Lidhja e Bizneseve të Kosovës ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me çrregullimet në transportin ndërkombëtar rrugor, të shkaktuara nga protestat e disa kompanive transportuese në rajon.

LBK thekson se këto ndërprerje po krijojnë pasoja serioze për bizneset kosovare, duke penguar eksportin dhe importin e mallrave, duke rritur koston operative dhe duke rrezikuar stabilitetin e zinxhirëve të furnizimit.


“Situata tashmë ka sjellë vonesa të konsiderueshme, humbje financiare, ndërprerje të kontratave dhe kërcënim për humbjen e klientëve ndërkombëtarë, duke dëmtuar imazhin dhe besueshmërinë e biznesit kosovar. Ndërprerjet e zgjatura nuk janë thjesht shqetësim operativ, por një kërcënim real për klimën e investimeve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

Lidhja e Bizneseve të Kosovës i bën thirrje urgjente institucioneve të Bashkimit Evropian dhe palëve të angazhuara në transportin ndërkombëtar që të ndërhyjnë menjëherë dhe të sigurojnë funksionimin normal të lëvizjes së mallrave, duke garantuar zgjidhje afatgjata dhe të parashikueshme për zinxhirët rajonalë dhe evropianë të furnizimit”, thuhet në reagim.

LBK tutje thotë se lëvizja e lirë e mallrave dhe funksionimi i pandërprerë i transportit rrugor janë të domosdoshme për ruajtjen e stabilitetit ekonomik, për sigurimin e punësimit, dhe për avancimin e integrimit të Kosovës në tregun unik të Bashkimit Evropian. /Telegrafi/