dokumentet zyrtare.

Ai tha se që 2012-ta deri në vitin 2015 kur edhe është nënshkruar kufiri ndërmjet dy vendete, ka pasur dhjetëra takime dhe janë konsultuar dhjetëra dokumente të ndryshme kadastrale,

Ai tha se Komisioni ka kryer detyrat në përputhje me ligjin dhe ka qenë plotësisht transparente, duke raportuar te institucionet e vendit.

Duke folur para të pranishmëve, Meha tha se nuk kanë ndryshuar territorin e Kosovës për asnjë metër.

03/08/2016 11:10

Mustafa: Pranoni faktet, nuk guxojmë të luajmë me interesat e popullit

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në debatin për Demarkacionin me Malin e Zi, kryeministri Isa Mustafa ka thënë se shënjimi i vijës kufitare me vendet fqinje është proces historik.

“Pas nënshkrimit të marrëveshjes me Malin e Zi në Vjenë dhe ankesave që janë bërë nga opozita, kam apeluar tek qytetarët dhe kompanitë që të dëshmojnë se nëse ndonjë pronë e tyre qoftë publike apo private i është kaluar Malit të Zi, dhe një gjë e tillë nuk është bërë”, ka thënë Mustafa, transmeton Telegrafi.

Mustafa ka theksuar se Mali i Zi ka dëshmuar se një pjesë e tokës të cilën opozita dhe disa ekspertë po mendojnë se është e jona, është e tyre.

“Puna që ka bërë komisioni shtetëror është e saktë, prandaj edhe nënshkrimi i marrëveshjes është bërë në mënyrë të duhur. Ju kam thënë edhe deputetëve të LDK-së që të mos e votojnë ratifikimin e demarkacionit vetëm për shkak të liberalzimit, nëse gjejnë se ndonjë pjesë e territorit tonë i takon Malit të Zi”, tha Mustafa.

Ai shtoi se debati i sotëm duhet të përfundoj me pranim të fakteve pasi që nuk guxojmë të luajm me interesat e qytetarëve tanë.

03/08/2016 10:49

Thaçi: Demarkacioni ka mbështetjen edhe të presidentit Obama, të dëshmojmë se jemi shtet serioz

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi gjatë fjalimit të tij në debatin për demarkacionin me Malin e Zi tha se shënjimi i vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi ka marrë mbështetje politike të drejtpërdrejtë nga presidenti amerikan Barack Obama dhe nga sekretari i shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij në Prishtinë.

Ai tha se është qenësore që Kosova të dëshmojë se është palë që qëndron prapa obligimeve të veta ndërkombëtare.

Thaçi tha se ky debat i ka munguar Kosovës, tash e një vit.

03/08/2016 10:39

Veseli: Debati për demarkacionin, kjo është mënyra më e mirë t’i ballafaqojmë faktet

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në debatin për demarkacionin me Malin e Zi tha se organizimi i këtij debati është mënyra se si duhet të funksionojë shoqëria kosovare, me fakte e me argumente.

Ai tha se kjo është mënyra më e mirë që të punohet për ata të cilët ua kanë dhënë besimin.

Kryetari i Kuvendit tha se kjo është një mundësi shumë e mirë që brenda institucionit të zgjedhur të popullit të ballafaqohen argumentet.

veseli1

03/08/2016 10:18

Vonohet nisja e debatit, të ftuarit nuk mbërrijnë në kohë (Live)

Deputetë, përfaqësues të ambasadave të huaja në Kosovë dhe ekspertë kanë nisur të  hyjnë në sallën e debatit për demarkacionin për Malin e Zi, ndërsa debati ende nuk ka filluar pasi ende nuk janë të gjithë të pranishëm.

Ndërkohë që mediat janë vendosur poshtë hollit kryesorë të Kuvendit, dhe qasjen për momentin e kanë të kufizuar, mësojmë se siguria në Kuvend është në nivel të lartë dhe secili nga personat që hyjnë brenda ndërtesës janë duke u kontrolluar sipas procedurave të rregullta të sigurisë.

Komisioni shtetëror për demarkacionin, përballë do të kenë ekspertët e udhëhequr nga Shpejtim Bulliqi.

Kujtojmë se në Debat janë ftuar edhe ambasadorët e shteteve mike të Kosovës, nga: SHBA, Britani, Gjermani, Francë, Itali, Zvicër, Hungari dhe Shqipëri. I pranishëm pritet të jetë edhe përfaqësuesi i BE-së në Prishtinë, SamuelZbogar, dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

03/08/2016 09:31

Debati për demarkacionin, ballafaqim faktesh për kufirin (Live)

Në trend Lajme

Më shumë
Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Një i vrarë dhe një i plagosur me armë zjarri në Prishtinë

Kronika e Zezë
Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, opinioni i Bakoyannis sot në rend dite

Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, opinioni i Bakoyannis sot në rend dite

Lajme
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
“Ftojeni Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, Knaus publikon dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis

“Ftojeni Kosovën që të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës”, Knaus publikon dy pika të opinionit të Dora Bakoyannis

Lajme
Syla: Kemi bashkëpunim me shtetet e NATO-s për blerjen e armatimit

Syla: Kemi bashkëpunim me shtetet e NATO-s për blerjen e armatimit

Siguri
U raportuan tri gropa në

U raportuan tri gropa në "Ndreqe.com", Komuna e Prishtinës intervenon në rregullimin e tyre

Prishtina
Kalo në kategori