Po bëhen 20 vjet nga përfundimi i luftës në Kosovë, kurse Serbia ende nuk tregon lokacionet e shqiptarëve të zhdukur.
Tash e dy dekada, familjarët janë në ankth dhe u shkelet e drejta e tyre elementare; informimi për vendndodhjen e më të dashurve të tyre. Ndërkohë, Republika e Kosovës po synon të marrë njohje nga shteti fqinj, dhe po pret të arrijë një marrëveshje finale në pranverë.
Familjarët kanë pak shpresë që do të zbardhet fati i personave të zhdukur, ndërkohë që Ekipi Negociator për bisedime me Serbinë po zotohen se nuk do të ketë marrëveshje finale me Serbinë pa u qartësuar çështja e personave të pagjetur.
Qeveria e Kosovës në nëntor mori vendim të vendosë taksë 100% për produktet serbe që hyjnë në Kosovë, si përgjigje ndaj fushatës së Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës.
Por, kështu të prerë nuk arritën të tregoheshin asnjëherë pushtetarët e Kosovës, në çështjen më të ndjeshme në vend, atë të personave të pagjetur.
Nuk u mësuan asnjëherë lokacionet se ku janë dërguar mbi 1555 shqiptarë gjatë luftës së 98-99’, dhe nuk u arrit që kjo çështje të diskutohet në nivel të lartë në tavolinën e Brukselit, mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Që gjashtë vjet, në Bruksel është folur për telekomin, energjetikën, heqjen e barrikadës mbi lumin Iber, e çështje të tjera, por nuk u diskutua për kërkesat e familjarëve të personave të zhdukur.
Familjarët dhe shoqatat që përfaqësojnë familjet e personave të zhdukur, ende po mundohen të mbajnë pak shpresë se do të zgjidhet fati i më të dashurve të tyre.
Bajram Qerkini, duke folur në emër të familjarëve, thotë se duhet të bëhet më shumë presion në bashkësinë ndërkombëtare.
“Ai që ka marrë kompetenca duhet të bëjë presion në bashkësinë ndërkombëtare. Ai që i ka marrë kompetencat duhet t’i thotë stop, kjo çështje duhet të jetë, dhe më tepër nuk flas. Cili po e bënë këtë? Cili është ai i vendosuri që kur vendosi t’i rrisë pagat nuk veti askënd. Kur u vendosë diçka që iu ka mbush mendja qeverisë që nuk ka me marrë mallra më, 100 për qind me pagu, menjëherë u vendos, pse nuk po bisedohet edhe për të pagjeturit? Këta janë fëmijë, i kemi fëmijët e pagjetur. Neve nuk na intereson aspak kurrfarë politike. Neve na intereson me pas një shenjë që djali mu ka gjind ose atij gruaja, vëllau, motra, baba”, thotë ai.
Por, bashkryesuesi i Ekipit të ri Negociator që ka formuar Kosova për bisedimet me Serbinë, Fatmir Limaj, po zotohet që nuk do të ketë marrëveshje finale me Serbinë, pa u qartësuar çështja e personave të pagjetur.
“Nuk do të ketë asnjë marrëveshje gjithëpërfshirëse, finale me Serbinë pa u qartësuar deri në fund, dhe pa qenë pjesë e kësaj marrëveshje çështja e të pagjeturve”, thotë ai.
E Bajram Qerkini, i cili tash e gati dy dekada, nuk di asgjë se ku ndodhet djali i tij i zhdukur, tregon se çdo ditë pret që t’i kthehet i biri.
“Qysh me u ballafaqu kur nuk ke çka i jep, nuk ke çka i thua, nuk ke asgjë pozitive, qysh me i thënë familjarit, çka me i thënë? Unë 81 vjeç jam, jo vetëm tash por edhe kur shkoj mendoj që djali im po vjen. Asnjë ditë në këtë shoqatë nuk bëhet pa ardh dikush që nuk thotë ja e kam parë ëndërr, ja më ka thënë dikush diçka, hala diçka e re del prej familjarëve, apo ëndrra gjithmonë se kur do t’i gjejmë më të dashurit tonë. Është vështirë të ballafaqohesh me familjarët”, thotë ai.
Kjo shoqatë mbushet plot me familjarë me sy me lot, të cilët vijnë dhe i rrëfejnë njëri-tjetrit edhe ëndrrat që i kanë parë një natë më herët.
Të gjithë me shpresën që ndonjëri ka mësuar ndonjë informacion më shumë për më të dashurit e tyre të zhdukur.
Se sa e vështirë është gjendja e familjarëve, e tregon më së miri rasti i Halil dhe Zylë Ujkani.
Në një shtëpi të madhe, jetojnë të vetëm dy pleq që kanë kaluar të 80-at. Ata nuk e dinë a i kanë djemtë gjallë, e dinë vetëm se policia serbe i ka marrë e ka zhdukur ditën e 16 prillit të 99-ës.
Njëri ishte 30 vjeç, dy 19, dhe dy të tjerë nga 15 vjeç.
Ekipi i KosovaPress-it ka qëndruar në shtëpinë e familjes Ujkani, dhe ka dëgjuar rrëfimet e dy prindërve që Serbia ua mori më të shtrenjtën që kishin dhe i la të vetëm.
“Veç i kanë marrë, i kanë shti në kerre i kanë dërgu, sikur me i lëshu toka. Flitet tek ne që i kanë marrë i kanë dërguar në një katund, u kanë marrë deklaratat aty dhe, një kojshi serbe më tregon, thotë me sy të mi e kam parë Shaipin (djalin tim), dhe i sollën një kombi me shqiptarë, thonë që i kanë marrë i kanë qit në atë kombi, a i kanë dërgu për Beograd, ai kanë pushkatu, prej atëherë nuk di asgjë për ta”, thotë Halil Ujkani.
Zyla Ujkani, e cila vështirë lëvizë nga mosha e shtyrë, tregon se ende ka shpresë. Kjo edhe i shihet në sytë e përlotur.
“Nuk marrim frymë prej mërzis së fëmijëve, a janë, a nuk janë, a në duar të shkaut, kemi mbet vjerrë, çka po pret Serbia që nuk po i tregon, që 20 vjet u kry kjo luftë, në kofshin gjallë me ua qelë derën me ardh ose me tregu që kanë vdekë, të Zotit jemi krejt”, thotë ajo.
Ata tash kanë mbetur të vetëm, pranvera për ta u ndal në prillin e vitit 1999, dhe bisedat e tyre mbajnë vetëm një temë, atë të djemve të zhdukur.
“Mos me qenë ymyti nuk di çka kishim ba. Nganjëherë dalim këtu verës në ballkon, bëjmë llaf derisa të bëhet vakti i jacisë. Ne tjetër llaf nuk dimë me ba vetëm llafin e tyre. Ata ndoshta janë kalbë diku, ne ende ymytin që ata janë diku”, rrëfen Halili.
Behxhet Shala, që udhëheq Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, thonë se koha e duhur për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ka qenë pas përfundimit të luftës.
Sipas tij, në atë kohë do të duhej të tregoheshin lokacionit, meqë sipas tij, koha mund të zbeh zgjidhjen e këtij procesi.
“Bashkësia ndërkombëtare atëherë ka pas një mundësi të bëjë një presion të duhur të palës dyluftuese që t’u tregojnë për fatin e tyre, sepse mund të besoni që mund të zhduket një person apo dy rastësisht, por nëse kemi të bëjmë me mijëra që kanë qenë në listën e zhdukurve, atëherë nuk është çështje që janë zhdukë vetvetiu, por ka qenë një politikë, një qendër e koordinimit, andaj është një qendër e përgjegjësisë për këto sqarime dhe informata ku janë këta persona. Bashkësia ndërkombëtare nuk e ka bërë këtë për shkaqe ekskluzivisht politike sepse ka deshtë që me të dyja palët ta luaj rolin për ndërtimin e paqes në kurriz të viktimave, në kurriz të familjarëve të cilët kanë mbet të vetmuar në realizimin e të drejtës elementare të njeriut, për të pas informacionin për fatin e anëtarëve të familjes së tyre”, thotë ai.
Për çështjen e të vrarëve dhe të zhdukurve, ende nuk është zhvilluar ndonjë proces gjyqësor dhe shteti i Serbisë asnjëherë nuk është treguar bashkëpunues në zbardhjen e fatit të tyre.
Saranda Bogujevci, deputete në Kuvendin e Kosovës, e cila ka familjarë të zhdukur dhe ishte qëlluar nga forcat serbe, thotë se Kosova nuk do të duhej të hynte në procesin e bisedimeve me Serbinë pa e zgjidhur këtë çështje.
“Nuk është që po bëhet presion ndaj Serbisë, ende duhet të bëhet plotësim-ndryshimi i ligjit, ka qenë me kërkesë të familjarëve që kanë pas plotësisht të drejtë, për shkak të ligjeve të tjera shumë të drejta u mohohen. Unë kam përmend shumë herë që përveç punës intensive që duhet ta bëjmë edhe si Parlament edhe si Qeveri, karshi Serbisë, për t’i kthyer trupat e personave të pagjetur, tjetra është se çka po bëjmë ne për të krijuar mekanzima për familjarët, çka po bëjmë ne për ta. Nuk është e mjaftueshme të mirret një pension ku është një ndihmesë për familjarët, duhet të ndërtohen mekanizma për papërkrahjen e tyre në baza ditore, në çfarëdo forme që ata kanë nevojë”, thotë ai.
Nga përfaqësuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, pati çdoherë premtime. U tha se në vazhdimësi po kërkojnë që kjo temë të jetë pjesë e dialogut, por nuk pati rezultate.
KosovaPress ka pyetur presidentin e vendit, Hashim Thaçi, lidhur me procesin e të pagjeturve, meqë i njëjti kryeson takimet me palën serbe në Bruksel.
Shkurt ai ka thënë se është njoftuar nga delegacioni shtetëror, se kjo do të jetë pika e parë që do të diskutohet.
“Definitivisht po, nga ajo që jam i informuar nga ekipi negociator i Kosovës çështja e personave të pagjetur do të jetë pika e parë që do të diskutohet. Kjo tanimë është zyrtare”, ka thënë ai.
Sipas zëvendëskryeministrit, Fatmir Limaj, kjo temë do të jetë e veçantë, dhe që pret të arrihet marrëveshje e veçantë për të pagjeturit, që do të inkorporohej në marrëveshjen finale.
“Ne do të kemi komisionin përkatës për të pagjeturit, do të jetë temë e veçantë, do të kemi drejtues që do ta drejtojnë këtë. Specifike për këtë temë do të ketë marrëveshje të veçantë, presim të ketë marrëveshje të veçantë për këtë temë e cila do të jetë e inkorporuar në marrëveshjen finale. Besoj që sikur të gjitha temave të tjera, edhe çështjes së të pagjeturve do t’u vijë fundi nëse vijmë deri tek një marrëveshje e suksesshme gjithëpërfshirëse me Serbinë”, thotë ai.
E familjarët po konsiderojnë që viti 2018 është viti më i varfër në procesin e personave të pagjetur.
Thonë se asnjë informatë me shkrim nuk e kanë marrë se deri ku ka shkuar procesi i familjarëve të tyre të zhdukur./kp/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëPersoni që dyshohet se i theri me thikë katër persona në Ferizaj, ishte dënuar për vrasje
Trendafilova: Nuk mendoj që SHBA-të do të përfshihen në Gjykatën Speciale
Trendafilova: Rastin Thaçi dhe të tjerët Prokuroria e përfundon në prill të vitit 2025
Pasardhës të heronjve të Kosovës: Dorent, Betim dhe Edon Berisha në shërbim të atdheut
Sonte tërmet në Maqedoni
“Bëjeni Kosovën të madhe sërish”, në Prishtinë vendosen posterë me Trumpin e Grenellin
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Kompletoje look-un me 50% zbritje
Më të lexuarat
Ministri izraelit urdhëron përgatitjet për aneksimin e Bregut Perëndimor - vjen reagimi i parë
Kompanitë gjermane testuan javën 4-ditore të punës - zbulohen detaje të "rezultateve befasuese, por ndoshta jo bindëse"
Zbardhen detaje për therjen me thikë të katër personave në Ferizaj, ministri Vitia e doktori Syla flasin nga Emergjenca
Partnerja e befason Mevlanin në spektakël - i kumtohet lajmi që po bëhet baba për herë të parë
Besforti pas daljes nga Big Brother: Mundem edhe me qit në gjyq Vëllanë e Madh, vendimi ka qenë i padrejtë
Humb jetën pasagjeri në aeroplanin e nisur nga Tirana, bëhet ulje emergjente në Londër - detajet e para