Çrregullimet e tiroides tek fëmijët – një kërcënim i heshtur për zhvillimin dhe shëndetin

Çrregullimet e tiroides në fëmijëri nuk janë të rralla, por shpesh kalojnë pa u vërejtur. Diagnoza e hershme është vendimtare për zhvillim të shëndetshëm trupor dhe mendor
Dr. Hafize Rafuna
Endokrinologe Pediatrike
hafizerafuna@hotmail.com
📞 +383 44 265 800
Gjatë viteve të fundit, çrregullimet hormonale në fëmijëri janë bërë gjithnjë e më të njohura për mjekët dhe familjet. Ndër më të rëndësishmet ndër to janë çrregullimet e funksionit të gjëndrës tiroide, të cilat, nëse nuk diagnostikohen dhe trajtohen në kohë, mund të lënë pasoja të pakthyeshme në zhvillimin fizik dhe mendor të fëmijës.
Gjëndra tiroide është një strukturë e vogël në qafë, por me ndikim të madh: ajo rregullon metabolizmin, zhvillimin e trurit, temperaturën trupore, rritjen dhe funksione të shumta trupore përmes prodhimit të hormoneve T3 dhe T4.
Hipotiroidizmi kongjenital – urgjencë mjekësore në ditët e para të jetës
Hipotiroidizmi kongjenital është një nga çrregullimet endokrine më të rënda në periudhën neonatale. Ai ndodh kur gjëndra tiroide mungon, është e pazhvilluar ose nuk funksionon siç duhet që nga lindja.
Shenjat klinike shpesh janë të fshehura në fillim, por vonesa në diagnostikim mund të sjellë prapambetje të pakthyeshme në zhvillimin mendor. Prandaj, vendet me sisteme të zhvilluara shëndetësore e përfshijnë testimin neonatal për hipotiroidizëm si pjesë të detyrueshme të skriningut të lindjes.
Trajtimi është i thjeshtë: hormon sintetik (levotiroksinë) dhe fillimi i hershëm – brenda dy javëve të para, garanton zhvillim normal në shumicën dërrmuese të rasteve.

Tiroiditi Hashimoto – kur sistemi imunitar sulmon veten
Në moshat më të rritura, sidomos gjatë pubertetit, hasim më shpesh tiroiditin autoimun Hashimoto, një sëmundje ku sistemi imunitar gabimisht sulmon gjëndrën tiroide.
Kjo gjendje është shkaku më i zakonshëm i hipotiroidizmit tek fëmijët dhe adoleshentët, dhe shpesh zhvillohet ngadalë, duke e bërë të vështirë për prindërit të dallojnë shenjat:
• Lodhje e vazhdueshme
• Shtim në peshë pa arsye
• Ftohtësi
• Konstipacion
• Probleme me përqendrimin dhe mësimet
• Cikël menstrual i çrregullt te vajzat
Diagnoza bëhet përmes analizave të TSH, T4 dhe antitrupave anti-TPO, dhe trajtimi përfshin përdorimin e levotiroksinës, me ndjekje të rregullt nga mjeku endokrinolog.
Hipertiroidizmi – kur tiroideja punon më shumë sesa duhet
Në raste më të rralla, por klinikisht më të zhurmshme, fëmijët mund të preken nga hipertiroidizmi, ku gjëndra prodhon tepricë hormonesh. Shkaku më i shpeshtë është sëmundja Graves, një tjetër gjendje autoimune që ndodh më shpesh te vajzat adoleshente.
Simptomat përfshijnë:
• Humbje peshe me oreks të shtuar
• Djersitje, nervozizëm, dridhje
• Rrahje të shpejta të zemrës
• Probleme me gjumin
• Sy të dalë (ekzoftalmi)
Trajtimi përfshin barna antitiroidale, ndonjëherë jod radioaktiv apo kirurgji, dhe kërkon monitorim të ngushtë.

Roli i prindërve dhe mjekëve – çelësi për diagnozë të hershme
Shumë nga këto çrregullime kanë shfaqje të ngadalta dhe simptoma që mund të ngatërrohen me probleme të zakonshme të fëmijërisë. Prandaj, është thelbësore që prindërit të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve të papritura në sjellje, energji, peshë, dhe rritje.
Për mjekët e kujdesit parësor, kontrolli periodik i rritjes, maturimit pubertal dhe ndonjëherë analizat hormonale, mund të zbulojnë probleme të cilat fëmija vetë nuk i shpreh.
Thirrje për ndërgjegjësim dhe skrining
Në muajin tetor, kur shënohet Dita Botërore e Menopauzës (18 tetor) dhe Osteoporoza (20 tetor) – dy gjendje të lidhura me hormonët – është po ashtu një moment i mirë për të rritur ndërgjegjësimin për shëndetin e tiroides tek fëmijët dhe adoleshentët.
Shëndeti hormonal në fëmijëri është themeli për një jetë të shëndetshme. Tiroidja është e vogël, por ndikimi i saj është i madh dhe përgjegjësia jonë është ta dëgjojmë trupin e fëmijës edhe kur ai nuk flet me fjalë, por me simptoma. /Telegrafi/
















































