Çepele rrëfehet për debutimin me Kombëtaren si dhe tregon arsyen pse u largua nga Interi

Ramen Çepele u bë një nga futbollistët më të rinj që vesh fanellën kuqezi të Kombëtares.
Mbrojtësi i talentuar luajti titullar ndaj Kosovës ndonëse nuk i ka ende 18 vite mbi supe, ndërsa sot rrëfeu emocionet e debutimit në një bashkëbisedim me Supersport.
Ai ka treguar edhe për pritjen e shokëve të ekipit në Kombëtare si dhe arsyen pse u largua nga Interi për te Hannoveri.
Jeni nga më të rinjtë që keni debutuar me Kombëtaren Shqiptare. Si ndiheni me këtë fakt? Është një emocion i papërshkrueshëm dhe një motiv krenarie. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Kombëtares dhe që kam luajtur në fushë.
Si është klima brenda grupit? Shumë e mirë dhe të gjithë më kanë ndihmuar shumë në këto grumbullime të para. Jam ndjerë shumë mirë, pasi të gjithë më kanë qëndruar pranë dhe më kanë ndihmuar.
A mendoni se kjo skuadër mund t’ia dalë të kualifikohet në Evropianin e ardhshëm? Çdo gjë mund të ndodhë, pasi ne po punojmë për këtë objektiv dhe shpresoj që t’ia dalim.
A është vendi i titullarit një objektiv i shpejtë për Çepelen? Unë jam shumë i ri dhe kam shumë kohë përpara për të bërë mirë, ndaj për momentin jam i kënaqur që vij këtu dhe që kam debutuar, por e di që duhet të punoj shumë dhe të rritem në të gjithë aspektet.























































