LAJMI I FUNDIT:

Çka është Peri-implantiti dhe si trajtohet?

Çka është Peri-implantiti dhe si trajtohet?
Ass.Dr.Sci. Visar Disha

Me një shkallë suksesi prej 90-95% implantet dentare ofrojnë zëvendësime të besueshme për një ose më shumë dhëmbë që mungojnë, sipas Kolegjit Amerikan të Proteticientëve (ACP). Megjithatë, ashtu si dhëmbët tuaj natyral, implantët kërkojnë kujdes për t’u siguruar që të zgjasin një kohë të gjatë

Ass.Dr.Sci. Visar Disha
Specialist i Protetikes Stomatologjike
Specialist i Ortodoncisë dhe Ortopedisë së Nofullave
Specialist i Kirurgjisë Orale dhe Implantologjisë
Tel. +38344559287

Peri-implantiti është një infeksion që prek indet përreth implanteve dentare të cilat kanë zëvendësuar dhëmbët e nxjerrë ose që mungojnë. Kjo mund të çojë në dhimbje, ënjtje, vështirësi në kafshimin dhe përtypjen, dhe – nëse nuk trajtohet – dështimin e implantit.


Peri-implantiti zakonisht shkaktohet nga higjiena e dobët orale dhe mund të trajtohet me një kombinim të pastrimit të thellë dhe terapisë antimikrobike. Në raste të rënda, implanti mund të ketë nevojë të hiqet dhe të zëvendësohet.

Çfarë e shkakton Peri-implantitin?

Peri-implantiti zakonisht shkaktohet nga shëndeti i dobët oral, i cili lejon që bakteret të grumbullohen poshtë vijës së mishit të dhëmbëve. Këto mund të çojnë në infeksion dhe inflamacion të gingivës (indit të mishit të dhëmbëve) dhe/ose mukozës.

Faktorë të tjerë që e rrisin rrezikun e zhvillimit të peri-implantitit përfshijnë:

• Pirja e duhanit: Duhanpirësit kanë një rrezik më të lartë të zhvillimit të peri-implantitit për shkak të uljes së rrjedhjes së gjakut në mishrat e dhëmbëve.

• Diabeti: Njerëzit me diabet të pakontrolluar kanë një rrezik më të rritur të zhvillimit të peri-implantitit për shkak të uljes së rrjedhjes së gjakut. Qarkullimi i dobët i gjakut pengon aftësinë tuaj për t’u shëruar nga lëndimet ose infeksionet.

• Sistemi imunitar i dobët: Pacientët me imunitet të komprometuar – si ata me HIV/AIDS ose kancer – janë në rrezik më të lartë të peri-implantitit. Një sistem imunitar i dobësuar nuk mund të luftojë efektivisht patogjenët që shkaktojnë sëmundjen periodontale dhe peri-implantitin, duke rezultuar në infeksion më të rëndë.

• Vendosja jo adekuate e implanteve: Implantet e vendosura në mënyrë jo të duhur ose implantet e vendosura në zona me mbështetje të pamjaftueshme kockore rrisin rrezikun për peri-implantit.

• Mbingarkesa: Vendosja e tepërt e forcës në implant, si për shembull kafshimi ose përtypja e ushqimeve të forta, mund të çojë në peri-implantit pasi shkakton konsumim të përshpejtuar dhe dëmtim të implantit. Çarje të vogla krijojnë vende fshehjeje për bakteret.

• Kurora e vendosur në mënyre jo adekuate mbi implant: Nëse një kurorë ose një restaurim tjetër nuk përshtatet siç duhet, mund të shkaktojë acarim dhe inflamacion në indet në vendin e implantit, duke çuar në peri-implantit.

• Shmangia e vizitave tek kirurgu oral: Rekomandohen kontrolle të rregullta te kirurgu oral pas vendosjes së implanteve dentare, ku në këto vizita, ata do të kontrollojnë për ndonjë problem me implantin dentar ose indin përreth. Shmangia e vizitave tek kirurgu oral mund të lejojë që problemet e vogla të pakontrolluara të rriten dhe të bëhen probleme më të mëdha.

Cilat janë shenjat e peri-implantitit?

Simptomat e peri-implantitit mund të përfshijnë:

• Ënjtje ose skuqje e mishrave të dhëmbëve rreth implantit.
• Shkarkimi i qelbit përreth implantit (supuracion).
• Dhimbje ose ndjeshmëri në mishrat e dhëmbëve rreth implantit.
• Një shije e keqe në gojë.
• Lëvizja e implantit.
• Peri-implantiti i avancuar mund të rezultojë në lezione ose humbje kockore.

Trajtimi i Peri-implantitit

Nëse keni simptoma të peri-implantitit, mos hezitoni të kontaktoni kirurgun oral për të ndihmuar në zgjidhjen e infeksionit dhe për të shmangur dështimin e implantit.

Trajtimet e peri-implantitit ndryshojnë në varësi të personit që trajtohet, llojit të implantit dhe ashpërsisë së peri-implantitit.

Secili trajtim ka avantazhet dhe disavantazhet, ndaj zbuloni nga kirurgu oral se cili trajtim është i duhuri për ju. Disa trajtime mund të jenë më efektive duke punuar në kombinim me trajtime të tjera.

Antibiotikët: Në formë pilule ose të vendosur direkt në zonën e infektuar rreth implantit, antibiotikët funksionojnë në infeksione të moderuara.

Debritmani mekanik: Disa pajisje mund të heqin pllakën bakteriale dhe të rivendosin indin. Pajisjet e përdorura në këtë procedurë përfshijnë furçat e titanit, kiretat dentare dhe pajisjet gërryese dhe ultrasonike.

Terapia me laser: Një profesionist dentar mund të zgjedhë të përdorë terapinë me lazer për të shkatërruar bakteret rreth implantit.

Kirurgjia: Ndoshta mënyra më efektive për të trajtuar peri-implantitin. Disa operacione përfshijnë tërheqjen e indit të mishit të dhëmbëve për të krijuar rrathë për heqjen e pllakës dhe baktereve. Një tjetër përfshin rigjenerimin e kockave, i cili mund të përfshijë graftet kockore.

Pas trajtimit, mund të prisni që të keni takime pasuese gjatë muajve në vijim. Në këtë mënyrë, kirurgu oral mund të gjurmojë përparimin tuaj të shërimit dhe të sigurojë që implanti të jetë i qëndrueshëm.

Mesazhi im

Ashtu si me dhëmbët natyralë, kujdesi për implantin tuaj dentar është i rëndësishëm – për të parandaluar sëmundje të tilla si peri-implantiti.

Megjithëse trajtimet janë të shumta, parandalimi do t’ju shërbejë mirë – dhe do t’ju mbajë të buzëqeshur.

Për të parandaluar që implanti të krijojë një pllakë bakteriale, mbani një rutinë të duhur të higjienës orale.

• Pastroni dhëmbët mbi implante dy herë në ditë dhe përdorni perin dentar një herë në ditë.
• Vizitoni rregullisht kirurgun oral për kontrollë dhe pastrim.
• Lëreni duhanin se mund të çojë në dështimin e implantit.
• Nëse vuani nga diabeti , mbajeni sëmundjen nën kontrole.

Konsultohuni me kirurgun oral për mënyrat më të mira për të ruajtur shëndetin oral. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Kalo në kategori