Kosova po përballet me një sfidë të dyfishtë që ndërlidhet ngushtë mes vete: braktisjen e fshatrave dhe përjashtimin e grave nga tregu i punës.

Sipas të dhënave të publikuara nga organizata Demokraci për Zhvillim (D4D), në dekadën e fundit vendi ka humbur rreth 150 mijë banorë, ose 9% të popullsisë, ku popullsia rurale ka rënë me 36% (rreth 290 mijë persona), ndërsa ajo urbane është rritur me 17%. Për herë të parë, më shumë se gjysma e qytetarëve jetojnë në zona urbane – një trend që D4D e konsideron jo të qëndrueshëm dhe të nxitur nga mungesa e shërbimeve bazike në zonat rurale.


Në një dokument të prezantuar nga Grupi i Grave Lobuese, me mbështetjen e D4D-së, organizata propozon dy ndërhyrje kyçe për të ndalur shpërnguljen dhe për të fuqizuar gratë në tregun e punës:

Hapja e çerdheve publike në fshatra, si pjesë e rrjetit arsimor publik, me qëllim që kujdesi për fëmijët të mos mbetet barrë vetëm e grave, duke lejuar përfshirjen e tyre aktive në tregun e punës.

Subvencionimi i transportit publik rural, për të siguruar linja të rregullta dhe të përballueshme që lidhin fshatrat me qendrat urbane, duke lehtësuar qasjen në punë, arsim dhe shërbime shëndetësore.

D4D thekson se këto rekomandime janë bazuar në katër studime dhe rastre konkrete nga tri zona rurale të ndryshme të Kosovës, të cilat tregojnë se rënia e popullsisë po e bën gjithnjë e më të vështirë arsyetimin e investimeve publike në fshatra. Kjo, sipas raportit, krijon një cikël vicioz ku mungesa e shërbimeve nxit shpërnguljen, e kjo nga ana tjetër e ul mundësinë për përmirësime infrastrukturore.

Nëse zbatohen rekomandimet e D4D-së, priten përfitime të drejtpërdrejta, si:

Rritja e punësimit të grave dhe ulja e varësisë nga ndihmat sociale;

Zvogëlimi i shpërnguljes dhe gjallërimi i fshatrave;

Rritja e të ardhurave familjare dhe zhvillimi ekonomik lokal;

Kthim i shumëfishtë ekonomik, pasi çdo 1 euro e investuar në kujdesin e hershëm gjeneron 7–10 euro përfitim për ekonominë kombëtare.

D4D apelon që Qeveria e re, me mbështetje të gjerë politike, ta shpallë kujdesin për fëmijët dhe transportin rural si prioritet kombëtar, duke ndarë fonde të dedikuara në buxhetin e ardhshëm.

Njëherësh, komunat ftohen ta përfshijnë këtë agjendë në programet dhe buxhetet e tyre lokale, ndërsa shoqëria civile të vazhdojë monitorimin dhe avokimin për shërbime të barabarta për të gjithë qytetarët.

Ky dokument, sipas D4D-së, nuk është vetëm një thirrje për drejtësi sociale, por një strategji zhvillimore për të ardhmen e Kosovës – një të ardhme ku fshatrat mos të braktisen, ku gratë të jenë pjesë e fuqishme e ekonomisë dhe ku shërbimet publike të jenë të qasshme për të gjithë. /Telegrafi/