Bonucci tregon se çfarë biseduan Chiesa dhe Gattusos për refuzimin e thirrjes nga Italia

Asistenti i Gennaro Gattusos te Kombëtarja e Italisë, Leonardo Bonucci, ka folur për situatën e Federico Chiesas dhe rikthimin e mundshëm të tij te Azzurrët.
Sipas Bonuccit, ylli i Liverpoolit dëshiron të jetë “plotësisht i gatshëm” përpara se të veshë sërish fanellën e Italisë.
Chiesa ka refuzuar disa thirrje nga trajneri Gattuso që prej emërimit të tij në qershor 2025, por Bonucci zbulon se komunikimi mes palëve ka qenë i drejtpërdrejtë.
“Trajneri pati kontakt të drejtpërdrejtë me Federicon, ashtu si me lojtarë të tjerë që kanë qenë më parë pjesë e ekipit”.

“Federico na ka bërë të ditur se dëshiron të vazhdojë rrugën e tij dhe të jetë në formën më të mirë përpara se të jetë i disponueshëm për ekipin kombëtar”, deklaroi Bonucci për Sky Sport Italia.
Bonucci theksoi se Chiesa vazhdon të jetë pjesë e listës së gjerë të lojtarëve potencialë për fazën e play-offit të Kupës së Botës.
“Ne monitorojmë të gjithë lojtarët, brenda dhe jashtë Italisë. Chiesa është padyshim pjesë e grupit më të gjerë që mund të thirret, por vendimet përfundimtare do të merren në fillim të shkurtit. Shpresojmë që të gjithë të jenë plotësisht të gatshëm,” shtoi ai.
Chiesa nuk ka luajtur për Italinë që nga Euro 2024, ku ishte titullar në humbjen 2-0 kundër Zvicrës në raundin e 1/16-ve. Me 51 paraqitje dhe 7 gola për Azzurrët, ai mbetet një nga emrat më të rëndësishëm të gjeneratës aktuale.

Pas një sezoni të parë të vështirë te Liverpooli për shkak të lëndimeve, ai këtë edicion ka nisur të rikthejë formën: 2 gola dhe 3 asistime në 14 paraqitje, megjithëse rrallë është aktivizuar si titullar. /Telegrafi/








































