Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Gjirafa, Mërgim Cahani, në një intervistë në emisionin “Përballje ditore” me gazetarin Muhamet Hajrullahu për Telegrafi.com ka folur për investimin e fundit për dixhitalizimin e Ballkanit, projektet e kësaj kompanie për vitin 2019, si dhe potencialin që ka vendi ynë në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Cahani ka treguar se Gjirafa deri më tani ka pranuar investime deri në 10 milionë dollarë dhe sipas tij, investimi i parë ka ardhur si investim vetanak.


“Investimet e tjera kanë ardhur prej disa investitorëve që ne i quajmë investitorë engjëj, pastaj kanë ardhur disa investime nga Seria A të Rockaway Capital, ku ka qenë 2 milionë dollarë dhe është Seria B prej 6.7 milionë dollarë. Në total kemi marrë afër 10 milionë dollarë me synim që të ndryshojmë thellësisht ekonominë e internetit, që do të thotë shërbime për konsumatorin online për Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni”, ka thënë Cahani.

Ai në intervistë ka treguar se kush janë investitorët në këtë fond prej 6.7 milionë dollarësh.

gjirafa foto Ridvan Slivova 17 Hapësira e Gjirafa.com | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

“Investimi i fundit prej 6.7 milionë dollarë ka ardhur prej dy entiteteve, ku udhëheqës i investimit ka qenë Rockaway Capital që janë me bazë në Pragë por edhe në të gjithë Evropën. Rockaway Capital në porotofolion e vet ka mbi 30 kompani që kanë gjeneruar rreth 2 miliardë euro në vitin e kaluar dhe i ka 5,200 punëtorë. Përveç Rockaway Capital, kemi edhe individë investitorë nga SHBA-ja, të cilët kanë kontribuar në pjesën e investimit që të arrihet pjesa e 6.7 milionë dollarëve. Ata si kundërvlerë kanë marrë përqindje në kompani të cilët tash punojmë që ta rrisim kompaninë dhe interesi i tyre është besimi në vizionin që ta ndërtojmë një pjesë të Evropës të cila është harruar prej gjigantëve”, ka deklaruar ai.

Mergim Cahani foto Ridvan Slivova 11 Themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Gjirafa, Mërgim Cahani në intervistë me Telegrafi.com | Foto: Ridvan Slivova

Drejtori ekzekutiv i Gjifara, Mërgim Cahani, ka shpjeguar se si do të investohen në tregun shqipfolës investimi i fundit prej Rockaway Capital dhe investitorëve tjerë.

“Investimi është në dy drejtime - e para, do të fokusohemi në tri grupe të produkteve, grupi një është e-commerce, jo vetëm GjirafaMall, Gjirafa50 (jo vetëm për teknologji por edhe për shërbime, duke filluar nga veshmbathjet, kozmetika, ushqimet, vegla pune dhe gjithçka në mes). Fokusi i dytë është në përmbajtje, apo në emisione argëtuese në GjirafaVideo. Ndërsa shërbimi i tretë janë ato që ne po dëshirojmë ta dixhitalizojmë vendin - këtu është Gjirafa.biz e cila aktualisht ka mbi 80 mijë pika të interesit. Drejtimi i dytë është zgjerimi i këtyre tri shtyllave në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni. Pra, vizioni ynë është ndërtimi i shërbimeve të internetit për shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni, si dhe ofrimi i shërbimeve në diasporë në kuadër të GjirafaVideo”, ka shpjeguar Cahani.

gjirafa foto Ridvan Slivova 15 Hapësira e Gjirafa.com | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Ai në intervistë ka folur edhe për planet e kësaj kompanie gjatë vitit 2019, ku pritet të punësohen punëtorë të rinj, si dhe ka folur për potencialin që ka Kosova, rajoni dhe diaspora në inovacion dhe teknologji. /Telegrafi/