Dallaveret e gjykatave

Ka ardhur nga Shqipëria ta kërkojë tokën e babagjyshit në Pejë. Por, pronën që Anola Shala bashkë me trashëgimtarët e tjerë e pretendojnë si të tyren, doli se e ka blerë dikush tjetër. Në dosjen e lëndës që ka siguruar Gazeta Express shihet se kësaj shitblerjeje i ka kontribuar Gjykata Komunale e Pejës me vendime që, sipas familjes Shala, vlerësohen kontradiktore.
Kjo gjykatë ua njohu të drejtën e pronës pa dokumentacion juridik serbëve e më pas edhe Metë Isuf Ademajt, që e bleu për 360 mijë marka gjermane këtë pronë nga serbi, por jo edhe atyre që thonë se i kanë të gjitha dokumentacionet.
Fillimisht Anola tregon se në vitin 2000 aplikuan në kadastrën e Pejës nga ku u pajisën me certifikatën përkatëse të pronës, në të cilën shihej se prona kishte kaluar në favor të një personi të quajtur Novak Risto Vuqiniq dhe Stevan Risto Vuqiniq, pa dokumentacion juridik, shkruan Gazeta Express.
Për të parandaluar tjetërsimin e pronës, ajo thotë se filluan një proces gjyqësor në të cilin kërkuan edhe masën e përkohshme, të cilën e aprovoi Gjykata Komunale e Pejës në vendimin e saj C.nr.186/00, në seancën e datës 9.11.2000. /Telegrafi/




















































