LAJMI I FUNDIT:

Damien Hirsti po e shkatërron të kaluarën e vet të lavdishme

Damien Hirsti po e shkatërron të kaluarën e vet të lavdishme
“Miti i eksploruar, i shpjeguar, i eksploduar” i datës 1993, në një ekspozitë të në Londër më 2022 (foto: Tristan Fewings/Getty Images)

Nga: Jonathan Jones / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Ndoshta duhet të kemi keqardhje për Damien Hirstin. Rënia artistike është fat i tmerrshëm, edhe nëse keni pasuri të pamasë për ta zbutur goditjen. Cili artist, cili person dëshiron të mendojë se gjithë gjërat e mira, shkëlqimi, janë në të kaluarën? Por, Hirsti me sa duket kështu mendon. Vështirë se mund ta rrëfente këtë më qartë sesa duke i datuar në vitet 1990 skulpturat e kafshëve në formaldehid – të cilat i ka bërë në vitin 2017, siç kanë treguar sinjalizuesit për The Guardian.

I riu Damien Hirst jetoi shpejt dhe mendonte vazhdimisht për vdekjen. Në moshën 16-vjeçare pozoi në një foto me një kokë të prerë në një morg të Lidsit. Si artist në zhvillim e sipër, doli me një qasje krejtësisht të re mbi temën e lashtë memento mori, duke vendosur kafshë të ngordhura, përfshirë një tigër-peshkaqen 427 centimetra të gjatë, në rezervuarin me formaldehid [Pamundësia fizike e vdekjes në mendjen e dikujt që jeton], dhe duke e ekspozuar atë si art. Mosmarrëveshjet mbi faktin nëse objektet e gatshme mund të bëhen art, u zbehën në parëndësi përpara se Hirsti të na përkujtonte për brishtësinë tonë si njerëz prej mishi – dhe atë për një brez që ishte rritur me nofullat [filmi Jaws], ky ishte një makth që po merrte jetë.


Ishte Hirsti ai që m’u kujtua, jo Rembrandti, teksa ecja drejt një spitali të Liverpulit ku nëna ime bënte një operacion në zemër në vitet 1990. Ia kam thënë Hirstit këtë. Gjithashtu, i thashë – me sinqeritet në një bisedë në Zoom gjatë pandemisë – se ai më ndihmoi për t’u frymëzuar e për t’u bërë kritik i artit. Ai peshkaqen ma ndryshoi jetën. Dhe, nuk isha i vetmi që e doja dhe që u preka nga Hirsti në vitet 1990. Në retrospektivën e tij në Tate në vitin 2012, kishte nëna që kafshët e tij të frikshme e të qeta ua tregonin vajzave të vogla – njerëzit e viteve 1990 ndanin me fëmijët ndjenjat që këto skulptura të frikshme kishin krijuar në atë kohë. Megjithatë, tani ne e dimë se Hirsti e ka shkatërruar atë të kaluar të lavdishme, duke bërë vitrina të reja të kafshëve, në vitin 2017, dhe duke ua dhënë atyre datat që sugjerojnë se janë bërë dy dekada më parë.

Gjeni dallimin … Nëna dhe Fëmija (Të ndarë), kopje e ekspozitës së vitit 2007 (origjinali 1993) në galerinë Tate Modern (foto: Oli Scarff/Getty Images)

Nëse keni parë ndonjëherë diçka në artin e tij, dhe unë kam parë shumëçka, nuk mund të mos ndiheni të tradhtuar.

Dy nga veprat që ua vuri datat më të hershme, Kaini dhe Abeli, dhe Miti i eksploruar, i shpjeguar, i eksploduar, bëjnë punë të mirë duke simuluar, me sa duket, cilësitë që dikur e bënin Hirstin të veçantë. E treta, Pëllumbi, është më pak mbresëlënës, por edhe seritë e fillimit të viteve 2000 të zogjve në turshi, të viteve të cilave pretendon se kjo vepër i përket, e shfaqnin një Hirst që po tkurrej në vetëparodi.

A mund ta tregoj ndryshimin në cilësinë dhe rëndësinë midis dy viçave të Kainit dhe Abelit krah për krah, “vëllezërit” të mbajtur të ndarë në tanket e tyre të veçanta të cilat Hirsti i daton në vitin 1994, dhe veprave aktuale nga ajo periudhë duke përfshirë Nënën dhe fëmijën (Të ndarë) që atij ia dha çmimin Turner më 1995? Jo, meqë një bishë në turshi duket vërtet si një tjetër. Hirsti tani pohon se disa nga datat që ai ia dha veprave të tij në formaldehid, e tregojnë vitin e krijimit, ndërsa të tjerat lidhen me vitin e konceptimit. Megjithatë, ndërrimet e çuditshme kohore të zbuluara nga Guardian-i, kërcënojnë të helmojnë të gjithë biografinë artistike të Hirst.

E vërtetë, por kopje – kopje, por e vërtetë … Shatërvani i Duchampit (foto: Nils Jorgensen/REX)

Hirst thotë se datimi i një vepre artistike konceptuale, përfaqëson datën e konceptimit dhe se nuk ka asnjë standard për këtë. Por, le të jemi të qartë, kjo është shumë larg praktikës standarde, madje edhe në artin konceptual. Në fakt, për shkak se shumëçka prej tij është kalimtare dhe duhet të ribëhet për muzetë dhe ekspozitat, arti konceptual është veçanërisht i prirë për saktësinë dhe detajet. Kjo traditë e gjatë e datimit të kujdesshëm të artit të tillë u krijua nga askush tjetër pos nga vetë shpikësit i konceptualizmit, nga Marcel Duchamp. Duchampi “zgjodhi” objekte të zakonshme si art – para Luftës së Parë Botërore, për një audiencë të vogël avantgarde – dhe krijoi veprat ekzistenca e të cilave ishte kryesisht intelektuale. Në kohën kur u bë i famshëm në pop-art në vitet 1960 – atë që ai e quante “faza ime e maniakut të seksit” – veprat legjendare si Rrota e biçikletës, Lopata e borës dhe Shatërvani kishin humbur prej kohësh. Pra, i autorizoi kopjet – por secila është kataloguar sinqerisht si e tillë, duke përfshirë Shatërvanin i cili jo vetëm që ka certifikim të detajuar dhe hyrje të gjatë në katalog, por është nënshkruar edhe në anën e pasme “Marcel Duchamp, 1964”. Është e vërtetë, por kopje – kopje, por e vërtetë. Vetë Hirsti e ndoqi këtë precedent dushampian kur e bëri një version të ri të Nënës dhe fëmijës (Të ndarë): në faqen e internetit të Tate-it përshkruhet me kujdes si “kopje ekspozite 2007 (origjinali 1993)”.

Lëvizja konceptuale e artit të viteve 1960, e frymëzuar nga Duchampi, donte të eliminonte objektin e artit material dhe, bashkë me të, edhe tregun. Ai prodhoi “art” në formën e një teksti filozofik ose një grupi udhëzimesh. Këto qasje janë krejtësisht të ndryshme nga praktika e Hirstit, e cila është shumë fizike dhe materiale.

Muzeu spektakolar i falsifikimeve … Hirst inspekton Thesaret nga Përmbytja e të pabesueshmes më 2017 (foto: Awakening/Getty Images)

Kështu që Hirsti ka hyrë në një territor vërtet të çuditshëm, duke treguar vepra të reja me data që bëjnë me dije, për këdo që sado pak e njeh konventën artistike, se janë bërë më shumë se dy dekada më herët se sa në fakt ishin bërë. Dy dekada – kjo është një tjetër jetë artistike. Çfarë po mendonte? Një e dhënë mund të jetë ekspozita e tij Thesaret nga Përmbytja e të pabesueshmes, e cila u hap në Venecie në të njëjtin vit, më 2017. E përfshinte një muze spektakolar falsifikimesh; një koleksion i pashpresë, i fabrikuar, bizhuteri dhe statuja erotike që pretendohet se janë nga qytetërimet e lashta. Ishte ekspozita e tij më e mirë e këtij shekulli, kiç dhe befasuese, por edhe e zgjuar. A i lindi aty ideja për të ndërhyrë në afatin e tij kohor?

Ajo që ai ka bërë më duket si shaka e hidhur, jo vetëm për botën e artit – që ndoshta e meriton – por, për vetë historinë. Kafshët formaldehide të Hirstit do të jenë gjithmonë pjesë e historisë së Britanisë së fundit të shekullit XX. Ose mbase kështu supozova. Tani ai jo vetëm që ka ngritur pyetje në lidhje me origjinën e katalogut të tij të dikurshëm, por gjithashtu ka shkatërruar çdo besim tek i cili mund të kapemi në të ardhmen e tij krijuese.

Sot Hirsti pikturon peizazhe detare dhe kopshte të tmerrshme dhe luan lojëra të kota me tokenat dixhitalë dhe me tregun. Nuk ka zemër tek asnjëra prej tyre. Krijimi i skulpturave që datojnë në ditët e tij më të hershme dhe më të mira zbulon një artist që është aq i mpirë saqë mund të meditojë filozofikisht për vdekjen e vet krijuese. “Çfarë ishte kaq ndryshe tek unë atëherë”? Duket se po pyet, si në një histori horrori nga Henry James ose Oscar Wilde, në të cilën fantazma e një mjeshtri të vjetër të rraskapitur e cinik e ndjek veten e tij të ri e brilant.

Por, nuk mund të ktheheni kurrë prapa. Duke vepruar kështu, Hirsti i moshuar e pa talent ka inatosur gjithë rininë e vet. Kjo është një shëmbëlltyrë unike dhe shkatërrimtare. /Telegrafi/