Çitaku reagon ndaj deklaratave të Alban Krasniqit: Urrejtja pa fakte nuk është politikë, por thirrje për telashe

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka reaguar ashpër ndaj Alban Krasniqit, zyrtarit të LVV-së në KQZ, njëherit bashkëshorti i nënkryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu.
Përmes një postimi në Facebook, Çitaku e cilësoi deklarimin e Krasniqit si të papërgjegjshëm dhe të dëmshëm për debatin publik dhe institucionet e drejtësisë.
“Alban, të paktën si zyrtar i KQZ-së, kujdes qysh flet e kujt i drejtohesh. Urrejtja pa fakte s’është më diskurs politik, është thirrje për telashe,” ka shkruar ajo.
Çitaku po ashtu i kujtoi Krasniqit se të gjitha të arriturat institucionale të Kosovës janë rezultat i sakrificës së UÇK-së dhe i mbështetjes ndërkombëtare.
“Lirinë e Kosovës e ka sjellë UÇK-ja dhe pjekuria politike e liderëve të asaj kohe, bashkë me mbështetjen e miqve tanë ndërkombëtarë, jo sharjet tuaja,” theksoi ajo.
Në reagimin e saj, Çitaku e konsideron veçanërisht problematike presionin publik ndaj gjyqtarëve nga përfaqësues politikë.
“Presioni dhe shantazhi publik ndaj gjyqtarëve të Kosovës, me emra e mbiemra, është poshtëruese dhe barazohet me thirrje për dhunë,” ka shtuar ajo, duke i bërë thirrje për më shumë përgjegjësi institucionale.
Çitaku ka kritikuar ashpër qasjen politike të Krasniqit dhe Vetëvendosjes.
“Jeni vonë. Jeni gabim. Jeni dështim. Me diskurs. Me qëndrime. Me arritje”, ka shkruar Çitaku.
Ndryshe Gjykata Supreme e Kosovës ka shprehur shpreh shqetësimin e thellë përkitazi me deklaratat e zyrtarit të VV-së në KQZ, Alban Krasniqi i cili gjatë mbledhjes së KQZ-së, ka përdorur gjuhë të papranueshme karshi Gjykatës Supreme, dhe gjyqtarit të kësaj gjykate, Zenel Leku.
“Shpikja e teorive konspirative, etiketimet dhe përpjekjet për denigrim të figurave të gjyqtarëve të Gjykatës Supreme në një institucion si KQZ, ku pritet maturi, qartësi dhe respekt, tregon mungesë të kulturës politike. Qytetarët e Kosovës kanë nevojë për përfaqësues që i respektojnë institucionet, jo të tillë që përpiqen t’i delegjitimojnë ato, me akuza pa fakte”, thuhej në reagimin e Supremes. /Telegrafi/





















































