Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me protestat e kompanive transportuese në shtetet e rajonit, të cilat, sipas saj, po shkaktojnë pasoja serioze për funksionimin normal të bizneseve kosovare dhe për rrjedhën e tregtisë ndërkombëtare.

Në reagimin e saj, OEK thekson se këto protesta kanë ndikuar drejtpërdrejt në pamundësimin e eksportit dhe importit të mallrave drejt dhe nga vendet e Bashkimit Evropian. Si pasojë, janë krijuar vonesa të konsiderueshme, kosto shtesë për kompanitë dhe rrezik real për ndërprerjen e zinxhirëve të furnizimit.


Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, njëherësh Kryesues i Bordit të WB6 CIF, ka bërë të ditur se ky problem është adresuar në mënyrë të vazhdueshme në komunikimet me institucionet e Bashkimit Evropian, me kërkesën për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe sistemike. Sipas tij, funksionimi i lirë i tregtisë dhe ruajtja e zinxhirëve të furnizimit mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor janë me interes të përbashkët.

Oda Ekonomike e Kosovës i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian për ndërhyrje urgjente institucionale, e cila do të mundësonte funksionimin normal të transportit ndërkombëtar rrugor deri në arritjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Sipas OEK-së, një qasje e tillë është parakusht për stabilitet ekonomik, integrim tregtar dhe zhvillim të qëndrueshëm rajonal. Oda ka ritheksuar se mbetet e angazhuar në mbrojtjen e interesave të komunitetit të biznesit dhe në dialogun institucional me partnerët evropianë, në funksion të garantimit të një tregtie të lirë, të sigurt dhe funksionale.